Vetëm disa metra larg ALUIZNI-t, gjendet një treg, i cili funksionon pa asnjë standard higjenosanitar. Pavarësisht kushteve primitive në të cilat ndodhet ky treg, tregtarët nuk kanë një vend tjetër për të tregtuar mallrat e tyre. Në Tiranë vazhdojnë të funksionojnë si tregje edhe sheshet që nuk përmbushin asnjë lloj kriteri, ndërkohë që këta tregtarë shesin mallrat të pakontrolluar.

E tillë është hapësira pranë ALUIZNI-it, e cila funksionon si një treg fshatar dhe është jashtë çdo standardi. Ai është vetëm disa metra mbi tregun e vjetër që funksionon aty prej vitesh, atij të fruta-perimeve dhe rrobave. Në të tregtohet gjithçka që vjen nga fshati, duke fillur që nga fruta-perimet, bulmete dhe ushqime të shpejta të tipit “fast-food” në ambjente të hapura. Të gjitha këto shoqërohen nga era e rëndë e pulave dhe gjelave të gjalla, të cilat tregtohen po në këto ambjente. E sikur të mos mjaftonte kjo, që në hyrje të tij, përballemi me rrugën e “mbytur” nga gropat dhe me kalimtarë që këmbët e tyre i zhytin në baltë gjatë ditëve me shi. Mallrat në këtë të ashtëquajturin “treg” janë pothuajse në tokë, dhe e vetmja gjë që i ndan nga toka është ndonjë plasmas i shtruar përdhe.

tregu

Diku rrallë, janë të priviligjar ata që mallrat e tyre i tregtojnë mbi arka, duke pretenduar se produktet janë më të pastërta. “Nuk kemi ku t’i tregtojmë mallrat tona. Nuk kemi një treg dhe për këtë jemi të detyruar t’i shesim në kushte të tilla”, shprehet një zonjë që tregton aty çdo ditë qumësht, djath dhe gjalp. Po në mes të këtyre produkteve që konsumohen çdo ditë nga qytetarët e Tiranës, të zë syri kudo plehra dhe fruta-perime të kalbura, të cilat kundërmojnë erë të rëndë. Këto mallra, tregtohen jashtë çdo standardi dhe ambjentet e tregtimit nuk përmbushin asnjë kusht higjeno-sanitar. Ky treg fshatar funksionon në kushte primitive dhe duke rrezikuar çdo ditë konsumatorët e këtyre produkteve. Blerësit, në këtë mënyrë, përballen me rrezikun për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme. Në raste të tilla, i takon Bashkisë së Tiranës të marrë masat e nevojshme për përmirësimin e kushteve në tregje, si dhe pezullimin e tregjeve të tilla, si ky pranë ALUIZNI-t.

tregu

Ky shkrim u botua në gazeten Shqiptarja.com

Redaksia Online
(f.i/Shqiptarja.com)