Fotot e rralla princeshat shqiptare
në atelietë e modës Paris në '30-ën

Fotot e rralla princeshat shqiptare<br />në atelietë e modës Paris në '30-ën
TIRANE- Gjatë udhëtimeve të tyre nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë ata shfaqen me veshje e aksesorë të zgjedhur me sqimë. Çfarë zbulon gazetari i viteve ’30-të Zoi Xoxa për vizitat e tyre tek Chanel e Manezh…
 
Ajo që bie në sy nga fotografitë e motrave të mbretit Zog, sidomos kur ato merrnin pjesë në ceremoni të ndryshme, darka, ballo etj, janë veshjet e tyre tejet moderne e të zgjedhura me sqimë. Në fototekën e AQSH, në dosjen nga ku shkëputëm edhe fotot e vizitës së tyre në Gjirokastër gjenden edhe shumë foto të tjera të princeshave në Vlorë, Berat, Durrës, Shkodër etj. Edhe këto foto janë të vitit 1937 dhe me shumë gjasa i përkasin turit të tyre nëpër Shqipëri zhvilluar në shkurt 1937 dhe në shtator të po këtij viti. Fot e zgjedhura për t’ia prezantuar lexuesit sot, lidhen ngushtësisht me pamjen e jashtme të princeshave dhe jo aq me qëllimin e turit të tyre. Fotot zbulojnë princeshat të kuruara deri në detaje, me veshje e aksesorë të zgjedhur me kujdes, që me shumë gjasa, i kanë porositur vetë në atelietë e  modës në Paris.

Se sa të lidhura ishin ato me modën dhe trendet e fundit të saj, e zbulojmë në kujtimet e gazetarit Zoi Xoxa, një detaj prej të cilave e sollëm edhe në prezantimin e fotove të vizitës së tyre në Gjirokastër, detaj që lidhej me fustanet tejet të ngjashme të dy prej princeshave. Sa i frekuentonin atelietë e modës në Paris princeshat, çfarë pëlqenin, me kë këshilloheshin kur porosisnin, si i prisnin drejtuesit e këtyre shtëpive të famshme të modës princeshat shqiptare… Të gjitha këto detaje i gjejmë në kujtimet e gazetarit Zoi Xoxa, mbi vizitën në Paris, ku ishin ndalur, gjatë udhëtimin e tyre drejt vendeve Skandinave.   


Te Shaneli dhe te Manezhi

Nga ZOI XOXA

Pas nja katër a pesë ditësh, që ndodheshim në Paris, princesha Mazhide më tha t’i telefonoja “Shanelit” dhe t’i thosha se kishim ardhur në Paris dhe dëshironim ta vizitonim.

-Kush është “Shaneli”? – pyeta.
-Si, more, nuk ditke as “Shanelin”? – m’u përgjigj ajo duke ia plasur gazit. – Po “Shanelin” e njeh gjithë bota. Këtu në Paris vijnë njerëzit vetëm për “Shanelin”. Edhe ne disa herë kemi ardhur vetëm për “Shanelin”. Hajt, telefonoji.

Zbrita poshtë në banak, mora librin e telefonave, gjeta numrin e “Shanelit” dhe i thashë se princeshat e Shqipërisë kishin ardhur në Paris dhe dëshironin t’i bënin një vizitë. Në ç’orë do të ishte i lirë?
M’u përgjigj duke m’u lutur t’u paraqisja homazhet princeshave mbretërore, duke qenë kurdoherë në dispozicion të tyre. Në orën pesë pasdreke, “Shaneli” do të ishte i çelur vetëm për Princeshat.
E kuptova menjëherë se ai do kishte pasur shumë “përfitime” prej tyre që të sillej me aq fisnikëri.

Pikërisht në orën pesë, vetura na zbriti përpara “Shanelit”. Ishte një bina e madhe katërkatëshe e cila, nga jashtë, nuk dallonte nga ndërtesat e tjera të Parisit. Në hyrje na priti drejtori vetë. U puthi dorën princeshave me reverencën më të madhe dhe filloi t’u bënte një mijë komplimente me një frëngjishte shumë “guturale” sa s’e kuptoja dot as unë. Natyrisht ato i thoshin “Ui, Ui”, pa kuptuar asnjë fjalë nga ç’po dërdëlliste ai dhe ktheheshin nga unë dhe më pyesnin: “Po ç’po thotë ky, more? Unë u përktheja shkurt ndonjë frazë, po mendjen e kisha gjetkë.

S’më kishin parë sytë gjer atëherë një bukuri të tillë: muret dhe dyert ishin krejt pasqyrë, sa njeriu nuk dinte nga të hynte e nga të dilte, shkallët dhe dhomat ishin shtruar me një qilim të trashë kadifeje bojë vishnje sa këmbët të fundoseshin si në pambuk dhe nuk i ndjeje fare çapet e tua; tavanet ishin zografisur me perëndesha mitologjike, që mbanin në kokë kurora dhe në dorë degë dafinash dhe me lloj-lloj piktura të tjera shumë të bukura.

Pasi kaluam një sërë dhomash, që komunikonin me njëra-tjetrën, më në fund drejtori na shpuri në një sallon të madh, edhe ky me mure pasqyrash dhe me qilim kadifeje. Në fund të këtij salloni ishte ngritur një skenë madhështore, e mbuluar nga një perde e hollë, që mua m’u duk e mëndafshtë. Poshtë skenës nja pesë a gjashtë poltrona të gjera me shpinëza të praruara, të radhitura në formë patkoi.
Drejtori u bëri shenjë princeshave të uleshin në ato poltrona. U ula edhe unë pas princeshës Maxhide, që ishte më e vogla.

Ishim në nëntor. Jashtë bënte ftohtë acar, por neve këtu sikur na merrej fryma nga të nxehtit, sado që gardërobierja në hyrje ua kishte marrë atyre peliçet dhe mua pallton e madhe – kaloriferi ishte nxehur sa të dilnin djersë.

Në një shenjë të drejtorit, perdja e mëndafshtë u hap dhe në skenë dolën nja njëzet a tridhjetë vajza, të veshura me lloj-lloj kostumesh, duke mbajtur nga një numër në dorën e djathtë. Ato zbritën rëndë-rëndë nga skena, u afruan te ne, rrotulloheshin me ngadalë dhe me hijeshi për një copë herë, me qëllim që t’i kundronim mirë. Kështu me radhë, njëra pas tjetrës.
Nganjëherë princesha Maxhide kthente kokën nga unë dhe më pëshpëriste në vesh:

-A të pëlqen ky fustan?
I thashë sinqerisht se unë s’kuptoj nga “moda”.
-Po ç’shikon kaq i habitur atëherë?
-Shikoj vajzat. Ku i paskan gjetur kaq të bukura, me tërë këtë trup...
-Javash, se mos na kupton ai që kemi prapa... (Donte të thoshte për drejtorin). Pa në Tiranë ta ndreq unë qejfin: kam për t’ia tregue zonjës të gjitha...
-Ajo do linte mendjen, po t’i shikonte...

Por ndërkaq drejtori po dërdëlliste, duke shpjeguar cilësitë e fustaneve dhe herë pas here më drejtohej mua dhe më thoshte:
-Ju lutem shumë, kini mirësinë t’u shpjegoni Princeshave se ky është fustani i modës së fundit dhe bëri shumë bujë në Angli ku e veshi për herën e parë Princesha Margaret...
Unë ua përktheja, po vura re se ato nuk u besonin fjalëve të tij: Donin të zgjidhnin pas shijes së tyre dhe jo pas rekomandimit të tij.

Më në fund princesha Ruhije pëlqeu një fustan, u këshillua edhe me të motrat të cilat, pas shumë çuçuritjesh midis tyre, vendosën të porosisnin të trija nga një si ai, po me disa ndryshime.
Ia shpjegova drejtorit duke pasur modelen përpara meje. Atëherë ai thirri piktorin, i cili mbante në krahun e majtë një letër të trashë vizatimi mbi një dërrasë të madhe dhe në dorën e djathtë një penel. Kur mësoi dëshirat e princeshave, aty për aty ai e pikturoi atë fustan me ndryshimet që dëshironin ato.

Që nga kjo ditë “Shaneli” m’u bë burri i nënës: ditë për ditë, në orën pesë pasdreke, do shkonim medoemos te “Shaneli”. E drejta është që, tri-katër ditët e para unë shkova me kënaqësinë më të madhe, sidomos se më tërhiqte bukuria e atij ambienti dhe më shumë ato vajza aq të bukura. Po pastaj fillova të mërzitem: isha velur tashmë edhe me vajzat, edhe me atë mjedis mbytës, me atë të nxehtë që të merrte frymën. Mirëpo s’kisha ç’të bëja: për ato tërë Parisi nuk vlente sa “Shaneli”.

Njëherë tjetër më thonë t’i telefonoja “Manezhit”. Unë s’e dija ç’ishte ky “Manezh”, po këtë radhë s’e bëra veten që të qeshnin ato me injorancën time. Mora librin e telefonit dhe gjeta numrin. Edhe drejtori i “Manezhit” i njihte mirë, se m’u përgjigj tamam si drejtori i “Shanelit” dhe më caktoi orën 11 para dite.

Në orën 11 shkuam në Manezh. Drejtori na priste te dera dhe, me reverenca e katikule, i përcolli princeshat gjer në gardërobë. Pas pak ato dolën të veshura me kilota dhe me kamxhik në dorë. Vura buzën në gaz kur i pashë të veshura në atë mënyrë. Po me kilota i kisha parë edhe në Tiranë ku, të veshura si oficere, Xhemal Aranitasi i ushtronte, në Fushën e Sportit, të bënin talim, po ato në asnjë mënyrë nuk i hidhnin dot këmbët sipas muzikës ushtarake. Po atëherë nuk e di pse nuk më kishin bërë përshtypjen e hidhur që po më bënin tani, mbase sepse atëherë i shikoja nga larg, nga shumë larg, kurse tani po i shikoja fare afër.

-Po ti nuk do t’i hipësh kalit? – më pyeti princesha Myzejen duke më shkuar pranë dhe duke i rënë çizmes më kamxhik.
-Jo, do t’ju bëj sehir juve, - iu përgjigja me një ironi, që ajo s’e kapi dot dhe shkoi duke qeshur pas drejtorit, që po i udhëhiqte në stallë, ku do të zgjidhnin kalin që dëshironin.
Manezhi ishte si një barakë shumë e madhe, e mbuluar me xhamllëk, e shtruar përdhe me kum e rërë.

Në fund kishte një sërë lozhash për spektatorët. Në një nga këto lozha u futa unë për të bërë sehir.
Nga një derë shumë e madhe, që ndodhej më të djathtë dolën të trija të hipura në disa kuaj katana. Edhe drejtori qe veshur me kilota dhe hyri në mes të arenës, duke mbajtur një kamxhik lëkure në dorë. Ai u jepte urdhër të tre kuajve të ecnin në galop, të ecnin përpara, të ktheheshin pas, të ngriheshin kas, po më interesante ka qenë kur vura re pengesa një metër apo një metër e gjysmë të larta dhe me një “hop!hop!” i urdhëronte kuajt t’i kapërcenin.

Princeshat u mbaheshin mirë kuajve, kurse unë kujtova se do të rrëzoheshin dhe do të dëmtoheshin. Po Ndoc Kurti duket se kishte bërë në Tiranë punë të madhe, se i kishte mësuar të mbaheshin për bukuri dhe t’i kapërcenin ato pengesa si pa gjë të keq.
Dolën nga Manezhi të kënaqura dhe të fryra si gjela deti. Maxhidja s’e mbajti dot veten dhe, kur hymë në veturë, më pyeti:

-Po ti a i mbahe dot kalit si ne?
-Jo, - u thashë – ju të trija më jeni dukur sot si tri amazona.
Natyrisht nuk e kuptoi këtë fjalë të fundit, po e mori me mend se do të ishte fjalë e mirë, se vuri buzën në gaz me mburrje.
Në hotel “Vendôme”, në sallën e pritjes gjetëm princ Abidin, të cilin ato e kishin ftuar për drekë. Ai ishte veshur thjesht, me një kostum gri. Mua kishte filluar të më hynte në zemër, ky i biri i sulltan Hamitit. Ishte shumë i thjeshtë, modest, tamam parizian. As e kujtonte ndonjëherë gjakun e tij perandorak. Kishte ikur i vogël nga Turqia dhe ishte rritur në Paris, ku kishte mbaruar fakultetin e Drejtësisë.

Ekonomikisht mbetur shumë ngushtë dhe Jak Koçi, deputet i Shkodrës, që e çonte më shumë jetën në Paris, kishte mundur t’ia mbushte mendjen që të merrte të motrën e Zogut, Senijen, dhe nënshtetësinë shqiptare. Abidi u rrinte shumë larg princeshave, me një distancë diplomatike të heshtur. Ishte me trup të shkurtër, miop dhe mbante syze të rënda. Ishte gjakftohtë dhe fjalëpak. I sjellshëm sa mund të jetë një parizian. Nuk i pëlqenin lëvdatat dhe komplimentet.

Mbaj mend se, kur u takova për herën e parë, nuk dija se ç’titull t’i jepja. I dhashë titullin “excellence”! - por ai ma preu shkurt:
-Zotëri, më thoni se keni mbaruar Drejtësinë. Pra, jemi kolegë, donc des monsieurs.
Dhe që atë çast e quajtëm njëri-tjetrin me titullin e thjeshtë “zotëri”.

Pas disa takimesh, ku kishin folur për gjëra të përgjithshme, princ Abidi nisi të më fliste edhe për gjëra intime. Më tha një ditë se do të bëja një punë shumë të mirë sikur t’i këshilloja princeshat të ishin më modeste në veshje dhe në të sjellur. Ne jemi në një shekull demokracie, ku pozat “aristokratike” nuk shkojnë aspak dhe, këtu në Paris sidomos, bëhen qesharake.
Iu përgjigja se në asnjë mënyrë nuk mund t’i këshilloja. Në këto pak ditë, që jam me to, kam kuptuar se ato duan t’i ndihmosh në trillet,  jo “këshilltarë”.
-Keni të drejtë, zotëri, - më tha. – Edhe mua më kanë marrë inat, se kam guxuar t’i “këshilloj”.

Kur e pashë mirë thjeshtësinë dhe çiltërsinë e tij, fillova t’i qaj hallin, më parë me aluzione dhe nënkuptime, më vonë haptazi:
-Zotëri, këtu në Paris, fundja, jemi “incognito” dhe nuk biem kaq shumë në sy, por pisk do ta kem në udhëtimin zyrtar në Danimarkë dhe në Suedi.
 
MODA

























MODA















principeshat paris

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo i përgjigjet Gjikurisë: Votuesit me kartë të skaduar ishin të mitë dhe të tutë! Rezultati, produkt i vullnetit të qytetarëve

Vangjel Tavo i përgjigjet Gjikurisë: Votuesit me kartë të skaduar ishin të mitë dhe të tutë! Rezultati, produkt i vullnetit të qytetarëve