KAVAJË- Me ardhjen e komunizmit në vendin tonë në vitin 1944, filloi një propagandë e pastër antifetare. Lufta ndaj klerit mysliman, katolik e ortodoks u konsolidua në shumë aspekte, derisa arriti kulmin e saj më 6 shkurt të vitit 1967, ku pas fjalimit famëkeq të Enver Hoxhës, Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë. Në emër të luftës kundër fesë, shteti komunist në Shqipëri nisi sulmin për prishjen e të gjitha objekteve të kultit, po ashtu ndaloi me ligj predikimin e çdo lloj feje.

Të njëjtin fat pati edhe një xhami në Kavajë e cila në vitet '60-'70 në rrënojat e saj u ngrit një nga fabrikat e shumta të qelqit, nga oxhaku i të cilës dilte tym që ndoste të gjithë qytetin. Por pas rënies së komunizmit pas viteve '90 kjo fabrikë qelqi u bë e famshme për shkak se oxhaku i saj u kthye në minare xhamie. Prej tij nuk dilte më tym, por zëri i hoxhës që thërrisnin besimtarët për të falur namazin. Zhvendosja e funksioneve të këtij objekti ka bërë shumë përshtypje tek të gjithë që vizitojnë Kavajën. Gazetari i Report Tv, Aldo Kozarja  ditën e  sotme ka sjellë disa foto të veçanta të kësaj xhamie minarja e të cilës simbolizon oxhakun e sistemit komunist.

Qyteti i Kavajës njihet si një nga qytete e shumta me shumicë të besimit mysliman në vend dhe gjithashtu njihet si një vend që ruan traditat e hershme. Po ashtu qyteti i Kavajës njihet edhe për pjesën e bashkëjetesës në harmoni të plotë të të gjitha besimeve fetare, ashtu siç ndodh në një pjesë të madhe të vendit tonë.

Ora 21:33
Fotot e veçanta/ Prej oxhakut nuk del më tym por zëri i Hoxhës, fati i xhamisë që komunizmi e ktheu në fabrikë