Kur kanë mbetur më pak se 40 ditë nga Maratona e Tiranës, çdo të martë dhe të premte të gjithë të apasionuarit pas vrapimit do të kenë mundësi që të nisin trajnimin në pistën e vrapimit në Kodrave të Liqenit Artificial.
 
 Ndërmarrjet e Bashkisë së Tiranës kanë nisur menjëherë punën për riparimin e pistës së vrapimit e cila do të ndihmojë jo vetëm ata që do të bëhen pjesë e Maratonës, por njëkohësisht edhe mijëra qytetarëve të cilët preferojnë vrapin në natyrë për një jetë më të shëndetshme.
 
 “Kolegët tanë riparuan pistën e vrapit te liqeni. Tag shokun/shoqen dhe nis stërvitjen për Maratonën e Tiranës çdo të martë dhe të premte më një trajner profesionist. Forca”, shkruan Veliaj në Facebook teksa ka postuar disa foto nga puna intensive për riparimin e pistës së vrapimit.
 
  Bashkia e Tiranës në bashkëpunim dhe me Federatën Shqiptare të Atletikës kanë hapur regjistrimet për të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë që të bëhen pjesë e kësaj gare që do të zhvillohet më 15 tetor.
 
Maratona është konceptuar e ndarë në disa kategori, duke i dhënë mundësi gjithkujt që të sfidojë vetveten dhe të përcjellë tek të tjerët mesazhin për një jetë të shëndetshme përmes sportit.
 
Maratona e Tiranës ka certifikuar itinerarin e saj të ri nga Association of International Marathon and Distance Race dhe është bërë pjesë e shtëpisë botërore të atletikës International Association of Athletics Federations.


dy.b/shqiptarja.com