Drejtori i departamentit të sigurisë në Ministrinë e Brendëshme, Muhamet Rrumbullaku tha mbrëmë se ishte e rastësishme që aid he kolegët e tij ishin në një tavolinë me Frrokun.
E di që nuk jeni pjesë e hetimeve, por ekziston një foto, ndoshta e vitit 2010, ku shfaqeni edhe ju nën shoqërinë e Arben Frrokut.
Po, jam duke ju ndjekur. Reagimi im është fare i prerë dhe i qartë. Nuk kemi asnjë lidhje me z.Frroku. Ka qenë fare rastësisht ne atë tavolinë. Ne kemi qenë në shoqërinë tonë si oficerë policie. Dhe s’ka asnjë lloj njohjeje apo komunikimi tjetër.
Ju nuk keni pasur njohje me Arben Frrokun?
Unë kam qenë në shoqërinë e kolegëve të mi. Kemi qenë që të gjithë bashkërisht dhe nuk kam asnjë lloj njohjeje me Frrokun personalisht.
Z.Vocaj pak më parë pranoi që njihej me të, por edhe ai tha që e kishit takuar rastësisht z.Frroku, por nga foto nuk duket ashtu. Duket që trokisni gotat e z.Kuliçaj po i bie çiftelisë. Duket atmosferë e gëzueshme.
Ajo është thjesht një foto e hedhur në facebook dhe nuk ka të bëjë me asnjë lloj tjetër procesi njohjeje me z.Frroku.
Z. Rrumbullaku, a njiheshit ju me Dritan Lamaj?
Po, patjetër që njihesha. Jemi kolegë të vjetër pune. Është pjesë e departamentit tim të policisë që unë drejtoj.
A ju kishte shfaqur shqetësime që kishte prej kohësh se i kërcënohej jeta, se diçka nuk po shkonte mirë, se ai trembej se mund të vritej?
z.Lamaj në lidhje me problemin, nuk ka shfaqur asnjë lloj ankimi me kërcënimin që mund t’i vinte nga persona që tashmë janë të dyshuar si autorë të ngjarjes së rëndë, të vrasjes së kolegut tonë. Kjo është e vërteta.
Pra, nuk ka shfaqur shqetësime tek ju?
Jo.
Policia e Shtetit është trembur shumë pas vrasjes së Dritan Lamajt. Madje pak minuta më pas, në celularin e një tjetër drejtuesi policie ka mbërritur një mesazh kërcënues. Si e komentoni ju këtë? Çfarë po ndodh me policinë e shtetit? Përse ajo nuk po mbron dot veten?
Policia e Shtetit nuk është e trembur fare në lidhje me rastin. Ajo është një ngjarje për të cilën po hetohet nga një grup i posaçëm hetimor. Absolutisht që do të zbardhen të gjitha motivet dhe i gjithë rrethi i personave të dyshuar që kanë organizuar këtë vrasje kriminale. Dhe të jeni të bindur se në lidhje me fotografinë që na nxirrni para medias dhe para opinionit, nuk ka asnjë lidhje mes drejtuesve të lartë të policisë dhe z.Frroku. Është një fotografi ku oficerët e policisë janë në një ambient absolutisht privat dhe ka ndodhur thjesht rastësisht. Ne jemi oficerë të lartë të policisë. Është viti i 25-të i punës në Policinë e Shtetit dhe më njeh gjithkush. Për të vërtetuar se ç’lidhje kemi ne me të, mund t’i drejtoheni organit të prokurorisë dhe i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm që të nxjerrë tabulatet e telefonit tim personalisht me z.Frroku dhe të gjithë kolegëve të mi, dhe nuk ka asnjë lidhje që nga ai moment me të e në gjithë jetën time. Edhe të kolegëve të mi.
Si e komentoni heqjen dorë të Tonin Vocajt nga çështja pas bisedës që pati me ne?
Normalisht, ju po na akuzoni publikisht. Dhe ne kemi ndërgjegjen e lartë morale edhe si oficerë, edhe para gjakut të kolegut tonë, për të thënë që ne jemi të hapur dhe të çiltër për të na hetuar për cilindo. Por ju nuk mundeni në asnjë rast dhe në asnjë moment të cenoni publikisht figurën tonë si oficerë të ndershëm të Policisë së Shtetit.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 28 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)











