Fotot me oficerin Fatos Lushi
Ylli Shehu: Takimi, rastëso

Fotot me oficerin Fatos Lushi<br />Ylli Shehu: Takimi, rastëso
Deputeti i LSI-së, Ylli Shehu ka reaguar përmes një deklarate për shtyp lidhur me fotot e botuar nga media ku ai shfaqet në disa raste së bashku me oficerin e policisë gjyqësore, Fatos Lushi, i arrestuar për korrupsion mbrëmjen e djeshme. 

Shehu kërkon përgjegjësi maksimale për të akuzuarit, dhe sqaron që lidhja e tij me oficerin është rastësore dhe për shkak të marrëdhënieve të tij me elektoratin.  

"Fotoja është bërë me rastin e një ditëlindje ku Deputeti ka qenë i ftuar dhe ka bërë foto edhe me shumë persona të tjerë të pranishëm, sikurse edhe personi i dyshuar. Në këtë kuadër, kjo foto nuk tregon asgjë më shumë sesa kjo dhe se z. Shehu dënon ashpër çdo veprim të paligjshëm që kryhet nga cilido dhe kërkon institucioneve përkatëse të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin", thuhet në reagimin e deputetit të LSI, Ylli Shehu. 

ylli shehu fatos lushi
(Oficeri Fatos Lushi dhe deputeti Ylli Shehu)

Deklarata e deputetit Ylli Shehu:
Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ylli SHEHU në vijim të transmetimit të videos mbrëmë në emisionin “STOP” në TV KLAN dhe titujve të disa portaleve dhe faqeve të internetit të medias elektronike dhe të shkruar, dëshiron të ndaj me publikun dhe median e nderuar, qëndrimin e tij në lidhje me këtë ngjarje të rëndë dhe aludimet e ngritura në lidhje me një miqësi të mundshme midis deputetit dhe njërit prej të dyshuarve OPGJ Fatos Lusha.
1. Deputeti Ylli SHEHU, dënon rëndë këtë ngjarje të shëmtuar dhe u kërkon organeve përgjegjëse që sipas ligjit të hetojnë dhe të marrin në përgjegjësi penale çdo person të përfshirë në këtë ngjarje. Z. Shehu si anëtarë i Grupit Parlamentar të Partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim” (LSI), është rreshtuar dhe do të rreshtohet gjithnjë në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve. Kontrata që z. Shehu ka me zgjedhësit e tij, është e bazuar mbi parimet themelore demokratike dhe asgjë nuk do mund ta ndalojë atë në përpjekjen e tij për zgjidhjen e problemeve dhe adresimin e shqetësimeve të qytetarëve.
2. Lidhur me foton që qarkullon në të cilën shfaqet z. Shehu dhe një nga personat e dyshuar për ngjarjen e transmetuar mbrëmë, sqarojmë se z. Shehu ka lindur në Buzë-Madhe të Kukësit dhe është bir i familjes së madhe të nderuar nga e gjithë zona dhe më gjerë, e z. Vesel SHEHU (babai i deputetit) dhe Gjyshit të tij, të ndiere z. Ismail SHEHU. Kjo familje prej shumë dekadash është shndërruar në një vend mikpritje për të gjithë qytetarët e RSH që vizitojnë fshatin Buzë-Madhe dhe konkretisht familjen dhe varrezat e të parëve të tij. Nga ana tjetër, shtetasi Lusha është nip në fshatin Buzë-Madhe. Në këtë kuadër, deputeti z. Shehu, mban kontakte të vazhdueshme me banorët e vendlindjes së tij dhe me gjerë, duke takuar vazhdimisht njerëzit pa dallime partiake dhe duke u ulur gju më gjunjë për të dëgjuar shqetësimet dhe problemet e tyre. Në këtë, kuadër fotoja është bërë me rastin e një ditëlindje ku Deputeti ka qenë i ftuar dhe ka bërë foto edhe me shumë persona të tjerë të pranishëm, sikurse edhe personi i dyshuar. Në këtë kuadër, kjo foto nuk tregon asgjë më shumë sesa kjo dhe se z. Shehu dënon ashpër çdo veprim të paligjshëm që kryhet nga cilido dhe kërkon institucioneve përkatëse të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin.
3. Në të njëjtën kohë, z. Shehu falënderon dhe mbështet fuqishëm median për denoncimin e rasteve të korrupsionit dhe çdo shkelje tjetër ligjore. z. Shehu do të jetë gjithmonë në mbështetje të medias së pavarur, të përgjegjshme dhe profesionale. Në këtë kuadër, me mirësjellje vë në dukje që aludimet e ngritura nëpërmjet titujve që synojnë tërheqjen e lexuesve nuk i shërbejnë misionit të medias dhe cënojnë rëndë etikën e profesionit fisnik të gazetarit. Në këtë kuadër, do ishte në nderin e mediave që në kuadër të misionit të tyre fisnik të mos cënonin tërthorazi apo drejtpërdrejtë pa të drejtë dinjitetin e një deputeti dhe të asnjë qytetari.
Duke shpresuar në mirëkuptimin e medias, z. Shehu, shpreh edhe njëherë përkrahjen e tij ndaj medias për denoncimin e rasteve të tilla dhe inkurajon të gjithë institucionet përkatëse të hetojnë këtë ngjarje dhe të nxjerrin para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.
Me respekt

Ylli SHEHU
Deputet i Kuvendit të Shqipërisë



Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 39-vjeçarja godet policin dhe punonjësin e sigurisë në spitalin e Traumës, vihet në pranga

Tiranë/ 39-vjeçarja godet policin dhe punonjësin e sigurisë në spitalin e Traumës, vihet në pranga