Fqinjët, Milo: Ka marrëveshje
antikombëtare me ta

Fqinjët, Milo: Ka marrëveshje <br />antikombëtare me ta
TIRANE - Në një intervistë për gazetën "Shqiptarja.com" kreu i PDS Paskal Milo është shprehur se individë të caktuar kanë bërë marrëveshje antikombëtare vetëm për hir të interesit të tyre. Ai thotë se me PS pritet të nënshkruhet marrëveshja e koalicionit për 2013-tën.

Duket sikur koalicioni opozitar po merr formë e PS është shprehur se do ketë marrëveshje të shkruar me aleatët...?
Përsa kohë që flasim për koalicione, gjithmonë ato ndërtohen mbi bazën e një marrëveshjeje. Këtu s'do bëjë përjashtim as ndërtimi në mënyrë institucionale i koalicionit opozitar për të shkuar sëbashku në zgjedhje dhe për t'i fituar prap sëbashku ato. Besoj se gjatë javës së ardhshme do të ketë hapa konkretë në drejtim të këtyre marrëveshjeje, që besoj se do të jenë dypalëshe, çdo parti me PS do ketë marrëveshjen e vet. PDS tashmë e ka përcaktuar qëndrimin e vet, që do të jetë pjesë e koalicionit opozitar e që do të zhvillojë bisedime me PS, të shpresojmë të suksesshme, për të bërë një marrëveshje që në radhë të parë do t'i shërbejë fitores sonë të përbashkët dhe që do të jetë në të njejtën kohë dhe një marrëveshje që do të garantojë bashkëpunimin jo vetëm elektoral por dhe atë qeverisës nesër.

Diçka më konkrete...?
S'mund të flas që tani për klauzolat e kësaj marrëveshjeje, por vetëm mund të deklaroj në parim që ajo do të jetë transparente, e negociueshme e do synojë të garantojë efikasitetin më të madh të mundshëm të bashkëpunimit për të ndërtuar fitoren në zgjedhjet e ardhshme. Ajo çfarë ne shikojmë e do të kërkojmë tek marrëveshja e ardhshme do jetë krijimi i frymës së besimit reciprok, krijimi i frymës opozitariste, optimiste të bazuar në punën e përbashkët të strukturave tona politike në të gjitha qarqet.

Si më 2009...?
Dua të nënvizoj se do të ishte e gabuar nëse përsëritej taktika fatkeqe dhe e dëmshme e vitit 2009, kur PS nga njëra anë na konsideronte formalisht aleatë, nga ana tjetër na sulmonte për të na asgjësuar, duke kontrbuar kështu, jo vetëm në përjashtimin tonë të pamerituar nga Kuvendi i Shqipërisë por dhe duke vetëasgjësuar fitoren e saj. E them këtë sepse ka shumë rëndësi se si do të ndërtohet fryma e bashkëpunimit këtë herë. Aty do të jetë dhe njëri nga çelësat ose të fitores ose të humbjes. Prandaj këmbëngul që fryma e bashkëpunimit, e respektit reciprok duhet të mos qëndrojë vetëm në nivelet e larta politike të dy partive, por duhet të transmetohet dhe poshtë në bazë, në marrëveshjet e partive tona në rrethe e qarqe. Sepse në fund të fundit janë pikërisht njerëzit tanë në bazë që do të mbajnë peshën e rëndë të fushatës elektorale dhe ku mirëkuptimi e ndarja e detyrave midis tyre është e një rëndësie të veçantë për suksesin në arritjen e fitores. S'do pretendoja që gjithçka do të mund të perceptohet si e përkryer në këtë bashkëpunim, sepse ka dhe interesa që nuk pajtohen kur vjen fjala për luftën për pushtet ose për karrigen e deputetit. Pasi ka edhe individë të veçantë që, pavarësisht nga fryma dhe udhëzimet që mund të jepen nga lidershipet respektive, dhe në këtë rast kam parasysh PS, poshtë në bazë ka një sjellje tjetër, ka një uri për të marrë me çdo kusht e me çdo mjet votat duke u nisur nga koncepti i gabuar dhe i vjetër i pronësisë së elektoratit të majtë vetëm nga një parti dhe duke krijuar kështu potencialisht një rrezik për mungesën e një klime të shëndetshme në marrëdhëniet mes dy partive.

Eshtë paralajmërim për PS ky që të ketë kujdes me aleatët...?
Qënmdrova pak gjatë këtu sepse kemi një përvojë negative, që nuk do të dëshiroja që të përsëritet. Askush nuk duhet që të lakmojë votat e partisë tjetër, sepse në këtë rast nuk ka rëndësi se kush del deputet brenda familjes së majtë, rëndësi ka të rrëzojmë këtë regjim e këtë qeverisje të cilës i ka ardhur koha të shkojë e të lërë vendin të qeveriset nga një ekip i ri, nga një alternativë tjetër që është e freskët, që ka një vizion tjetër, modern, evropian. Alternativë që do ti hapte Shqipërisë një perspektivë të munguar, veçanërisht në dy aspekte: Në ndërtimin përfundimisht të një shqipërie demokratike evropiane në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, në krijimin përfundimisht të një shteti ligjor e të një qeverisjeje që do të mendonte me seriozitetin më të madh për t'u dhënë shqiptarëve shpresë për të dalë nga ajo gropë e zezë e stanjacionit ekonomik, e papunësisë dhe e zhvillimeve totalisht të pastrukturuara të ekonomisë shqiptare.

Duket sikur situata ka dalë jashtë kontrollit me këtë qeverisje, rasti i djeshëm i vrasjes së një kryekomisari policie. Mendoni se është e gatshme opozita për të marrë pushtetin e si po luan ajo?
Opozita është e gatshme të marrë përsipër qeverisjen e vendit. Ajo tashmë ka një përvojë relativisht të mirë në drejtimin e punëve të shtetit. Ka dëshmuar qeverisje të përgjegjshme me një frymë demokratike e liberale, në kundërshtim me qeverisjen aktuale autokratike, që s'ka të bëjë aspak me mentalitet dhe filozofi evropiane, por përkundrazi shfaqet si një zgjatim i regjimeve autokratike lindore, qofshin këto të historisë së shkuar apo të gjeografisë aktuale. Opozita i ka të gjitha kapacitetet profesionale dhe ajo së shpejti do t'u paraqesë shqiptarëve platformën e saj alternative për zhvillimin e Shqipërisë, për kapërcimin e kësaj humnere në të cilën ajo ndodhet aktualisht, pavarësisht nga retushimet me ngjyra që qeveria aktuale përpiqet ti bëjë këtij realiteti të prekshëm dhe të dhimbshëm shqiptare. Gjithkush e di e çmon situatën ekonomike të vendit, duke u nisur në radhë të parë nga shtëpia e vet e nga dyqani, ku përditë shkon e blen mallrat e jetës së përditshme, ku përditë ballafaqohet me rritjen e çmimeve e që përditë e ka parë se si kostoja e jetesës është rritur. Sigurisht që këtë nuk e dinë ata që e kanë për detyrë të bëjnë sikur nuk e dinë dhe të mashtrojnë qytetarët shqiptarë me arritjet imagjinare, që ndodhen në vetëm në mendjen e qeveritarëve tanë, për shifra që shpikin për konsum politik dhe elektoral të ditës.

Po krimi, sa ndikon...?
Eshtë për të ardhur keq, këtu s'është fjala për të bërë politikë opozitare, por është fakt që krimi i rrugës, ai ordiner por dhe ai i organizuar gjatë viteve të fundit dhe në mnyrë të veçantë gjatë kësaj qeverisjeje, ka ardhur gjithnjë e më shumë duke u bërë më i pranishëm në jetën e përditshme shqiptare. Sot s'dëgjon se çfarë punohet, çfarë prodhohet, çfarë arrihet në Shqipëri. Kronikat televizive apo ato të shkruara janë përgjithësisht të dominuara nga krimi, vrasjet, grabitjet. Kjo ndodh në mënyrë të veçantë kur shteti ka rënë ose është duke rënë e institucionet e tij të ndodhura në krizë, nuk janë në gjendje që të përballojnë krimin qoftë atë individual e qoftë atë të organizuar. Kjo sepse krimi bëhet më i fortë se shteti, më i organizuar se shteti dhe është gjithnjë hapa përpara në raport me të. Këtë e dëshmojnë fare mirë krimet e mëdha, që mund të quhen krime të shekullit, të paktën referuar Shqipërisë, siç ka qënë krimi në Gërdec. Ka kaluar gati 4 vjet dhe akoma për turpin e kësaj drejtësie që kemi nuk po dënohen fajtorët që janë në bankën e të akuzarve, por dhe ata që i kanë shpëtuar përkohësisht drejtësisë. Nuk po dënohen ende ata që vranë para më shumë se tre vjetësh 4 punonjës të policisë në detyrë në Durrës, që është e pafalshme. S'po dënohen ende, madje po shkohet në të kundërtën, përgjegjësit që vranë përsëri katër qytyetarë të pafajshëm në bulevardin "Dëmshmorët e Kombit" në mes të ditës dhe mes kryeqytetit, Nuk po përfundojnë kushedi sa gjyqe të tjera ose hetime rreth vrasjeve të panumërta që po bëhen, siç janë hetimet për gjyqtarin Skerdilajd Konomi që u vra në mes të Vlorës apo dhe shumë të tjerë. Dhe rasti më i fundit, vrasja e kryekomisarit të policisë së Shijakut, që ndodhi nga autorë të njohur, të skeduar të penalizuar por që drejtësia shqiptare si në shumë e shumë raste të tjera, i ka nxjerrë të pafajshëm. Pra lufta kundër krimit është një dështim spektakolar për këtë qeveri dhe kaq do mjaftonte të binte i gjithë kabineti qeveritar.

Korrupsioni është ende një problem...?
Nëse u akuzua dikur qeveria e Fatos Nanos dhe u penalizuar me të drejtë pjesërisht nga shqiptarët më 2005, çfarë mund të thuhet për qeverisjen e sotme, ku shitja e pronës shtetërore, kombëtare është bërë normë, ku grabitja është bërë gjithashtu normë. Madje aftësia, cilësia dhe shkathtësia e qeveritarëve të të gjithë niveleve matet me sasinë e vjedhjes që i bëhet pronës shtetërore, matet me grabitjen e sofistikuar të pasurisë së qytetarëve, dhe që ende mund të thuhet se në këtë aspekt jo vetëm që s'ka hap përpara, por përkundrazi i krahasuar me vitet e shkuara hapat në fushën e korrupsionit në të gjitha nivelet janë më të mëdha.
Ky fenomen s'mund të luftohet me qeveritarë apo trashëgimtarë që kanë bërë pasuri në mënyrë të paligjshme e golopante brenda disa vjetësh. Të gjithë i shohin shifrat e tyre marramendëse të të ardhurave por për fat të keq thuajse të gjithë heshtin. Askush nuk e bën problem. Si është i mundur që me një rrogë që dihet se sa është, akumulohen të ardhura kaq të mëdha? Ku është shteti, ku është në këtë rast pse jo dhe opozita, që pavarësisht se ka folur duhet të flasë më fort për këtë çështje. Dhe në fund të fundit ku është opinioni publik, shoqëria e famshme civile ku është media që e ka për detyrë zbardhë krimin e vjedhjes së pasurisë kombëtare.

Këtu bëhet fjalë dhe për grabitjen e territorit...?
Mund të them që akoma më keq është po qe se do gërvishet grabitja e madhe e pronës tokësore. Jo vetëm për shkak të një ligji që i penalizoi shqiptarët dhe të ardhmen e Shqipërisë siç është ai 7501, por dhe për shkak të një kanibalizmi të shfrenuar për të vjedhur pronat me dokumente të falsifikuara, jo vetëm me vulen e shtetit por dhe të gjykatave shqiptare. Është krijuar me plot kuptimin e fjalës një mafie e tokës, sidomos në zonën bregdetare të Shqipërisë, nga Ksamili e deri në lart në Velipojë, por veçanërisht në pjesën begdetare më të bukur të vendit, në Vlorë e poshtë ku mafia ka bërë gati dhe projektet për ndërtimin e komplekse turistike, me bekimin dhe të institucioneve të qeverisë. Këto probleme të gjithë i dinë, madje dhe në Bruksel i dinë, por bëhet politika e strucit për interesa të caktuara, të çastit e politike, pa menduar për të ardhmen e këtij vendi.

Bën pjesë dhe shitja e detit këtu...?
Gjithçka që s'bëhet transparente të lë gjithmonë të dyshosh. Pikërisht kështu është vjedhur Shqipëria, kështu është grabitur ajo. S'dua të bëj paralele historike, por një gjë është shumë e qartë dhe e dokumentuar, që individë të veçantë historikë për hir të pushtetit personal dhe të sundimit të tyre kanë bërë gjithmonë marrëveshje antikombëtare me të huajt, padyshim me fqinjët dhe këtu historia mund të fillonte që nga Esat Pashë Toptani, te Ahmet bej Zogolli e me radhë deri më sot.

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm (16 shtator) të së përditshmes SHQIPTARJA.com)

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?



×

Lajmi i fundit

Braçe ‘nxehet’ me opozitën: Kur unë flisja për bujqësinë tallnin menderen, shkoni flini gjumë

Braçe ‘nxehet’ me opozitën: Kur unë flisja për bujqësinë tallnin menderen, shkoni flini gjumë