TIRANË- Fatime Kryemadhi, mamaja e Monika Kryemadhit dhe ish vjehrra e Ilir Metës, ka pastruar qindra mijëra euro të ish çiftit, në blerjen e vilave në zonën e ‘Kodrës së Diellit’ në Tiranë. Ky është vendimi i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, që e ka shpallur fajtore 80-vjeçaren, duke i dhënë një dënim prej 7 vitesh e gjysmë, i ulur në 5 vite burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Por, mbase të ndikuar nga mosha, trupa gjykuese e përbërë nga Etleva Deda, Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka, dënimin e konvertuan në vetëm 2 vite shërbim prove, duke bërë që ish vjehrra e Metës të mos bëjë asnjë ditë burg.
Megjithatë gjetja fajtore e Fatime Kryemadhit, vleftëson nga një trupë gjykuese e GJKKO akuzën e pastrimit të pastrave ndaj 80-vjeçares, vepër të cilën SPAK e ka ngritur si të bërë në bashkëpunim me Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, të cilët po gjykohen me një trupë tjetër gjykuese në proces të rregullt gjyqësor.
Në vendimin e kësaj të enjteje GJKKO nuk e pranoi kërkesën e SPAK për konfiskimin e vilës trekatëshe në emër të Fatime Kryemadhit. Kjo pasuri nuk ishte nën sekuestro dhe është vlerësuar nga gjykata si e ardhur nga burime të ligjshme. Nën sekuestro mbetet vila tjetër, ku jetonte ish çifti Meta-Kryemadhi, e dyshuar si e siguruar përmes pastrimi të parave. Vendimi për të mbetet për t’u marrë në procesin paralel, me të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.
Fajtore në vendimin e 26 nëntorit u gjet edhe mikesha e ngushtë e Monika Kryemadhit, Ema Çoku. Por ndryshe nga akuza e ngritur e SPAK, pastrim parash, gjykata ka vendosur ta dënoje për pengim të drejtësisë me 1 vit e 4 muaj burg pas gjykimit të shkurtuar, i konvertuar në 2 vite e 8 muaj shërbim prove.
I pafajshëm është shpallur i pandehuri i tretë dhe i fundit i procesit, Pirro Xhixho, të cilin SPAK e akuzonte për korrupsion pasiv gjatë kohës kur drejtonte AKEP-in, pasi sipas akuzës kishte favorizuar kompani të lidhura me biznesmenin Adrian Shatku, pas ndërhyrjeve të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Edhe ky vendim mund të ketë ndikim në proces paralel që bëhet ndaj ish drejtuesve të ish Lëvizjes Socialiste për Integrim, si një nga 2 episodet e korrupsionit pasiv.
Vendimi i kësaj të enjteje është i apelueshëm në shkallën e dytë të GJKKO, si nga të pandehurit ashtu edhe nga SPAK. Ndërkohë vijon gjyqi ndaj Metës dhe Kryemadhit, nën akuzë të dy për korrupsion, pastrim parash në bashkëpunim si dhe fshehje pasurie.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
-
Gjyqtare te koruptuar,Bande e Argites,Po ky Xhixha ka qene shume mik i Metes
Përgjigju -
Të bëfsha SPAKun dhe drejtësinë e re pra! Kjo është vidhni, vidhni sa të doni, se pastaj do ti gëzoni!!!
Përgjigju -
Keto jan me gjykim te shkurtuar me pak fjale kan pranuar vepren penale dhe prap i kthehet pasuria. Si mund ti kthesh pasurine nje personi qe pranon vepren penale. Rrumpalle shqiperi thuaj
Përgjigju -
Domethene hajdutet me hajdutet, festojne me hajdutet ne kurriz te taksapaguesve. Poshte regjimi narco komunist.
Përgjigju




Komente
Komento