TIRANE- I arratisuri nga burgu i Drenovës Fran Marashi, është paraqitur në gjykatën e Tiranës, nën masa të forta sigurie, duke kërkuar rihapjen e dosjes së masakrës së Urës Vajgurore, ngjarje për të cilën ai është dënuar me burgim të përjetshëm. Marashi ka rëfyer para gjyqtares Ardiana Bera, se është dënuar padrejtësisht dhe se në kohët kur gjykata ka dhënë vendimin, ai nuk ka pasur dijeni se ndaj tij zhvillohej një proces hetimor. “Mua nuk më ka njoftuar askush, as prokuroria as dhe gjykata. Vetëm kur më kanë arrestuar dhe më ekstraduan në Shqipëri, mësova se isha dënuar me vendim të formës së prerë nga drejtësia Shqiptare.

Po jua them se nuk ka kryer asnjë krim në jetën time, dhe skam vrarë asnjë person në masakrën e Urës Vajgurore. Kam qënë shofer i familjes Protoduari, por nuk jam përfshirë në asnjë vrasje dhe këtë e provoj me 7 dëshmitarë që kanë qënë të pranishëm në atë ngjarje. Unë kërkoj të më bëhet një gjykim i drejtë dhe të jem vetë prezent”-ka deklaruar në gjykatën e Tiranës Fran Marashi. Pas dëgjimit të këtij rëfimi dhe pretendimeve të avokatit Baftjar Rusi, gjyqtarja Ardiana Bera,ka shpallur moskopetencën, duke referuar dosjen në Gjykatën e Lartë.

Kërkoj falje
Gjatë fjalës së tij, Fran Marashi i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për falje, për të gjithë familjarët e policëve që janë arrestuar në burgun e Drenovës. “I kërkoj ndejsë anëtarëve të 22 familjeve të punonjësve të policisë në burgun e Korçës, për problemet që i ka shkatuar arratisja ime”-është shprehur Marashi. Fran Marashi është akuzuar dhe dënuar me burgim të përjetshëm si anëtar i bandës që shkaktoi masakrën e Urës Vajgurore në vitin 1997. Marashi është ekstraduar nga Italia në vitin 2007, ndërsa dy vite më vonë, ai tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit bashkë me Preng Lleshin, anëtar tjetër i bandës së Urës Vajgurore. Ai ka deklaruar në gjykatë se është arratisur nga burgu vetëm për të tërhequr vëmendjen që çështja e tij të rihapet.

GJYKATA E LARTE
Pritet që kërkesa penale e Fran Marashit të shqyrtohet nga një kolegj i Gjykatës së Lartë. Do jetë pikërisht kjo gjykatë që do vendosë nëse do pranojë ose jo, kërkesën e Marashit, për rihapjen e dosjes së tij, duke bërë që ai të rigjykohet sërisht për akuzat e vrasjes së 5 policëve dhe plagosjen e 6 të tjerëve.

Shkrimi u publikua sot (13.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)