PARIS- Presidenti francez, Francois Hollande tha se tani recesioni po "kërcënon identitetin e vërtetë të Europës".

Duke folur në një konferencë shtypi në Paris, ai tha se kriza financiare tani ishte nën kontroll dhe "prapa nesh", por "ajo çfarë ka goditur Europën është një recesion, provokuar nga politikat shtrënguese".

Hollande foli një ditë pasi të dhënat ekonomike treguan se Franca kishte rënë në një recesion të lehtë.

Ai tha se do të mbështesë për krijimin e një qeverie ekonomike të Eurozonës me një kryetar të saj. Kjo qeveri do të ketë si qëllim harmonizimin e taksave europiane dhe ndarjen e borxheve sovrane.

Gjermania ka këmbëngulur për shumë kohë se BE-ja nuk është e gatshme për të ndarë borxhet, një masë që ekspertët thonë se do të kërkojë ndryshimin e Traktatit.

"Nëse Europa nuk do të marrë masat e duhuara ajo do të gremiset ose do të fshihet nga harta e botës", tha Hollande duke shtuar se “Detyra ime është që të nxjerrim Europën nga kjo “përgjumie”.

Më pas Hollande tha se ky ishte një "sinjal i mirë", pasi Komisioni Europian ka "filluar të kuptojë rreziqet dhe kërcënimet" e masave shtrënguese fiskale.

Ai gjithashtu i bëri thirrje BE-së që të vazhdojnë masat e planifikuara për të luftuar papunësinë e të rinjve, e cila ka arritur nivele rekord në Greqi dhe Spanjë.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)