Franca ka paralajmëruar sekretarin e thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, se marrja e Groenlandës do të ishte “kalim i vijës” dhe mund të rrezikonte marrëdhëniet tregtare me BE-në.
Në një intervistë me Financial Times, ministri Francez i financave, Roland Lescure, u pyet nëse BE do të kundërpërgjigjej me sanksione tregtare hakmarrëse nëse Donald Trump do të pushtonte Groenlandën.
"Padyshim, nëse kjo do të ndodhte, ne me siguri do të ishim në një botë krejtësisht të re dhe do të na duhej të përshtateshim në përputhje me rrethanat.", theksoi ai.
BE-ja po përdor të gjitha fuqitë e saj diplomatike për të bindur Trumpin për rreziqet e ambicieve të tij për Groenlandën, me Lescure që nënvizon rëndësinë e vazhdimit të dialogut me SHBA-në pavarësisht shumë dallimeve të tyre, duke përfshirë tarifat për çelikun dhe përplasjet mbi rregullimin e teknologjisë,
“ Kur nuk biem dakord, është gjithmonë më mirë të qëndrojmë të angazhuar dhe kjo është ajo që po bëjmë. Dialogu duhet të vazhdojë për sa kohë që nuk kalohen vijat që nuk duhen kaluar ”, tha ai, duke vënë në dukje se SHBA-të dhe Franca kanë qenë aleatë të ngushtë për 250 vjet.
Ministri u shpreh se Bessent, të cilin e takoi të hënën në Uashington, i tha se SHBA-së “nuk i pëlqejnë gjobat” , një referencë për gjobën e fundit prej 120 milionë eurosh për X të Elon Musk.
Danimarka, që zotëron ishullin gjysmë-autonom të Arktikut të pasur me minerale, është duke rritur praninë e saj ushtarake në dhe përreth Groenlandës. Ky shtet i Bashkimit Evropian është edhe anëtar i NATO-s dhe Danimarka ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e NATO-s nëse SHBA-ja vazhdon me kërkesën e saj për ta marrë ishullin.
Komente










