Ndërsa qeveritë perëndimore janë përqendruar në mijëra vullnetarë meshkuj që luftojnë përkrah ISIS në Siri dhe Irak, zyrtarët e sigurisë në Evropë kanë dhënë alarmin për shumë femra që i janë bashkuar xhihadistëve.
 
Franca, e cila është shtëpia e komunitetit më të madh mysliman në Evropë beson se shumë qytetarë të saj janë ekstremistë. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, pothuaj 1 mijë qytetarë francezë janë atje ose janë në përpjekje për të shkuar në Irak dhe Siri. Midis tyre janë edhe dhjetëra vajza dhe gra të reja nga Franca, të cilat janë joshur nga premtime për punë humanitare.
 
Sipas ekspertëve, ato vijnë nga të gjitha shtresat, emigrantë, të bardhë dhe me ngjyrë, vijnë nga zonat rurale apo edhe urbane. Një antropolog francez, i cili ka shkruar edhe një libër mbi këtë temë, thotë se njeh të paktën 130 familje të prekura nga radikalizmi i fëmijëve të tyre. Sipas tij, deri më tani, islami radikal kishte prekur kryesisht djem, ata që cilësohen si ‘të ndjeshëm’, ku hyjnë të papunët dhe me probleme familjare.
 
Tashmë, sipas tij, janë bërë problem edhe femrat. Më e keqja është se asnjë vajzë nuk është kthyer e gjallë prej andej. Gratë kanë pak shpresë të ikin, nëse ndryshojnë mendje. Ata nuk përfshihen zakonisht në luftë, edhe pse shtëpitë e tyre janë zona lufte dhe të ekspozuara ndaj bombardimeve nga avionët luftarakë të koalicionit

Redaksia Online
(Besarta Basha/ Shqiptarja.com)