Franca po shton arsenalin e saj bërthamor. Urdhri është dhënë dhe drejtimi është i qartë: më shumë koka bërthamore dhe më pak transparencë për numrin e tyre.

Lajmin e bëri publik presidenti francez, Emmanuel Macron, nga baza e nëndetëseve bërthamore në Ile Longue, pranë Brestit. Ai tha hapur se ka urdhëruar rritjen e numrit të kokave në arsenalin francez dhe se nga tani e tutje Parisi nuk do të komunikojë më sa të tilla ka në dispozicion. Sipas tij, kjo forcon “paqartësinë strategjike” të Francës.

“Për të qenë të lirë, duhet të jemi të frikshëm, duhet të na e kenë frikën. Dhe për të qenë të frikshëm, duhet të jemi të fuqishëm”, deklaroi Macron. Mesazhi ishte i drejtpërdrejtë: Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për fatin e saj dhe për sigurinë e saj.

Ai paralajmëroi se kërcënimet sot nuk mund të shihen më të izoluara.dhe rreziku është më kompleks se më parë. Në këtë klimë, Macron tha se duhet forcuar parandalimi bërthamor dhe se strategjia franceze duhet parë edhe në dimension europian.

Në planin e tij për “parandalim të avancuar”, Gjermania do të ketë rol kyç. Projektit pritet t’i bashkohen edhe Polonia, Holanda, Belgjika dhe Danimarka. Ideja është një formë më e gjerë bashkëpunimi për mbrojtjen bërthamore në nivel europian.

Macron theksoi se kjo qasje është plotësisht plotësuese me kornizën e NATO-s dhe respekton sovranitetin kombëtar. Sipas tij, sot në lojë është siguria e gjithë Europës./CorrieredellaSera