GJERMANI - Bayern Munich është edhe zyrtarisht kampioni i Bundesligës për sezonin 2025-2026. Bavarezët sigurojnë titullin katër javë para fundit, duke kryesuar me 15 pikë diferencë ndaj Borussia Dortmund të vendit të dytë. Ky është titulli i 35-të në historinë e klubit, duke konfirmuar dominimin e tyre në futbollin gjerman.
Në ndeshjen e sotme ndaj Stuttgart bavarezët triumfuan 4-2 me përmbysje, në një përballje plot ritëm dhe emocione. Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 21-të me Chris Fuhrich, i cili realizoi një gol të bukur me të majtën brenda zonës.
Reagimi i Bayern ishte i menjëhershëm dhe ‘shkatërrues’. Brenda vetëm gjashtë minutash, vendasit përmbysën gjithçka, fillimisht barazoi Raphael Guerreiro në minutën e 31-të pas asistit të Jamal Musiala, më pas Nicolas Jackson kaloi ekipin në avantazh në minutën e 33-të, ndërsa Alphonso Davies realizoi golin e tretë në minutën e 37-të me një goditje elegante.
Në pjesën e dytë, protagonisti i zakonshëm Harry Kane ‘vulosi’ fitoren me golin e katërt në minutën e 52-të. Në fund, Chema Andres shënoi për Stuttgart, por pa ndryshuar fatin e ndeshjes.
Me këtë fitore, festa ‘shpërtheu’ në ‘Allianz Arena’, ku Bayern Munich kurorëzon një sezon dominues me një tjetër titull kampion.
Komente







