I dyshuar si drejtues i një prej grupeve kriminale shqiptare të përfshira në dhjetëra grabitje banesash luksoze në Europë, Edison Pula është paraqitur të martën përpara gjykatës së Reimsit në Francë, nën masa të rrepta sigurie. Ai akuzohet për përfshirje në rreth 50 grabitje në Francë dhe Belgjikë, ndërsa dyshohet se drejtonte grupin kriminal të njohur me emrin “Nikla”.
Për shoqërimin e tij u zhvillua një operacion i posaçëm sigurie, ku u angazhuan forcat speciale të administratës penitenciare franceze, të njohura si ERIS. Në seancën e 17 nëntorit 2026 u shqyrtua kërkesa për zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj tij.
Sipas raportimeve të mediave franceze, grupi kriminal dyshohet se kishte në shënjestër banesa luksoze të biznesmenëve, futbollistëve, këngëtarëve dhe personazheve të njohur. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga aktiviteti i tij vlerësohet në mbi 1 milion euro.
Pula ishte arratisur në vitin 2022 nga burgu i Trevisos në Itali, ndërsa u arrestua në Luksemburg në janar të vitit 2025.
Paraqitja e tij në gjykatën franceze u shoqërua me masa të larta sigurie, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e tij në aktivitetin kriminal të grupit “Nikla”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento