PARIS- Shefi francez i diplomacisë, Laurent Fabius, i kërkoi sot koalicionit ndërkombëtar kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik (ISIS) që të drejtojnë përpjekjet e tyre në Alepo, qyteti i dytë më i madh në Siri, i kërcënuar si nga forcat e regjimit edhe nga xhihadistët.
"Pas Kobanes, duhet shpëtuar Alepoja", shkruan Fabius në një artikull të publikuar nga gazeta franceze "Le Figaro", amerikanja "Washington Post" dhe ajo panarabe "Al Hayat".
Franca merr pjesë në sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Irak, por jo në Siri, ku ka ndërhyrë SHBA-ja dhe disa vende arabe. Strategjia franceze është që të mbështetet opozita siriane e moderuar, por pa marrë pjesë në bombardime që, sipas saj, mund të përforcojnë regjimin e Bachar al Assad-it.
"Alepoja përballet sot me kërcënimin që të bllokohet mes bombardimeve me fuçi me eksploziv të regjimit dhe vrasësve të ISIS-it", sipas Fabiusit.
Alepo, qyteti i dytë në Siri, është ndarë që prej korrikut 2012 mes sektorëve besnikë ndaj regjimit në perëndim dhe sektorëve në lindje, që janë nën kontrollin e rebelëve./ATSH/












