U hap sot në Francë gjyqi kundër Mediator, ilaçi antidiabetik, përgjegjës për qindra vdekje
Në bankën e të akuzuarve ishte laboratori ‘Servier’ dhe Agjencia Kombëtare e Drogave (ANSM).
2.684 klientë të dëmtuar duan të dinë se si ishte e mundur që ky ilaç, i krijuar për diabetikët, por që u përdor gjerësisht si medicament "anti-uri", ka qënë për 33 vjet në tregun farmaceutik, megjithë ankesat për rrezikshmërinë e tij.
Akuza i denoncon laboratorët se kanë gënjyer për realitetin e fakteve, por mbrojtja përgjigjet se nuk u shfaqën rreziqe të provuara shkencërisht para vitit 2009, kur Mediator u tërhoq nga tregu (ai u prezantua fillimisht në 1976).
Deri atëherë, 5 milion francezë kanë përdorur tashmë produktin që konsiderohej se është shkaku i dëmtimeve serioze të valvulave të zemrës dhe hipertensionit arterial pulmonar.
Në një afat të gjatë mund të ketë qenë përgjegjës edhe për një numër të madh të vdekjeve rreth 2.100.
Të pandehurit do të përballen me shtatë akuza përfshirë "vrasje të pavullnetshme" , "lëndime të pavullnetshme" dhe "mashtrim".
Procesi duhet të përfundojë në fund të prillit 2020.
Gjatë gjyqit do të marrin pjesë 376 avokatë, 353 prej tyre përfaqësojnë palët civile, dhe mbi 100 dëshmitarë do të thirren në bankën e të akuzuarve.
Midis të pandehurve ka njerëz që kanë punuar për Servier ose për njërën nga nëntë degët e saj, si dhe disa anëtarë të ANSM të përfshirë në lidhjet e pretenduara me kompaninë farmaceutike.
Jacques Servier, i cili themeloi kompaninë farmaceutike, vdiq në vitin 2014 në moshën 92 vjeç.
Avokatët e viktimave do të argumentojnë se ‘Servier’ ishte në dijeni të efekteve anësore të mundshme vdekjeprurëse të ‘Mediator’, por laboratori me vetëdije i fshehu faktet.
Laboratori ‘Servier’ tërhoqi ilaçin nga tregjet spanjolle dhe italiane në fillim të viteve 2000, pasi u raportuan disa raste të sëmundjes së valvulave të zemrës, nga Agjencia Europiane e Barnave.
Servier deri më tani ka paguar 131.8 milion euro mijëra viktimave.