Frashëri: Kushtet e Enverit për 
SHBA para Konferencës së Paqes

Frashëri: Kushtet e Enverit për <br />SHBA para Konferencës së Paqes
TIRANE- Në qershor 1946 kur presidenti Truman hodhi poshtë “Rezolutën Pepper”, Shqipëria ndodhej në pragun e hapjes së Konferencës së Paqes. Ajo i filloi punimet e veta më 29 korrik 1946 dhe i mbylli më 16 nëntor 1946. Konferenca e Paqes përbën një temë më vete.

Ajo së bashku me rolin që luajtën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po trajtohet në një monografi të veçantë. Këtu mjafton të thuhet se Konferenca e Paqes u mblodh me kërkesën e aleatëve të mëdhenj dhe të fuqive shoqe të kampit të madh antifashist për të zgjidhur të gjitha problemet që blloku i agresorëve nazifashist kishte krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në kontinentin europian.

Në Konferencën e Paqes, në bankën e shteteve të mundura do të merrnin pjesë pesë satelitë të Gjermanisë hitleriane: Italia, Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Finlanda. Megjithëse Shqipëria kishte marrë pjesë në rezistencën e armatosur kundër agresorëve fashistë italianë dhe gjermanë, ajo nuk u ftua të merrte pjesë në Konferencën e Paqes si fuqi shoqe e kampit të madh antifashist. Si argument për përjashtimin e saj nga radhët e kampit antifashist, u përdor fakti se Shqipëria ende nuk ishte pranuar në radhët e OKB-së.

Si shkaktarë të përjashtimit të Shqipërisë nga radhët e OKB-së ishin Britania e Madhe dhe ShBA-ja, të cilat përdorën si argument se Shqipëria nuk respektonte detyrimet që rridhnin nga të drejtat ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Konferenca e Paqes nuk e pranoi as tezën e Greqisë për ta konsideruar Shqipërinë si satelit i Italisë fashiste.

Kjo për arsye se vetë shqiptarët me luftën e tyre nacionalçlirimtare kishin dënuar qeverinë kuislinge të Tiranës, e cila i kishte shpallur luftë Greqisë dhe se Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare kishte luftuar si pjesëtare e kampit antifashist kundër agresorëve nazifashistë.

Kështu, Shqipëria nuk mori pjesë në Konferencën e Paqes as në radhët e fitimtarëve, as në ato të agresorëve nazifashistë. Megjithatë, Greqia nuk hoqi dorë nga kërkesa e saj absurde për t’i shkëputur Shqipërisë si dëmshpërblim viset e saj jugore, të përfshira në qarkun e Gjirokastrës dhe të Korçës. Dy aleatët e mëdhenj perëndimorë, Uashingtoni dhe Londra, e patën të pamundur të mbronin pretendimet greke në kurriz të Shqipërisë, pasi ato vetë e kishin pranuar në dhjetor 1942 rreshtimin e Shqipërisë në sajë të luftës nacionalçlirimtare në krahët e koalicionit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan.

Në këto rrethana, për të kënaqur pretendimet greke, Londra dhe Uashingtoni vunë në përdorim argumente të tjera. Londra ngriti tezën se Greqia nuk e humbiste të drejtën për të lidhur paqe me qeverinë e Tiranës para se Shqipëria të pranohej si aleate shoqe e kampit antifashist. Kjo ishte, sipas diplomatëve britanikë, pothuajse e njëjta e drejtë që i qe njohur Italisë, e cila para 8 shtatorit 1943 njihej si fuqi agresore, kurse pas 8 shtatorit 1943 fuqitë e kampit antifashist bisedonin për ta njohur si fuqi shoqe Italinë, e cila ndërkohë i kishte shpallur luftë Gjermanisë hitleriane.

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk e pranonte këtë argument. Sipas diplomatëve amerikanë, Uashingtoni nuk e kishte njohur de jure pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në prill 1939. Me deklaratën e Cordel Hull-it, shpallur më 10 dhjetor 1942, ShBA-ja e kishte ripohuar rimëkëmbjen e Shqipërisë si shtet i pavarur. Si rrjedhim, për Uashingtonin, lufta që administrata kuislinge e Tiranës i kishte shpallur Greqisë më 28 tetor 1940 nuk kishte asnjë vlerë juridike.

Pas refuzimit të “Rezolutës Pepper” nga ana e presidentit amerikan, te shqiptarët u krijua përshtypja se Departamenti i Shtetit do të përkrahte kërkesën e qeverisë së Tiranës për t’u pranuar si anëtare e koalicionit të fitimtarëve.

Pavarësisht se qeveria e Enver Hoxhës nuk e falenderoi, siç e kërkonte puna, presidentin amerikan për qëndrimin dashamirës ndaj Shqipërisë - Departamenti  i Shtetit nuk u solidarizua me Londrën, e cila e kushtëzoi lidhjen diplomatike të Anglisë me Shqipërinë me nënshkrimin më parë të marrëveshjes paqësore të Athinës me Tiranën.

Departamenti i Shtetit vazhdoi të tregohej i pakënaqur nga Tirana në dy drejtime të tjera: në mosnjohjen si legjitime nga ana e Tiranës e marrëveshjeve dypalëshe shqiptaro-amerikane të lidhura para 7 prillit 1939 dhe, e dyta, me pengesat që Tirana zyrtare u krijonte anëtarëve të misionit amerikan për lëvizjen e tyre të lirë brenda në Shqipëri.

Më 26 korrik 1946, dy ditë para hapjes së Konferencës së Paqes në Paris, zyrtari amerikan Hickerson, drejtor në Departamentin e Shtetit, njoftonte Matheusin anëtar i delegacionit amerikan në Konferencën e Paqes në Paris, se Uashingtoni ishte në pritje të vendimit që shpresonte të merrte Tirana për t’i njohur legjitime traktatet dhe konventat e nënshkruara para 7 prillit 1939, mbasi deri atë ditë kishin marrë vetëm premtime të vakëta për zgjidhjen e çështjes.

Për këtë arsye, sipas tij, qëndrimi i mëtejshëm i Xhekobsit në Shqipëri ishte i panevojshëm. “Cikërrimat që ai na njofton nuk i justifikojnë, - vazhdonte diplomati amerikan, - shpenzimet që kryen Departamenti për qëndrimin e misionit në Tiranë”. Si përfundim, Hickersoni kërkonte opinionin e Matheusit përpara se t’i propozonte Sekretarit të Departamentit të Shtetit tërheqjen e misionit amerikan nga Tirana. (F. R. vëll. VI, 1946, f. 21).

Sikurse shihet, Departamenti i Shtetit mbante rezervë për njohjen legjitime të qeverisë së Tiranës për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe që kishte jo me Shqipërinë si shtet i pavarur, por me qeverinë e E. Hoxhës. Vetëkuptohet se ky qëndrim nuk e prekte as pavarësinë, as integritetin territorial të Shqipërisë.

Pasi Konferenca e Paqes në Paris filloi punimet e veta, qeveria greke e shtoi presionin e saj te Uashingtoni për ta bindur që të mos e njihte legjitimitetin e qeverisë shqiptare, mbasi me përfshirjen e saj në radhët e fitimtarëve, Athina e humbiste të drejtën të kërkonte dëmshpërblime territoriale nga Tirana. Qëndrimin amerikan e ndriçon procesverbali i mbajtur më 2 gusht 1946 në ambasadën amerikane të Parisit rreth bisedës që zhvilloi kryeministri grek K. Caldarisi me Sekretarin e Departamentit të Shtetit J. Bërns.

Në procesverbal thuhet se biseda ka qenë “intime”. Sipas kryeministrit grek, meqenëse Shqipëria ishte në gjendje lufte me Greqinë, Athina kishte të drejtë të kërkonte prej saj dëmshpërblime territoriale. Bërnsi e kundërshtoi pretendimin e kryeministrit grek. Nga procesverbali del se Bërnsi nuk ishte i bindur me argumentin e Caldarisit se Shqipëria ishte në gjendje lufte me Greqinë, në një kohë kur Shqipëria ishte vend i pushtuar.

Edhe veprimet për transferimin e kurorës së Shqipërisë, Mbretit të Italisë më 12 prill 1939, me të cilin përpiqej ta argumentonte kryeministri grek përgjegjësinë e Shqipërisë, për Bërnsin nuk kishin vlerë juridike. Për shefin e Departamentit të Shtetit, Shqipëria në ato vite ishte një vend i pushtuar dhe jo një shtet i pavarur. (F. R. vëll. II, 1970, ff. 101-103).

Më 13 gusht 1946 diplomati amerikan Xhekobsi takoi Enver Hoxhën, pra, një javë para se kryeministri i Shqipërisë të nisej për në Konferencën e Paqes. Ai kërkoi të dinte arsyen përse Tirana nuk po i përgjigjej kërkesës së Departamentit të Shtetit mbi njohjen e traktateve të nënshkruara para luftës. Enver Hoxha u përgjigj se shkaktar për këtë ishin Shtetet e Bashkuara që nuk kishin bërë kundërpropozime.

Përsa i përket 11 konventave ndërkombëtare shumëpalëshe, Enver Hoxha u tregua i gatshëm që ato t’i miratonte. (Konventa për kufizimin e prodhimit, 5 korrik 1890; konventa për shpërndarjen e drogave narkotike, 13 korrik 1930; traktati për kufizimin dhe reduktimin e armatimit detar, Londër, 22 prill 1930; marrëveshja për ndalimin e shpërndarjes së botimeve të turpshme, 4 maj 1910; konventat e vitit 1912 mbi ndalimin e abuzimit të opiumit dhe drogave të tjera, 23 janar 1912; konventa e 9 korrikut 1913 me po atë subjekt; bashkimi universal postar, 20 mars 1934; traktati për heqjen dorë nga lufta, 27 gusht 1928; traktati që njeh sovranitetin e Norvegjisë mbi Spitbergen, 9 shkurt 1920; konventa e telekomunikacionit, 9 dhjetor 1920; konventa për përmirësimin e kushteve të të plagosurve në fushën e betejës, 6 korrik 1908).

Përsa i përket katër traktateve dypalëshe, thuhet në raportin e Xhekobsit, E. Hoxha premtoi se ato do të shqyrtoheshin për t’iu bërë disa korrigjime me qëllim “që t’i përshtateshin linjës së marrëdhënieve të reja ndërkombëtare të krijuara nga lufta antifashiste. Ato do të nënshkruheshin, - përfundoi Enver Hoxha, - pasi të njihej qeveria dhe pasi të arrinte në Tiranë ambasadori i ShBA-së. (F. R. vëll. VI, 1946, f. 23).

Enver Hoxha solli si shembull marrëveshjet mbi ekstradimin e shqiptarëve të arratisur në ShBA. “Para luftës, - pohoi Enver Hoxha, - të arratisurit politikë gjenin strehim në ShBA, kurse tani gjendja ka ndryshuar. Në kushtet e reja, - përfundoi Enver Hoxha, - lind nevoja që t’i dorëzohen Shqipërisë kriminelët shqiptarë të luftës. Lidhur me traktatin e dyshtetësisë, qeveria shqiptare – theksoi E. Hoxha, tani - për tani nuk ka vërejtje, por në të ardhmen mund të lindte nevoja për disa korrigjime”.

Edhe për marrëveshjen e tarifave të pasaportave, E. Hoxha pohoi se nuk kishte vërejtje. Sipas Xhekobsit, me këto lëshime rreth marrëveshjeve dypalëshe, Enver Hoxha shpresonte të siguronte përkrahjen e ShBA-së për pranimin e Shqipërisë në OKB. (F. R. vëll. VI, 1946, f. 23).

Nga ana e tij, Xhekobsi parashtronte pikëpamjen e vet se në rast se qeveria shqiptare nuk e ndryshonte trajtimin e papërshtatshëm ndaj përfaqësive të huaja, qëndrimi i misionit amerikan në Shqipëri do të ishte shumë i vështirë, në mos i pamundur. (F. R. po aty, f. 24). Në këtë klimë jo të ngrohtë të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane bën pjesë edhe qëndrimi që ShBA-ja mbajti ndaj Shqipërisë në Konferencën e Paqes.

Sekretari i Departamentit të Shtetit Bërns vazhdoi ta kundërshtonte praninë e Shqipërisë si fuqi shoqe e kampit antifashist në punimet e Konferencës së Paqes. Si argument, ndryshe nga grekët, ai përdori faktin se Shqipëria nuk mund të konisderohej fuqi shoqe, përderisa nuk ishte anëtare e OKB-së. Në të njëjtën kohë, ai e kundërshtoi edhe tezën greke për ta stigmatizuar Shqipërinë si satelit i Gjermanisë hitleriane.

Pas këtij qëndrimi të ngurtë të E. Hoxhës, bisedimet shqiptaro-amerikane u shpërngulën për një moment nga Tirana në Uashington. Për zgjidhjen e saj nga Tirana u nis për në ShBA Tuk Jakova. Në bisedimet që ai pati në Uashington më 9 shtator 1946 me nënsekretarin e Shtetit Hickerson, Tuk Jakova edhe pse pretendoi se fliste në emrin e vet personal, ai padyshim kishte autorizimin e Enver Hoxhës.

Të dy personalitetet arritën në një marrëveshje. Në bazë të saj, qeveria shqiptare pranonte në parim të gjitha traktatet shqiptaro-amerikane të nënshkruara para 7 prillit 1939. Qeveria shqiptare pranoi, thuhej në deklaratë, që përmbajtja e tyre të ndryshohej në përputhje me interesat e të dyja palëve. Rishikimi i tyre do të realizohej pas njohjes së qeverisë shqiptare nga qeveria amerikane dhe pas vendosjes së lidhjeve diplomatike midis Uashingtonit dhe Tiranës.

Në përfundim të bisedimeve të tyre del se Departamenti i Shtetit kërkonte që Shqipëria të respektonte ndaj misionit amerikan në Shqipëri të drejtat dhe kortezitë që i takonin në bazë të normave ndërkombëtare. (F. R. po aty, ff. 26, 27).

Më 20 shtator 1946, Bërnsi porosiste nga Parisi funksionarët e dikasterit të vet në Uashington të mos ndërmerrnin asnjë hap për njohjen e qeverisë së Enver Hoxhës, pavarësisht se Shqipëria mund ta njihte vlefshmërinë e marrëveshjeve tona të vjetra, për arsye se njohja mund të keqinterpretohej. (F. R. vëll. VI, 1946, f. 27).

Porosia që dha Bërnsi për të mos u ngutur në njohjen e qeverisë së Enver Hoxhës nga Uashingtoni, duket se ra në veshin e diplomacisë greke, e cila u vu në lëvizje. Më 7 tetor 1946 një ekip i përbërë nga ish-kryeministra dhe ish-ministra të Greqisë, i kërkoi takim sekretarit të Departamentit të Shtetit, i cili ndodhej ende në Paris.

Në këtë ekip të sferave të larta të diplomacisë greke, të kryesuar nga Kostandin Caldarisi, bënin pjesë ish-kryeministrat G. Papandreu, S. Venizellos, P. Kanellopulos; përfaqësuesit e Z. Sofulis: K. Rendis, G. Variotis; gjenerali N. Zervas dhe përkthyesi G. Mihalopulos. Në takim personalitetet greke i bënë presion Xhejms Bërnsit që të përkrahte kërkesat greke në kurriz të Shqipërisë.

Sekretari amerikan i Shtetit u premtoi se do të bënte çmos që po të mos zgjidhej kërkesa greke në Konferencën e Paqes, ai do t’i ndihmonte që çështja të trajtohej në Këshillin e Ministrave të Punëve të Jashtme, pa u zotuar se do t’i përkrahte  kërkesat e tyre. (Foreign Relations, vëll. III, 1946, ff. 686-689). Sikurse shihet, sekretari amerikan i Shtetit u premtoi diplomatëve grekë jo miratimin e aspiratave greke, por trajtimin e tyre, siç u dëshmua më vonë, nga Këshilli i MPJ-ve, në të cilin ai nuk e miratoi kërkesën greke.

Xhekobsi njoftonte se më 8 tetor 1946 E. Hoxha në fjalën që kishte mbajtur në kryesinë e Frontit Demokratik kishte përvijëzuar politikën e jashtme të Shqipërisë. Në fakt, kemi të bëjmë me Mbledhjen e Dytë të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik, mbajtur në Tiranë, më 7 tetor 1946. (Shih: Enver Hoxha, Vepra 3, Tiranë 1969, ff. 455-500).

Në atë mbledhje Enver Hoxha kishte akuzuar Britaninë e Madhe se po përdorte incidentin e Korfuzit apo të Sarandës, siç e quante ai, si pretekst për të mos lidhur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Përsa i përket marrëdhënieve me ShBA-në, raporton Xhekobsi, Enver Hoxha kishte deklaruar se Shqipëria e kishte pranuar vlefshmërinë e traktateve shumëpalëshe dhe se ishte e gatshme të merrte në shqyrtim me frymë miqësore edhe traktatet dypalëshe pas dhënies së njohjes. (F. R. vëll. VI, 1946, ff. 27-28).

Këtu është nevoja të hapim një parantezë. Në referatin e Mbledhjes së Dytë të Frontit Enver Hoxha rreshton disa akuza si kundër Britanisë së Madhe ashtu dhe kundër Shteteve të Bashkuara. Pasi përmendi se qeveria amerikane vuri si kusht për njohjen e qeverisë sonë pranimin e traktateve të para 1939-ës midis Shqipërisë dhe ShBA-së, ai sqaroi: “Siç dihet, qeveria e Zogut kishte firmuar një seri traktatesh me shtete të ndryshme të huaja.

Se ç’qëllime kishin më të shumtat e këtyre traktateve të Zogut, se ç’tregëti të poshtër kish bërë Zogu me anën e këtyre traktateve në kurrizin e popullit tonë, se ku e çuan vendin tonë këto traktate dhe marrëveshje të Zogut, më duket s’është nevoja t’jua numëroj. Ato na kushtuan gjakun dhe koskat e bijve tanë më të mirë. Populli shqiptar me plot të drejtë mori vendimin në Kongresin e Përmetit, i cili anulonte këto traktate dhe i jepte të drejtë qeverisë të shqyrtonte ato traktate që ishin në interesin e popullit shqiptar. Vendimi që populli mori në Përmet, ishte përgjigjja e qeverisë sonë që u dha amerikanëve: interesat e popullit tonë mbi çdo gjë.

Këtë të drejtë dhe detyrë të parë s’mund të na e mohojë askush, ashtu sikundër dhe ne s’ua mohojmë të tjerëve. Me një komb mik, si kombi amerikan, ne kemi qenë kurdoherë të gatshëm për me u marrë vesh mbi këtë çështje. Vullneti i mirë nga ana jonë nuk ka munguar kurrë; ne kemi kërkuar që njohjes së qeverisë sonë, të mos i vihet konditë dhe me përfaqësuesin amerikan, që do të vinte në Tiranë, pas njohjes, ne ishim gati të merrnim menjëherë në shqyrtim traktatet në fjalë, t’u bënim ndryshimet e duhura, të krijuara nga rrethanat e kësaj Lufte të Dytë Botërore dhe në frymën e re ndërkombëtare që krijoi kjo luftë”. (Enver Hoxha, Vepra 3, Tiranë, 1969, f. 487).   

Për Tiranën, e drejta që iu njoh për të nënshkruar traktatin e Paqes me Italinë, sillte vetvetiu edhe të drejtën e saj për të kërkuar nga Italia shpërblim për dëmet që ajo i kishte shkaktuar Shqipërisë gjatë okupacionit të saj. Por, më 9 tetor 1946, kur në Komisionin Ekonomik të Konferencës së Paqes u shqyrtua kërkesa që paraqiti Shqipëria për dëmshpërblim nga Italia fashiste, pati dhjetë vota pro, dhjetë kundra. Pra, ajo nuk u miratua.

Ndër shtetet që votuan kundër ishin edhe dy aleatët e mëdhenj perëndimorë – Britania e Madhe dhe ShBA-ja, kurse dy fuqitë e tjera të mëdha, Bashkimi Sovjetik dhe Franca votuan në favor të kërkesës së Tiranës. Të njëjtin rezultat pati edhe votimi më 10 tetor në mbledhjen plenare të Konferencës së Paqes. Atëherë qeveria e Tiranës kërkesën e saj ia drejtoi Këshillit të MPJ-ve.

Më 9 tetor 1946 Xhekobsi së bashku me Hendersonin patën në Tiranë një takim dyorësh me E. Hoxhën. Edhe në këtë takim Enveri përsëriti qëndrimin e përmendur të qeverisë shqiptare mbi traktatet dypalëshe. Ai i mëshoi faktit se ishte në pritje të një përgjigjeje nga SHBA-ja. Po atë ditë, më 9 tetor 1946, në Paris në seancën plenare të Konferencës së Paqes u shtrua çështja e dëmshpërblimit për Shqipërinë nga Italia fashiste, e cila në Komisionin Ekonomik ishte votuar me 10 vota pro dhe 10 kundra.

Nga Bashkimi Sovjetik u kërkua që të vihej përsëri për rivotim. Çështja kishte rëndësi për Shqipërinë jo aq për përfitimin financiar të dëmshpërblimit, sa për një arsye madhore, pasi me marrjen e dëmshpërblimit nga Italia, Shqipëria fitonte cilësimin si fuqi-shoqe e koalicionit të madh antifashist. Por propozimi britanik për të mos i dhënë Shqipërisë asnjë dëmshpërblim, i cili u vu në votë në seancën plenare në 9 tetor 1946, pati si dhe në Komisionin Ekonomik dhjetë vota pro (Britania e Madhe, ShBA, Australia, Belgjika, Brazili, Kanadaja, Greqia, Holanda, Zelanda e Re, Bashkimi Jugafrikan), dhjetë vota kundër, pra në favor të dëmshpërblimit të Shqipërisë (BRSS, Bjellorusia, Kina, Çekosllovakia, Etiopia, Franca, India, Polonia, Ukraina, Jugosllavioa), një abstenim (Norvegjia). Pra, propozimi për dëmshpërblim përsëri nuk u miratua.

Meqenëse rezoltati nuk ishte as pro, as kundra, delegati sovjetik V. Molotov i cili drejtonte seancën, kërkoi që çështja t’i kalonte për zgjidhje Këshillit të MPJ-ve. Qeveria shqiptare nga ana e saj, e bindur për të drejtën që kishte për t’u radhitur si fuqi-shoqe e koalicionit dhe për të gëzuar një dëmshpërblim nga Italia, e mbështetur nga Bashkimi Sovjetik, iu drejtua Këshillit të MPJ-ve. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg