'Thuhet se një nip i zotit Berisha është pronar i një trageti dhe se Gazidede përgjon deputetët', akuzat e Teodor Kekos në Kuvend

'Thuhet se një nip i zotit Berisha është pronar i një trageti dhe se Gazidede përgjon deputetët', akuzat e Teodor Kekos në Kuvend

Teodor Keko dhe Sali Berisha

“Thuhet se një nip i zotit Berisha është pronar i një trageti të blerë me kredi. Thuhet se zoti Kopliku është i përzierë me ato sobat që iu plasën vjet njerëzve. Thuhet se zotit Zhulali i ikën 360 mijë dollarë nga ministria për arsye të pakujdesisë së tij. Thuhet se zoti Gazidede përgjon deputetët. Thuhet se një grup deputetësh mund të jenë të përzierë në korrupsion..."

Teodor Keko është i njohur si shkrimtar dhe poet, por gjithashtu ka lënë gjurmë si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ai ishte pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike në vitet 1991 dhe 1992, dhe më pas deputet i Aleancës Demokratike. Aktiviteti i tij në parlament ishte i shquar për angazhimin e rëndësishëm në debatet mbi ligje të ndryshme dhe çështje të lirisë, si dhe për denoncimin e fenomeneve dhe individëve të politikës. Po ashtu, Keko është i njohur për angazhimin në deklaratat denoncuese kundër korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit të kohës. Fjalimet e Teodor Kekos janë veçuar për një kombinim mes publicistikës, etikës dhe guximit për t'u përballur me denoncime të ndjeshme që preknin qarqe të fuqishme të politikës. Në këtë artikull, sjellim një nga fjalimet më të bukura të tij, në mbrojtje të lirisë së shtypit, që tregon angazhimin e palëkundur për ruajtjen e vlerave demokratike.

Teodor Keko -  seancë parlamentare 7 tetor 1993

Gjatë këtyre tri vjetëve të pluralizmit në Shqipëri mendoj se një nga fitoret më bindëse dhe reale të arritura nga demokracia shqiptare është shtypi i lirë. Sot në Shqipëri botohen qindra gazeta, të cilat u japin mundësi individëve të ndryshëm të publikojnë mendimet e tyre dhe të ndihmojë kështu në zgjerimin e ideve konstruktive, që lidhen me të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë. Natyrisht, në këtë kohë tranzicioni edhe shtypi jo rrallë është treguar konfuz, duke botuar shpifje, të cilat kanë sjellë shqetësime jo të vogla tek individë të ndryshëm. Kjo ka sjellë nevojën e vendosjes së një rregullatori për ta qetësuar instinktin e pakushtëzuar të shtypit, gjë që është pritur në mënyrë nervoze nga gazetarët dhe botuesit, të cilët shohin te ky ligj për shtypin vënien e këtij pushteti nën diktaturë.

Një ligj për shtypin lind nga një nevojë. Shkaku që e shtyn pushtetin të kërkojë këtë ligj është mungesa e theksuar e informacionit në shtyp, gjë që sjell për pasojë publikimin e mjaft të pavërtetave në faqet e gazetave tona. Por gazetarët pyesin: Kush është fajtor që në gazeta nuk ka informacion real dhe publikohen të pavërteta, ne apo pushteti? Kjo pyetje merr një rëndësi të veçantë, sepse edhe ligji duhet bërë prej nesh për të disiplinuar ata që janë të predispozuar të mos i zbatojnë rregullat e të tjerëve.

Unë mendoj që gazetarët nuk kanë faj. Ata nuk marrin dot informacione reale nga asnjë zyrë e lartë shtetërore. Përveç Presidentit të Republikës, i cili del herë pas here para gazetarëve, të tjerët i trajtojnë gazetarët si qentë e rrugës. Shtypi profesional ka një ligj të brendshëm të tij: verifikimin e informacionit në dy burime. Tani dëgjoni ju sa informacione kam unë si gazetar, që nuk i verifikoj dot në burimin e dytë. Thuhet se një nip i zotit Berisha është pronar i një trageti të blerë me kredi. Thuhet se zoti Kopliku është i përzierë me ato sobat që iu plasën vjet njerëzve. Thuhet se zotit Zhulali i ikën 360 mijë dollarë nga ministria për arsye të pakujdesisë së tij. Thuhet se zoti Gazidede përgjon deputetët. Thuhet se një grup deputetësh mund të jenë të përzierë në korrupsion. Thuhet se në Shkodër vriten çdo javë njerëz. Thuhet se shkollat janë tepër të pasigurta nga sulmet e banditëve. Thuhet e çfarë nuk thuhet. Mirëpo asnjë nga këta zotërinj të nderuar nuk përgjigjet për këto gjëra. Ndërkohë që unë e deklaroj me bindje, e di mirë, se jo çdo gjë që vjen nga një burim është e vërtetë. Atëherë, kur unë të botoj shkrimin, ka shumë mundësi të shkoj në burg. Domethënë rrugaçë nuk janë gazetarët, por nëpunësit që nuk u hapin derën gazetarëve, që nuk u thonë: kjo është e vërtetë, kurse kjo është e pavërtetë.

Unë kam një rast personal. Më kishte ardhur një informacion, ku thuhej që janë vjedhur dy makina me "Kuper" nga disa banditë në doganën e Kapshticës, nuk e di mirë, dhe pyeta zotin Agron Musaraj këtu, pasi kishte vajtur shkrimi në gazetën "Aleanca demokratike". I thashë: Zoti Agron, është e vërtetë apo nuk është e vërtetë? Më tha që nuk është e vërtetë. Atëherë unë e tërhoqa shkrimin dhe doli që nuk ishte e vërtetë.

Tani gazetarët shqiptarë nuk kanë mundësi t'i pyesin gjithmonë këta njerëz, kështu që ata për këtë punë do të shkojnë në burg, sepse lajmi u hap në të gjithë Tiranën, dhe aq më keq tani që zoti Gazidede ka kërkuar shkresën e dezinformimit, tani shkojnë të tërë në burg, mund të shkojmë edhe ne të dy që po bashkëbisedojmë njëri me tjetrin.

Ky projektligj, për fat të keq, merr anën e pushtetit dhe dënon me vdekje shtypin. Në këtë pikë unë do të dëshiroja t'u kujtoja zotërinjve deputetë të maxhorancës se ata nuk do të jenë gjithmonë në pushtet. Prandaj, përpara pushtetit që është i përkohshëm dhe shtypit që është i përjetshëm, do t'u rekomandoja të zgjidhnin shtypin. Do të dëshiroja t'ju kujtoja, zotërinj të nderuar deputetë, se, nëse ka një hallkë që sot po sillet me tolerancë me pushtetin, kjo është shtypi. Përse ankohet kaq shumë pushteti nga shtypi? Shtypi nuk i ka dhënë 40 ditë kohë pushtetit për ta provuar, siç i jep bota, por i ka dhënë 400 ditë. Gazetat e botës, ashtu siç pretendoni ju t'i bëni gazetat tona, do ta kishin masakruar këtë pushtet me gabimet që ka bërë dhe po bën. E kush të lejon në masmedian botërore të marrësh një klinikë mjekësore dhe ta bësh apartamente për nja 10 pushtetarë? Kush të lë t'i kthesh bordet e privatizimit pronë private dhe të bësh skandale në mes të ditës?

Kush të lejon t'i lësh njerëzit pa ujë, t'u vësh taksa sipas qejfit, t'ua dhjetëfishosh apo njëzetëfishosh çmimet, t'u lësh kolerën te dera, t'i shtrosh nëpër spitale ku vdes i shëndoshi e jo më i sëmuri? Shtypi ynë ka heshtur. Dhe mirë ka bërë që ka heshtur, sepse nuk mund t'i rregullojë dot Partia Demokratike të gjitha këto gabime që ka trashëguar. Pushtetarët tanë, duke filluar nga ne e duke mbaruar te Presidenti i Republikës, duhet t'i përmbajnë nervat, sepse askush nuk i vuri me zor në pozitat ku ndodhen sot. Pushteti ka një kusht, ai kërkon burra me nerva të forta dhe zemër të madhe. Ai që është në pushtet pranon t'i mbajë goditjet për vete, t'i largojë nga gjithë institucioni dhe partitë që përfaqëson.

Është turp që një pushtet të prodhojë pranga për shtypin. Atje ku ndodh kjo, kemi të bëjmë me pseudodemokratë ose me kriptokomunistë, siç i pëlqen t'i quajë maxhoranca. Është turp i madh që një pushtet të arrestojë gazetarët, duke i akuzuar për shpifje, për fyerje etj., është shenjë dobësie, është shenjë persiviteti. Nëse jeni demokratë, pranoni rregullat e lojës së demokracisë, pranoni alfën që në demokraci shtypi duartroket tepër rrallë pushtetin dhe kritikon, bile shan në mënyrë permanente.

Zoti kryetar, unë jam kundër këtij projektligji për shtypin dhe mbetem për lirinë e pakufizuar të shtypit. E kuptoj se nga pikëpamja profesionale shtypi vuan shumë, por ai sapo ka hyrë në rrugën e pluralizmit dhe s'mund t'i kërkojmë më shumë. Më thoni, zoti Kryetar, kush është më mirë sesa shtypi nga ana profesionale sot? Gradualisht, përmes konkurrencës, shtypi ynë do të bëhet profesional. Falimentimi dhe Kodi Penal që do të miratojmë së shpejti, do ta çojnë me shpejtësi shtypin drejt profesionalizmit. Ne vetëm duhet të kemi më shumë durim, më shumë zemër të fortë, më shumë karakter dhe të mos fyhemi shpejt, sepse për t'u sharë, secili nga ne, duke filluar nga Presidenti e duke përfunduar tek unë, ka sharë sa i ka dashur qejfi.

Këtë diskutim unë e kisha për projektligjin në tërësi. Në veçanti, nen për nen, ruaj rezerva jashtëzakonisht të mëdha. Për nenet do të flas në rastet konkrete, me dëshirën që ne ta lëmë shtypin të lirë e profesional dhe ta bëjmë vërtet një pushtet të katërt, siç e quan bota moderne, ku ne aspirojmë të shkojmë.

Vendi me demokraci më të përparuar sot quhet Amerika. Mua më duket anormale që ne të preferojmë një ligj landi, në vend të ligjit që ka Amerika. Është anormale të mendosh ta udhëheqësh të gjithë Shqipërinë me një ligj që aplikohet me sukses, ta zëmë, në zonat ku banon minoriteti grek, apo me një ligj që rregullon jetën civile të Tropojë apo në Mirditë. Më duket se hartuesit e këtij ligji nuk ia kanë shpjeguar me sinqeritet grupit të tyre parlamentar se një land i Gjermanisë është njëlloj si një krahinë e Shqipërisë.

Tani puna u pa. Uroj, të paktën, që forcat e tjera politike, kur ta marrin pushtetin, të mos e zbatojnë këtë ligj, por ta ndryshojnë, siç duhet ta bëjnë.

Ky është një ligj që, për profesionin tim, për aspektin tim pragmatist, më shkon shumë mirë mua, është një ligj që na favorizon ne shkrimtarëve, sepse ju për tre muaj do t'i mbyllni të gjitha gazetat dhe atëherë populli do të detyrohet të lexojë libra.

Faleminderit!/TemA

SI.E./xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Augustin Palokaj: BE-ja vazhdon të improvizojë me Kosovën

Augustin Palokaj: BE-ja vazhdon të improvizojë me Kosovën