TIRANE- Fryma e re Demokratike ka denoncuar largimin nga puna të anëtarëve të kësaj force politike, ndërkohë që ka bërë thirrje që qytetarët të mos detyrohen për të marrë pjesë në fushatën zgjedhore. Në një dalje për mediat, kryetarja e Shtabit Kombëtar zgjedhor të FRD-së, Mirela Bogdani, ka theksuar se presioni psikologjik ndaj punonjësve dhe qytetarëve për pjesëmarrje në tubime ka ardhur në rritje. Sipas Bogdanit ky veprim është i paligjshëm.

“Ne denoncojmë veprimin e paligjshëm të qeverisë e cila detyron cdo ditë punonjësit e administrates publike, mjekët, arsimtarët, të bëhen pjesë e tubimeve zgjedhore të partisë në pushtet, duke i kërcënuar me vendin e punës. Kështu kryeministri jo me larg se dje, tha fare haptazi se administrata duhet të angazhohet në fushatën zgjedhore. Pra ky kryeministër në ikje legjitimon paligjshmërinë, legjitimon presionin ndaj punonjësve të administratës publike që paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë, për t’i vënë ata në shërbim të mitingjeve të partisë shtet dhe jo të publikut shqiptar”, tha Bogdani.

Më tej, Bogdani tha se FRD do të zhvillojë një fushatë të qetë, duke shtuar se “kjo forcë politike do ta ndajë njëherë e përgjithmonë administratën nga politika, profesionistin nga militanti, duke vendosur si standarde të punësimit meritën dhe konkurrencën, dhe jo teserën e partisë dhe mbushjen e sallave me militantë”.

Bogdani theksoi se është vota ato që do sjellë ndryshimin e zhvillimit të vendit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)