TIRANE - Fryma e Re Demokratike nuk i konsideron si prioritete të shoqërisë shqiptare, të drejtat e komunitetit homoseksual, në një kohë kur sot diskutohet ende buka e gojës për mijëra familje shqiptare.

Në një tryezë me përfaqësues të shoqërisë civile, drejtues të kësaj partie janë përballur me pyetjen se a përfshihen të drejtat e këtij komuniteti në programin e saj. Gazmend Oketa iu përgjigj me fjalët: "Ju siguroj se nuk kemi asnjë lloj fobie për ta trajtuar këtë çështje, siç po me të njëjtin sinqeritet mund t’ju them se nuk është një çështje prioritare për momentin. Unë jam një përfaqësues politik dhe fjalët e mia mund të komentohen me ngarkesa politike, por kemi një situatë tepër të rënduar, ku familjet shqiptare diskutojnë bukën e gojës.

Do të mirëprisnim sugjerime, propozime dhe diskutime, por nuk mund të them që nuk është prioritet i politikës sonë apo i programit tonë për momentin, por juve do t'ju lutesha të na përcillnit sugjerimet tuaja në Kuvendin e ri ku ne do të kemi përfaqësuesit tanë për të diskutuar qoftë për prioritetet e partisë sonë, apo qoftë për prioritete të tjera në çështje të tilla", - tha ai.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)