TIRANE- Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e degëve të kësaj partie në të gjithë vendin. Në këtë takim, i pari që prej formimit të Frymës së re Demokratike, ai nënvizoi se “shqetësimi më i madh është fryma e re antiamerikane e qeverisë. Pasi e la 3 vite rradhazi Shqipërinë jashtë BE-së, tani po kërkon dëmtimin edhe të marrëdhënieve me SHBA, aleatin tonë strategjik”. Duke folur për gjykimin e 21-janarit dhe integrimin e vendit, Topi theksoi se

“Revanshi kundër SHBA është revansh kundër demokracisë dhe interesave tona shtetërore.”

“Njeriu që nuk ka lënë gjyqtarë, prokuror, president, gazetar e diplomat pa denigruar sa herë ata kanë pasur qëndrime kritike me të, sot hesht, refuzon të flasë dhe fërkon duart duke ëndërruar se ende jemi në kohën kur pushteti nuk pyeste për Perëndimin. Kjo qeveri erdhi në pushtet duke tundur flamurin e integrimit dhe sot, brenda pak muajve të fundit BE e refuzoi tre herë, dhe tashmë po e kritikon ashpër për retorikën konfliktuale në raport me fqinjët dhe parimet evropiane të demokracisë. “- nënvizoi Topi.

Kreu i FRD-së shtoi se “partitë e vjetra treguan edhe njëherë se janë bashkë për të ndarë torta pushteti, ndryshuar kushtetutë e ligje zgjedhore, por nuk bëhen bashkë kur bëhet fjalë për interesa të mëdha për qytetarët dhe vendin, siç janë ligjet e integrimit”.


FRD: FORCE ME IDENTITET POLITIK

Bamir Topi e ka konsideruar sukses faktin që një parti si FRD-ja, ka pasur mundësi të shtrihet me shpejtësi në të gjithë vendin, brenda një kohe mjaft të shkurtër. Ai vërejti se “ne nuk i mbushim sallat me punonjës të detyruar administrate, nxënës të urdhëruar apo reklama koncertesh. Ne i gjejmë sallat e mbushura me njerëz që kanë shpresë se bashkë me ne mund t’i japim fund tranzicionit zhgënjyes dhe të hapim një kapitull të ri në jetën e tyre, në sistemin politik dhe në qeverisjen e vendit. Ne kemi identitet politik si forcë e moderuar e qëndrës së djathtë, ne kemi një program politik përfaqësues dhe vlerësues me nevojat reale të shoqërisë për ndryshim. Ne kemi potenciale njerëzore të papërfshira në skandalet zhgënjyese të tranzicionit, sic edhe kemi vendosmërinë për të sjellë një model të ri politi. Shqiptarët e shekullit të ri nuk mund të jenë më viktima dhe numra formalë në llogaritë e pushtetit të Sali Berishës për të zgjatur jetën e tij. Ata që rrëzuan diktaturën më të ashpër në Evropë, e kanë shumë herë më të lehtë të rrëzojnë fotokopjet e tyre”.

(ash/sg/shqiptarja.com)