TIRANË - Fryma e Re Demokratike ka analizuar aktivitetin e saj që nga krijimi i subjekt politik e deri më tani. Analiza është bërë në Tiranë dhe u drejtuar nga kryetari i FRD-së, Bamir Topi, i cili tha se, kjo parti politike edhe pse e re zuri vend përkrah atyre tradicionale.

Sipas Topit, lidershipi aktual i PD-së, e ka shkatërruar frymën e djathtë në Shqipëri. “Aktualisht lidershipi i PD-së e ka shkatërruar frymën e së djathtës në Shqipëri” – ka deklaruar kreu i FRD-së.

“Ne kemi thënë se jemi një parti e moderuar ndërsa Tirana ka nje peshë të jashtëzakonshme të votave të së djathtës dhe të aktivitetit të saj politik”, theksoi në fjalën e tij, kreu i FRD-së, Bamir Topi.

Sipas kreu Topi, FRD është një parti e moderuar e qendrës së djathtë dhe pikërisht për këtë arsye do të merret vetëm me problemet e së djathtës. Sipas tij, aktualisht ndodhemi në të njëjtën situatë si në vitin 1990. “Në 1997 unë kam parë një rënie dramatike të kuotave të së djathtës por më pas gjërat ndryshuan”, deklaroi Topi.

Duke folur në këtë analizë, kreu i FRD-së, Topi tha se, “kjo ka qenë një periudhë impenjative”. Kemi zhvilluar takime me të gjithë anëtarët e FRD dhe kemi marrë informacione të ndryshme edhe për ata informacione që nuk vijnë me letra”, ka deklaruar kreu i FRD-së, Bamir Topi.

Sipas tij edhe pse ky subjekt politik u krijua pak para zgjedhjeve sërish ishte me personalitet. “Një parti politike që lindi rreth 1 vit para zgjedhjeve në kushte të veçanta sepse një parti e re ngel e re, pavarësisht disa personaliteteve. FRD është futur me shumë prestigj dhe në rangun e partive tradicionale, me një program dhe një parti të  organizuar”, theksoi Topi gjatë fjalës së tij.

“U krijua një terren demokratik me një program, i cili ishte më i miri mes partive politike në Shqipëri”, deklaroi kreu i FRD-së, Bamir Topi.

“Politika shqiptare për shtetin dhe qytetarin”, është filozofia jonë dhe e patisë që jemi”, deklaroi gjatë fjalës kreu i FRD-së. “Gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, FRD ka marrë një rezultat të kënaqshëm por pritshmëritë kanë qenë më të mëdha”, deklaroi Topi.

Topi ka sulmuar edhe sistemin elektoral. “Kemi thënë se sistemi elektoral është një sistem që nuk garanton barazinë e votës. Qytetari nuk respektohet nga sistemi zgjedhor ndërsa partitë janë në garë se kush të përfitojëe nga ky sistem”, deklaroi Topi.

Gjatë fjalës së tij në analizën e tij, kreu i FRD-së, Bamir Topi nuk ka lënë pa përmendur edhe çështjen e 21 janarit, duke kërkuar drejtësi për këtë ngjarje të rëndë. “Çështja e 21 janarit nuk është vetëm çështje e drejtësisë”, tha Topi. Sipas tij kjo ngjarje ka dy këndvështrime. “Kjo çështje ka dy këndvështrime, pasi është politike dhe e moralit politik”, theksoi kreu i FRD-së, Bamir Topi.

Ai deklaroi se, i ka kërkuar me detyrim parlamentit, që të japëe sqarime në lidhje me këtë çështje. “Sot i takon qeverisë që ta zbardhë këtë të ashtëquajturin grusht shteti pasi është hedhur shumë baltë ndaj institucioneve të pavarura”, deklaroi kreu i FRD-së, Bamir Topi, gjatë fjalës së tij.

 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)