Së bashku me disa letra shkëmbyer mes Nosit dhe Hoxhës po në këtë periudhë, këto faqe ditari ndërtojnë një pjesë të historisë së komplikuar të këtyre mardhënieve ku miqësitë dhe armiqësitë flinin tok. Ndërkohë që britanikët organizonin takime me krerët e Ballit Kombëtar dhe Abaz Kupin, nga ana tjetër kërkonin takime edhe me udhëheqësit komunistë.
Takimet kishin synim bashkimin e të gjithë forcave politike shqiptare dhe rreshtimin e tyre në frontin e luftës kundër okupatorit. Por kundërshtitë që hasën qenë të mëdha. Edhe në këto faqe të këtij ditari dëshmohet këmbëngulja e udhëheqësve komunistë për të demaskuar ‘veprimtarinë tradhëtare e armiqësore’ të forcave të Ballit Kombëtar.
Frederik Nosi, në këtë kohë shoqërues i gjeneralit Dejvis, tregon në shënimet e tij të datës 30 tetor se Shtabi i Përgjithshëm sapo kishte konfirmuar takimin me gjeneralin angles Dejvis dhe se takimi do të mbahej në Labinotin e epërm ku ndodhej selia e Shtabit. E nesërmja, 31 tetor 1943, siç shkruan Frederik Nosi në ditarin e tij ka qenë e ngarkuar. Pas vaktit të drekës në shtëpinë e Bahollit, ku ishte selia e Shtabit, Nosi thotë se u futëtn në konferencë, e cila kishte zgjatur plot gjashtë orë.
Ai thotë se aty ishin mbledhur Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Nako Spiro, Spiro Koleka, Dali Ndreu, Mustafa Gjinishi, Sejfullah Malëshova dhe Medar Shtylla. Nosi dëshmon se në këtë mbledhje Enver Hoxha kishte thënë se “nuk do të tolerohej asnjë ndërhyrje e britanikëve në punët e mbrëndëshme dhe në drejtimin e luftës nacional çlirimtare”, duke nënkuptuar se prej britanikëve pritej vetëm ndihma me armatime, dhe mjete të tjera në ndihmë të luftës. Në fund të shënimeve të kësaj dite Nosi shkruan se gjeneralit anglez i kishte bërë përshtypje Nako Spiru, dhe sipas gjeneralit Dejvis “ai na qenka agjitator i vërtetë”.
Nosi dëshmon në shënimet e tij se edhe të nesërmen me 1 nëntor janë takuar sërish një orë duke vijuar mbledhjen e një dite më parë. Ndërsa më tej në ditarin e tij Nosi tregon se me çfarë përshtypjesh u nda gjenerali anglez nga konferenca në Labinot dhe se si ai i tregonte më vonë mesazhet që i dërgonte tek eprorët e tij në Kajro, ku bënte thirrje për të mbështetut udhëheqësit komunistë shqiptar që drejtorin Luftën Nacional Çlirimtare.
Këto fletë ditari, të ruajtur së bashku me disa letra që Frederik Nosi këmben me Enver Hoxhën në këtë periudhë si duket janë kopjuar prej tij dhe firmosur në fund duke shënuar datën 4/7/1968.
Së bashku me këto faqe ditari sjellim edhe një prej letrave e datës 22 nëntor, që tregon pak a shumë se si evoluan ngjarjet 20 ditë pas takimit në Labinot, ku veç lajmit se gjermanët kanë pushtuar Dibrën jepen detaje që dëshmojnë dyshimet e komunistëve rreth misionit britanik. Nosi i shkruan Hoxhës se po i dërgon një letër të kolonelit për gjeneralin Dejvis dhe i thotë se aty ka disa fraza që nuk i kupton dhe se duhet ruajtur si dokument.