Frederik Rreshpja: Magjia e ngjashmërive

Frederik Rreshpja: Magjia e ngjashmërive

Enver KUshi, Ali Podrimja, Frederik Rreshpja dhe Moikom Zeqo

1.

Një nga miqtë e tij të ngushtë të poetit shkodran Frederik Rreshpja ishte dhe poeti, eseisti, analisti, prozatori Moikom Zeqo. Në këto dekadat e fundit nuk kam parë poet më erudit se Moikomi. Një poliglot. Ca më kujton Nolin, ca më kujton Konicën, ca më kujton De Radën, ca më kujton… Më tej. Ca më kujton hieroglife të botës, ca më kujton mall shkretëtire, ca më kujton njomësi pranvere, ca më kujton mbibotën shpesh absurde, ca më kujton misteret e botës nënujore e misteret e saj ... Ca më kujton... edhe mençurinë, udhën e urtësisë, librat enciklopedikë të tij. Po, Moikomi është një enciklopedi. 

     Moikomi, në një dialog me Frederikun, ndërton një imazh të tillë rreshpian, ja, si ky që po e shënjojmë:

     ”Moikomi: - ... shpesh mendoj se në lirikat e tua të holla, Frederik, ka disa fanitje, ndoshta halucinacione nga poetët klasikë kinezë. Të jetë e rastësishme?

     Frederiku: -Ti e di, Du Fu dhe Li Bo janë për mua kryemjeshtra. Ashtu si De Rada ynë. De Rada e ka kuptuar, së pari, mjeshtërinë imazhiniste. Si askush. Kujto, p.sh.: vargun madhështor ”Lisa bota kish ndëruar...”.

     Moikomi: -Ke të drejtë. ... Figurat dhe metaforat e De Radës kanë një transparencë kozmike. De Rada flet për Diellin që, kur perëndon, duket sikur fshihet nën tokë si nënat, që kënduan valle para shumë shekujsh. Te balli i një vajze hijeshon një mendim. Bie bora mbi det dhe mbi leshterikë, duke zbardhur krahët e pulëbardhës. Kur ëndërron, poeti thotë: ”Thua se trupi po më largohet”. Ja dhe këto vargje të pashembullt: ’Luleje e hapur / Një të hëne plot hare, / Të enjten duke u bërë e bardhë / Thua se po e sheh të dielen?’

     Frederiku: -Duket sikur këto vargje janë shkruar në shekullin e artë të poezisë klasike kineze. De Rada është i mbushur plot mrekulli të tilla. De Radën me poetët e vjetër kinezë e lidh natyra, deti, era, stinët. Lëvizjet ciklike të Diellit dhe të Hënës. De Rada është një poet i madh, që vjen nga natyra. Nga konkretja. Edhe metaforat e tij më abstrakte, janë plot.”  (Zeqo, Moikom: Magjia e ngjashmërive, Albania e vogël (mozaik), 15.03. 2009. Edhe titulli i këtij shkrimi është i huazuar nga eseja e Moikomit. Kam bërë një analogji. Shkrimi mban shënimin: Tiranë, korrik 2004), pra i shkruar 15 vjet më parë.

     2.

     Moikomi kishte miqësi me poetin Rreshpja prej më shumë se dyzet vjet. Në studimet e tij enciklopedike, sikundër shkroi me dashuri e kompetencë shkencore për Naimin dhe bektashizmin e tij, për De Radën dhe rrënjët shqiptare, për Ndre Mjedjen dhe figurën e tij poetike të ridimensionuar… etj., në një skedar të posaçëm zënë vend edhe shkrimet kushtuar Fredit dhe krijimtarisë së tij letrare. Këtyre dy fushëpamjeje, Moikomi iu kthye herëpashere, edhe kur Fredi ishte gjallë, edhe kur Fredi u nda nga kjo botë. E kujtoj dhe në ditëlindjen e tij sa herë që vinte, e kujtoj edhe në ditëvdekjen e tij sa herë që vinte, në përvjetore dhe në shumëçka… Nuk di ndonjë autor të ketë shkruar (vazhdon ende të shkruaj) për mikun e tij, autor kaq shumë si në rastin e Moikomit për Frederikun. Një model i tillë vazhdon të mbetet i rrallë në letrat shqipe.

     Në dy shkrimet më të afërta në kohë të Moikomit: “Frederik Rreshpja, tek porta e vdekjes” e “In memoriam për Frederik Rreshpen”, Zeqo hedh dritë të mëtejshme në thellimin e plotësimin e këtij fenomeni letrar që quhet Frederik Rreshpja. Në shkrimin e parë Moikomi përshkruan në mënyrë të detajuar ditën e vdekjes së Fredit. Edhe pse momenti është i kobshëm, në analizën dhe dimensionin shkrimor Zeqo ndalen në katër vatra: a) në raportet e Fredit me poezinë, veçanërisht me këngën e tij kushtuar muzgjeve, b) në raportet e Fredit me Vendlindjen, c) në dritësimin e pemës gjenealogjike të shtëpisë së Rreshpajve, d) në raportet e vdekjes së poetit me kolegët e tij poetë.

     Po citoj disa fragmente:

     -Askush nuk erdhi nga Tirana. Ishin vetëm disa miq që rrinin të heshtur.

     -Shteti u tregua indiferent dhe i pamëshirshëm për shkrimtarin e vdekur.

     -Shkrimtari i shquar nga Shkodra Skënder Drini mbajti një fjalim të shkurtër, tha për Rreshpen se ai ishte “një fortunë njerëzore”.

     Ndërsa në shkrimin e dytë, Zeqo e përkujton Fredin në disa aspekte të tjera të papërmendura në shkrimin e parë. Interesi i tij studimor pikëzohet: - në raportin e jetës së njeriut si dimension me dashurinë për vetveten, - në analizën e poezive të tij që ishin të pazakonta.

     Edhe këtu po citoj disa fragmente:

     -Poezia e Frederik Rreshpes është skema e tij nevralgjike e pashlyeshme, që dimensionohet ne heshtje, delikate dhe e sigurtë, në hapësirën panteonike të poezisë dhe të artit shqiptar.

     -Rreshpja spikati që në fillim si një poet me një talent të çuditshëm, enuin, krejtësisht modern. Përveç poezive, ai shkroi përralla të denja për vetë penën e Oskar Uajldit. 

     -Frederik Rreshpja është rikthyer në fëmijërinë e tij, kur mahnitej nga bjeshkët, sepse ai nuk ka nevojë për purgator, as për hapësira të ndërmjetme, plot gjemba dhe mosmirënjohje, ai shëtit në vise kinse të panjohura, por që i kishte zbuluar shumë kohë më parë, të fantazisë dhe të vdekjes, ai la gjurmë delikate si ato të kaprojve përrallorë, ai artikuloi poezi dhe figura të cilat mund të vërtiten sipas një muzike pitagorike qiellore në amëshim.

  

     3.

     Poeti Moikom Zeqo zbërtheu dhe kodet e vërteta të përrallave të Fredit. Ai e njohu në thelb Fredin. Përcaktimet, sigurisht, vijë nga kulturologjia e tij enciklopedike. Askush më mirë se Moikomi nuk i studioi përrallat e Fredit. Moikomi shprehet kështu: “Çdo shkrimtar i mirëfilltë, është përralltar. Shkrimtari i vërtetë është vetvetiu përralltar i madh.. Frederik Rreshpja është shkrimtar i vërtetë. Vetkuptohet se çfarë përralla di ai të shkruajë.

     Frederiku është ngjizur në Mbretërinë e Fëmijërisë ashtu si ata princat e panjohur por që nuk mund t’i harrojmë asnjëherë. Në çfarëdo moshe, pavarësisht nga thinjat, vuajtjet dhe sëmundjet, Frederiku nuk arrin të mplaket. Ai nuk është i fuqishëm t’i kapërcejë sinorët e Mbretërisë së Fëmijërisë, sepse është më i plotfuqishëm brenda kësaj Mbretërie. Ai bisedon me kafshët dhe shpendët sepse e njeh gjuhën universale të tyre. Ai është i trishtuar sepse e çmon shumë gëzimin njerëzor. Frederik Rreshpja përzien fjalën me pikturën dhe na çudit ne të tërëve me disa koleidoskopë prej ëndrre. Nuk ka jetë më të ndërlikuar dhe më të vrazhdë, nga të gjitha pikëpamjet, se sa jeta e Frederik Rreshpjes. Si një kampion i kontrastit në përrallat dhe në poezitë e tij, ai projekton një botë delikate si ato qelqet e tejdukshme dhe të mrekullueshme veneciane. Pikërisht finesa e Frederik Rreshpjes, është ajo që të trondit më shumë. … Amen! (Tiranë, më 21 maj 2002). (Zeqo, Moikom: Portat pa epilog (proza në muzg), Sh.B. Fan Noli, Tiranë, 2014.; f. 120).

 

***
     Përrallat e Fredit ngjajnë si piktura, që i flasin përjetësisht ëmbël fëmijërisë. Fredi nuk plaket, pavarësisht se e mbështolli gëzofi i vetmisë. “Ai (Frederiku, shënimi im Xh. B.) është i trishtuar sepse e çmon shumë gëzimin njerëzor.” Ky është postulati përrallor që miku i tij i besës Moikom Zeqo, kësaj here (si gjithëherë), e ka pikëzuar çmueshëm lirikun e letrave shqipe, rrezatuesin Frederik Rreshpja. 

     Përrallat e Fredit që u përmblodhën në librin e fundit “Aventurat e fundit të Gishtos” (përralla, Florimont, Tiranë, 2002) nuk janë gjë tjetër, veçse një testament i tij, kësaj here… për fëmijët e fëmijërinë e tyre, për të moshuarit dhe fëmijërinë e tyre. Vetëm një talent si i Fredit na e fali çdo tekst përralle me kaq hapësira të mëdha vezulluese e të ylberta! Nderim!

 

     Shkodër, shkurt 2019

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën