Frika e Bashës, nga zgjidhja 
e krizës! Nga Mero Baze

Frika e Bashës, nga zgjidhja <br />e krizës! Nga Mero Baze
Të gjithë kanë një frikë se mos kriza nuk zgjidhet dhe vendi mund të bëjë pas, por vetëm një njeri ka frikë, se mos kriza zgjidhet dhe ai bën pas. Ky është Lulzim Basha.

Prej dyzetë ditëve që ka hyrë në çadër, ai ka pasur vetëm një objektiv: Të artikulojë kërkesa që të jenë të papranueshme për kundërshtarin dhe aktorët e tjerë që mund të ndërhyjnë në konflikt. Në fillim kërkoi numërim elektronik dhe sulmoi qeverinë pse thoshte se nuk ka kohë, edhe pse në fakt ky numërim kundërshtohet nga OSBE. Kur Edi Rama ofroi një mundësi të përafërt, nëse angazhoheshin për vetingun, ndryshoi tezë dhe tha se nuk shkonte në zgjedhje me një qeveri me ministra si Tahiri, Beqaj etj. Kur Rama bëri disa ndryshime, duke taktizuar me interesat e veta, Basha theksoi se tani është vonë, duhet qeveri teknike dhe largim të Edi Ramës.

Kur hyri në lojë hapur LSI dhe mbështeste kauzën e çadrës, Basha u duk se u trondit një moment dhe mendoi se po bëhej qeveria teknike, duke nxituar të flasë për shtyrje të zgjedhjeve në tetor. Pak më vonë, kur pa që ky rrezik nuk ekzistonte, tha se nuk ishte fjala për qeveri teknike, por për një qeveri të pranuar nga gjithë palët. Tani që bashkësia ndërkombëtare e ka izoluar dhe po i kërkon me çdo kusht një zgjidhje për krizën, po flet për një qeveri teknike, “por jo kukull”.

Kjo është e pakuptueshme, si gjithçka që ka thënë deri më sot, por të marra të gjitha kërkesat e tij së bashku, kanë një kuptim: Ai nuk do zgjidhje që të çojnë në zgjedhje. E vetmja gjë që e trondit Lulzim Bashën, është fakti se mos dikush ofron një zgjidhje normale, dhe atij i duhet ta pranojë.

Për këtë po bën gjithçka që ka në dorë. Po shthur fjalorin. Sot përshembull ilustroi idetë e tij për shtypin me fjalën “prapanicë”. Nesër kam shpresë që do t’i ngjajë Sandrit e do thotë këta gazetarët na çavën k… Është si ata “çunat e mamasë” që të sharat e ndyra i kanë mësuar pas ushtrisë dhe pastaj u hyjnë në qejf e flasin gjithë ditën me fjalë të pista. Dhe ky duket se po e bën zborin në çadër, e së paku po mëson fjalë të pista.

Po përpiqet po ashtu t’ua bëjë sa më të qartë perëndimorëve, se nuk është gati për asnjë zgjidhje, dhe po i bind ata se kriza është artificiale dhe më së shumti, hall i tij. Kjo i intereson më shumë, pasi nxit indiferencën e tyre, ul presionin mbi të, dhe shmang përqëndrimin real për zgjidhje.

Këtë e kanë kuptuar dhe aleatët e tij në çadër, të cilët po flasin me realizëm dhe për ndonjë zgjidhje tjetër, përveç qeverisë teknike, por ai bën sikur nuk dëgjon. E vetmja gjë që e tremb atë është mundësia për ta zgjidhur këtë krizë.

Nëse Edi Rama sot do të ofrojë qeveri teknike, qeveri politike vetëm të PD, zgjedhje të drejtuara nga Arben Ristani e gjithçka tjetër, Basha nuk ka ndërmend të dëgjojë më oferta. Ai ka vetëm një objektiv, si ta mbajë PD-në larg zgjedhjeve, dhe se si të marrë bashkë me PD dhe aleatët e tij, dhe LSI-në në këtë bojkot. Nëse ja arrin, ai e ka realizuar objektivin e tij. Nëse nuk i merr dot me vete dhe e lë PD-në të vetme jashtë zgjedhjeve, do të bëjë të mundur po ashtu shkatërrimin e saj. Pastaj Kuvendi i ri nuk ka më pengesa as për vetingun, as komisionet dy palëshe, pasi opozita zyrtare nuk do të jetë PD, por dikush tjetër në Kuvend. Atëhere do të kemi përballjen reale të Berishës me Bashën, pasi ai e nisi Bashën në luftë, të përdorte PD-në për të shkatërruar vetingun dhe doli nga lufta duke shkatërruar PD-në dhe duke konsoliduar vetingun.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Në pranga me urdhër të SPAK, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja

Në pranga me urdhër të SPAK, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja