Danimarka po u kërkon qytetarëve të rikthejnë zakonin e mbajtjes së parave cash në shtëpi, mes frikës në rritje për sulme kibernetike, ndërprerje të energjisë dhe bllokim të sistemeve dixhitale të pagesave. Autoritetet daneze kanë lëshuar një seri rekomandimesh urgjente për familjet dhe bizneset, duke paralajmëruar se një krizë teknologjike ose një sulm ndaj infrastrukturës kritike mund të paralizojë jetën e përditshme brenda pak orësh.

Banka Kombëtare e Danimarkës rekomandon që çdo person të ketë të paktën 250 korona daneze, ose rreth 35 euro cash, si rezervë emergjence. “Jetojmë në një kohë kur popullsia duhet të përgatitet për dështime të mundshme të të gjitha llojeve”, deklaroi drejtoresha e bankës qendrore daneze, Ulrike Nødgaard.

Sipas saj, qytetarët nuk mund të mbështeten më vetëm te kartat bankare, aplikacionet apo pagesat online, pasi sulmet kibernetike dhe problemet teknike mund t’i nxjerrin jashtë funksionit për orë apo edhe ditë të tëra. Përveç parave cash, autoritetet rekomandojnë që qytetarët të kenë të paktën dy karta pagese të ndryshme dhe të dinë kodet PIN, pasi shumë pagesa offline kërkojnë verifikim manual.

Alarmi në Danimarkë është rritur sidomos pas ndërprerjeve masive të energjisë në Spanjë dhe Portugali, të cilat këtë vit paralizuan për afro 20 orë dyqanet, bankat dhe sistemet elektronike të pagesave. Në ato momente, paratë cash rezultuan mënyra e vetme për të blerë ushqime dhe produkte bazë.

Por shqetësimi më i madh i autoriteteve daneze lidhet me kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike. Kreu i Shërbimit Danez të Inteligjencës, Thomas Arenkiel, paralajmëroi së fundmi se “Rusia po zhvillon një luftë hibride kundër Danimarkës”. Sipas tij, hakerët pro-rusë kanë tentuar të godasin sisteme kritike, përfshirë bankat dhe rrjetet e furnizimit me ujë.

Ndërkohë, Banka Kombëtare Daneze ka paralajmëruar edhe bizneset që të përgatisin plane emergjence për rastet kur interneti ose sistemet e pagesave dalin jashtë funksionit.  Shkak për alarm shtesë ishte ndërprerja e fundit tre-orëshe e sistemit të pagesave të kompanisë Nets, gjatë së cilës një pjesë e madhe e sektorit të biznesit danez praktikisht u bllokua.

Shumë dyqane atëherë nuk ishin në gjendje të pranonin as karta as para në dorë, gjë që tregonte se sa i cenueshëm ishte sistemi. Kjo është arsyeja pse banka tani po rekomandon që dyqanet të zhvillojnë plane emergjence.  Kompanive u këshillohet gjithashtu që të edukojnë punonjësit se si të merren me ndërprerjet e internetit ose rrëzimet e sistemit, si dhe të zhvillojnë plane paraprakisht për situatat kur pagesat standarde nuk do të jenë të mundura.

Autoritetet daneze theksojnë se në epokën dixhitale, paratë cash nuk janë më një zakon i vjetër, por një masë sigurie për situata krize.