ITALI - Tre persona të plagosur dhe një burrë i ndaluar nga karabinierët. Ky është bilanci i incidentit të ndodhur të mërkurën në Monticiano, në provincën e Sienas, pak para funeralit të Giovanna Regoli, bashkëshortes së Luciano Moggit, ish-zyrtarit të lartë të Juventusit.

Një shtetas i huaj, sipas raportimit të La Nazione, humbi kontrollin dhe sulmoi don Paolo Casagrande, priftin që duhej të kremtonte ceremoninë mortore.

Pak sekonda më vonë, burri goditi edhe komandantin e stacionit lokal të karabinierëve dhe një qytetar tjetër, të cilët kishin ndërhyrë për ta ndaluar.

Autori i sulmit të trefishtë, i cili fillimisht arriti të arratisej për shkak të turmës së madhe, u identifikua më pas dhe u shoqërua në komisariat.

Të plagosurit morën menjëherë ndihmën e parë dhe u transportuan në urgjencën e spitalit 'Santa Maria alle Scotte Hospital'.

Për shkak të ngjarjes, funerali u celebrua nga don Virgil Farcas Gherghina, prifti i Arcidosso.

Për incidentin reagoi edhe kryetari i bashkisë së Monticianos, Alessio Serragli.

“Në një komunitet të vogël si i yni, këto janë episode që trondisin. Nga ana e administratës shprehim afërsinë maksimale me personat e sulmuar. Pyesim veten gjithashtu çfarë mund të kishte ndodhur nëse aty do të kishte kaluar një nënë me një fëmijë", tha ai.