Në Konispol eksporti i mandarinave është bllokuar. Gjithçka nisi pas një lajmi për agrumet me pesticide. Fermerët dhe grumbulluesit gjenden sot përballë një krize të paprecedentë.
“Unë, për shembull, kam pesë vjet që nuk grumbulloj pa analiza. Kam një bashkëpunim shumë të mirë me marketet Lidl në Europë. Ata vijnë, marrin mostrat në çdo parcelë, në çdo fermer, bëjnë analizën dhe në bazë të analizës bëjnë tërheqjen e produktit. Deri sot unë kam bërë mbi 100 analiza për sivjet dhe të gjitha janë të përkryera. Në analiza del tek-tuk ndonjë karencë e lartë, por jo pesticide të ndaluara. Janë preparate të lejuara, por që ndonjëherë nuk janë në afatin kohor të vjeljes. Ne, në bashkëpunim me fermerët, vendosim datën e saktë për vjelje. Atëherë nga lindi ky sulm ndaj nesh? Doli një lajm që manderina e Konispolit ishte me pesticide. Po mirë, në cilin treg u kap ajo manderinë? Ku u ble? Ku është marrë mostra? Duhet gjendur gjurmëshmëria përmes AKU-së. Ne kemi dokumente, jo fjalë”, tha Arjol Shero, fermer dhe grumbullues
Fermerët thonë se lajmet e pabazuara kanë shkaktuar panik dhe kanë ‘ngrirë’ eksportet. Ndërkohë që analizat laboratorike, sipas tyre, dëshmojnë të kundërtën.
“Kam të gjitha analizat e bëra në laborator të çertifikuar në Itali. Problemi është se nuk kemi treg. Për momentin tregu është zero. Pse? Për propagandën që është bërë se manderina e Konispolit është me pesticide. Urdhëroni analizat – të gjitha në rregull. Laboratori është italian, parametrat perfektë. Manderina jonë është super për vendin, për Kosovën, për Evropën. Prodhimi im është 50 deri 60 tonë, por s’kam shitur asnjë kokërr. Parcela është emergjente, frutat janë gati për t’u hequr nga dega sepse po tejpjekin. Ajo manderinë që hanë fëmijët e mi, atë manderinë do hanë edhe njerëzit në Shqipëri e në Evropë. Por nëse çmimi bie nën 500 lekë, ne jemi nën kosto. Punojmë kot. Presim nga Zoti, sepse për momentin jemi të bllokuar”, u shpreh fermeri Lulzim Zejno.
Mungesa e tregut dhe pasiguria kanë futur në ankth qindra familje që jetojnë vetëm me kultivimin e agrumeve. Frutat, ndonëse të cilësisë së lartë, po kalben në degë, ndërsa në depot e grumbullimit askush nuk vjen të blejë.
“Kemi bërë analiza në 200 fermerë deri tani dhe të gjitha kanë dalë të pastra. Pa asnjë problem. Nuk ka asnjë rast me pesticide të ndaluara. Produkti është i sigurt për konsum”, shprehet Andrea Pella – përfaqësues i laboratorit analitik.
Ndërkohë që laboratorët flasin për standarde të larta dhe cilësi të padiskutueshme, përfaqësuesit e pushtetit vendor paralajmërojnë se dëmi është kolosal.
“Situata e tregtimit të agrumeve nuk është e favorshme. Qarkulloi një lajm për mbetje pesticide dhe për kthim nga eksporti, por kjo nuk është e vërtetë. Unë vetë e kam verifikuar në sistemin e raportimit të BE-së dhe nga 1 deri në 30 tetor asnjë ngarkesë nga Shqipëria nuk është kthyer.
Fermerët tanë kanë bërë analiza për çdo parcelë, diçka që s’është bërë kurrë më parë. Kjo tregon përkushtim dhe përgjegjësi. Por një lajm i pabazuar mund të dëmtojë një ekonomi të tërë bujqësore.
Kjo mund të jetë edhe një lojë e grumbulluesve për të ulur çmimet. Ndaj bëj thirrje që të kontrollohen farmacitë bujqësore dhe importet e preparateve, jo të rëndohen fermerët me analiza që kushtojnë deri në 200 euro. Ata prodhojnë, paguajnë, dhe në fund mbeten pa treg”, thekson Ergest Dule, kryetar i bashkisë.
Në Konispol janë kultivuar rreth 1 milion pemë mandarina dhe prodhimi i këtij viti arrin rreth 60 mijë tonë, me një vlerë që shkon deri në 30 milionë euro.
Tregu u bllokua në fillim të nëntorit, kur në media qarkulloi lajmi se nje sasi mandarinash ne tregjet e e Tiranës kanë rezultuar me insekticidin e ndaluar periphos methyl por pa specifikuar vendin e origjines. AKU dhe Ministria e Bujqësisë nuk kane reaguar për rastin, duke sjelle me teper paqartesi si per konsumatoret ashtu dhe per prodhuesit.
Komente







