53 familjet e fshatit Sutaj në njësinë administrative të Prrenjasit janë evakuuar deri në shkatërrimin e shkëmbit që ndodhet sipër fshatit, i cili është kthyer në një rrezik serioz për jetën e këtyre banorëve. Bashkia Prrenjas në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile ka bërë të mundur vendosjen e 70 çadrave për strehimin e banorëve deri në zgjidhjen e problemit të shkëmbit të paqëndrueshëm, nga i cili ditët e fundit janë shkëputur disa pjesë. 

Kryetarja e Bashkisë Miranda Rira u premtoi banorëve zgjidhje të këtij problemi, por deri në ndërhyrjen e ushtrisë banorët do të jetojnë në çadra, të cilat janë vendosur mesditën e së hënës. 

Situata është vështirësuar për shkak të reshjeve të shiut dhe nata e së hënës nuk i ka ofruar banorëve aspak siguri për jetën duke bërë që ata të shpërngulen në çadra. 
Në ditët në vazhdim ushtria do të ndërhyjë për shkatërrimin e shkëmbit nëpërmjet eksplozivit.

cadra
 


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)