24 orë pas protestës, disa te rinj opozitare kane zhvilluar ditën e sotme një ''marshim'' simbolike kundër gazit të përdorur ditën e djeshme në protestë, përpara ambienteve të parlamentit. Të rinjtë e FRPD dhe të LRI kanë dalë në një marshim paqësor kundër përdorimit të gazit lotsjellës, duke pasur të stampuar në bluzat e tyre foton e një vajze që dje në protestë mbuloi sytë me shall pas hedhjes së gazit lotsjellës nga ana e policisë.

Të kapur dorë për dore të rinjtë kanë ecur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", duke u ndaluar për disa momente edhe para Ministrisë së Brendshme. Ata mbanin me vetë edhe kundragaz, në shenjë protestë kundër përdorimit të gazit gjatë protestave. Kanë qenë fëmijë të cilët kanë vendosur maska anti-gaz përpara ambienteve të Ministrisë së Brendshme.

"Fëmijët lanë aty kundragazët për t’i treguar qeverisë se në një vend normal protestuesit paqësorë, gratë dhe fëmijët nuk sulmohen me helme kimike", thotë PD në një njoftim për mediat përmes së cilit ka shpërndarë edhe fotot nga ky tubim.

Dje në protestën e nisur tek Kryeministria, që shpërtheu në dhunë tek Parlamenti, policia hodhi gaz ndaj turmës në momentin që protestuesit çanë kordonin e sigurisë me efektivë vendosur para Parlamentit, dhe kur mbështetësit e opozitës nisën të qëllon me gurë dhe mjete të forta ndaj efektivëve, tre prej të cilëve, dhe disa qytetarë mbëtën të plagosur.