Frrok Çupi: Albin Kurti erdhi në Tiranë për të folur me Amerikën

Frrok Çupi: Albin Kurti erdhi në Tiranë për të folur me Amerikën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Një trok kali i duhej kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të mbërritur nga Prishtina. Këtu, fillimisht, u tha se e prisnin Edi Rama dhe Lindita Nikolla, por më vonë rrethi i këtyre “të shtëpisë” u zgjerua e u zgjerua. Megjithatë, në fund, nuk la ndonjë shije sikur ishte ‘vizitë në shtëpinë e madhe’, siç edhe jemi mësuar me togfjalëshin ‘në atdheun amë’.

Jo. Kalërimi vrikthi, ditë e diele, i Albin Kurtit në Tiranë, i ngjante më shumë habitatit të krijuar gjatë sistemit të socializmit kur tjetri priste sa të hapej dita dhe të niste vrapin drejt qendrës më të afërt ku ishte ndonjë zyrë e postës dhe e telefonit.

Albin Kurti erdhi në Tiranë për të folur me ‘ të Tretin’, dhe i treti kuptohet se është shteti Amerikan.

Kërkesa e amerikanëve për të takuar kryeministrin Edi Rama në Tiranë, me sa kuptohet, ishte studiuar dhe madje latuar me kujdes e me kuptim.

Kërkesa mban përbrenda dy anë: Atë që duket për të gjithë, madje edhe për nacionalistët etnikë në Ballkanin Perëndimor, dhe, pjesën e padukshme të ‘Hënës’.

Pjesa e dukshme nga të gjithë, nacionalistë apo mendjehapur në rajon, ishte ankorimi i një qeverie vibrante e të luhatshme, siç është kjo e Kurtit, në një mol të besueshëm siç është Tirana politike. Sa për të qenë transparentë me ata që e duan dhe me ata që nuk e duan ‘ankorimin’ e Kurtit në Tiranë, Tirana është kryeqyteti i një vendi shumë aleat i Shteteve të Bashkuara, anëtar në çift me Amerikën i Këshillit të Sigurimit të OKB, mbajtës i presidencës së OSBE, kryeqytet i vetëm jashtë Brukselit ku u zhvillua samiti i BE për zgjerimin në Ballkan; kryeqendra ku u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit mbi Ballkanin Perëndimor; vendi që para disa muajsh nënshkroi hapjen e negociatave për anëtarësim me BE; njëri nga katër kryeqytetet ballkanikë ku po zhvillohet projekti i një ‘ Ballkani të Hapur’.

Përveçse njëri nga tre shtetet ballkanike me kryeministra të etnisë shqiptare, dhe i pari mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, Tirana politike ka ngjitur lart si asnjëherë kërkesën politike para vendeve të Perëndimit dhe aleatëve të mëdhenj mbi ‘kthimin në vend të nderimit dhe vlerës së Luftës Çlirimtare të UÇK-së’ dhe kërkesën për aplikimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Pra janë dy shtete vëllezër. Askush nga nacionalistët e mbrapsht në Ballkan nuk mund të thotë ‘pse qeveria e Kosovës shkon e falet në qeverinë e Tiranës menjëherë pas Marrëveshjes së Ohrit?”. Janë vëllezër, vëlla.

Kjo është kopertura për ata që kërkojnë ‘qimen në qumësht’.

Ndërsa ‘hëna e plotë’ do të hapej në mes të ditës mbi një gotë vere në drekën e shtruar në një kopsht Tirane, nga kryeministri Rama. ‘In vino veritas’ është fraza latine që do të thotë se ‘në gotën e verës gjendet e vërteta’.

Sigurisht që gjithçka u projektua dhe ndodhi këto tre ditë që nga minuta kur u lajmërua ‘ vizita e Kurtit ditën e Diele’, ka kërkesë dhe mbështetje amerikane.

Ja pse ndodhi ajo që ndodh rrallë: Kryeministri u zgjua që me natë në Prishtinë, ditë e Diele, për takim me kryeministrin në Tiranë.

Në këtë ‘ linjë telefonike’ Kurti do të lidhej me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edi Rama kishte për të folur ‘me vëllain’ jo në emër të Amerikës (siç e përkthejnë menjëherë disa mendjengushtë), por njëkohësisht do të fliste me gjuhën e Amerikanëve, në raport me çfarë po bëhet tani pas Marrëveshjes së Ohrit. Pa pasur asnjë pikë frike se nacionalistët primitivë ose përçarësit do ta marrin ‘për keq’, Edi Rama do të  bënte ‘bisedë amerikane’ me Kurtin e Kosovës. Kjo do të thotë, alla- shqip, se nga ana tjetër e telefonit i është thënë: ‘Pa shikojeni edhe si vëllezër këtë punën e Ohrit, se po na bëri vickla Albini, do ta kemi jo mirë punën’.

Amerikanët, dhe jo vetëm amerikanët si aleatë të mëdhenj të Kosovës, kanë pasur disa eksperienca ‘vicklash’ me Albin Kurtin. Në të dy epokat e qeverive të tij, Kurti ka shtënë me shqelma, veçanërisht kundër Amerikës; disa herë ndryshe është thënë nga Perëndimi e ndryshe është stërthënë nga Kurti; Kurti ndryshe ka deklaruar për votuesit e nxehtë të tij e ndryshe ka thënë në tavolinën e një dhome të fshehtë në Bruksel. Vetë opozita në Kosovë e ka dalluar me shqetësim se Kurti bën politikë ‘guerilase’ kundër Amerikës. Akti më i fundit ishte në Ohër, kur sapo doli nga samiti ‘ hodhi në ujë’ ato që ishin thënë qartë në tryezë buzë liqenit.

Nëse kësaj here prapë bën ‘vickla’ me projektin e Normalizimit, të iniciuar nga Amerika dhe BE, atëherë rajoni dhe politika e Perëndimit do të pësonin goditje të madhe. Nëse dikur ‘piruetat’ e Kurtit janë çmuar si një rrezik në qiell, kësaj here mina e tij mund të shpartallojë muret Perëndimore përballë Rusisë, Kinës dhe Iranit.

Kjo ishte ajo çfarë u shtrua e duhej vendosur me kujdesin si ndaj një mine në drekën mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit.

Mirëpo edhe në këtë rast, Kurti nuk dëshmoi stabilitet në qëndrimin e  tij ndaj Marrëveshjes së Ohrit, dhe kryesisht ndaj dy aleatëve perëndimorë, SHBA dhe BE. Që në deklaratën e tij pas takimit- drekë, Kurti bëri si në Ohër, i dha më shumë rëndësi bishtit se sqeparit. Në Ohër foli për ‘komunat me ashkalitë’ edhe pse pesha ishte për komunat serbe; ndërsa në Tiranë foli për një tufë njerëzish që paska takuar me qëllim që të fshihte takimin me kryeministrin për të cilin kishte kalëruar që nga Prishtina. ‘Kam takuar presidentin,- tha, kam takuar edhe ish presidentin…”.

Me fjalorin “ish president’, Kurti desh t’i hidhte ujë verës së drekës, domethënë bisedës ‘amerikane’ me Ramën.

Atëherë pse nuk takoi të gjithë ish- presidentët, por veç njërin, domethënë dy prej tyre, njëri i vendosur në derën e SPAK dhe tjetri i hedhur tej nga Amerika? (Meta e Berisha janë ‘Një ish president, Një ish kryeministër dhe Njësha në rrezikun për sigurinë)

Albin Kurti nuk ndenji dot pa e çarë ‘kutinë e metaltë’ ku ravijëzohet portreti i tij fizik. Protokolli amerikan u prek duke takuar edhe grupimin e njohur si antiamerikan të Meta- Berishës. Amerikanët e dinë se dyshja që është Një, përbën faktor destabilizues në rajon, e bash për këtë Amerika ka ndërtuar skema të tjera sigurie në shtetin tonë e në Kosovë. Bash për këtë Kurtit i thanë ‘zgjohu herët e nisu për në Tiranë, ditën e diele’.

Druaj se kthimi i Kurtit në Prishtinë i ngjan ‘princit’ që e mblodhi tapetin e kuq nga ku erdhi, me qëllim që nesër të thotë: “Nuk isha unë, a keni prova?!’

G.MO//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Edi: 29/03/2023 09:04

    Ik o frok cupi se ke mare fund. Ngele duke i bere fresk qeverise. Ik se le nam.

    Përgjigju
  • Dardan: 29/03/2023 02:18

    E vetmja zgjidhe eshte kalimi i kater komunave serbe ne veri te Kosoves nen administimin e Serbise dhe pjesa tjeter e Kosoves t'i bashkohet trungut ame-Shqiperise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Eduard Zaloshnja: Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral

Eduard Zaloshnja: Gjykata kushtetuese vs. realiteti elektoral