Frrok Çupi: Jep një Metë dhe merr BE

Frrok Çupi: Jep një Metë dhe merr BE

Presidenti Ilir Meta

Në Elbasan dhe rrethina, fjala ‘metë’ përdoret jo vetëm si mbiemër, por më së shumti si njësi matëse ose pikëmbërritje. Për shembull, Iks person ‘e ka një metë’ që të bëhet…, ashtu e kështu. Ndarja jonë nga Meta president, mund të na çojë në dyert e Bashkimit Evropian (BE) më shpejt se ishte parashikimi. Ilir Meta ka hyrë në bursën politike si një vlerë që me të keqen e tij do t’i japë vlera vendit.

Kështu po ndodh edhe me Gërdecin, me 21 Janarin, me Millosheviçin dhe hijet e tij, me thyerjen e embargos së naftës, me sulmet kundër Perëndimit, me vitin 1997 e 98… Sikur të mos kishin ndodhur vrasjet masive në këto udhëkryqe, atëherë do të thonim se tani tragjeditë po i kthehen kombit si vlerë.

Më në fund, po e japim Metën, por nuk po e japim në tregun e kotësive.

Do të dalim një hap përpara Kroacisë:

Megjithëse Kroacia sot është vend anëtar i BE, ka edhe një avantazh mes vendeve shoqe: Prokurorja e atij vendi ka dërguar në qeli kryeministrin Sanader. Sa herë BE ka dashur të stimulojë ndëshkimin e krimit shtetëror në vendet e Ballkanit ose edhe të Evropës, ka shënuar se ‘Kroacia e bëri, bëjeni edhe ju!’. Sanader është burgosur me një akuzë ‘xhuxhmaxhuxhe’ në krahasim me akuzat që rëndojnë mbi Metën, ai thjesht kishte favorizuar bizneset e Partisë së tij. Kur të hapet ‘kutia’ e Metës, që deri tani- sipas medies- numëron mbi 43 vepra penale, atëherë kroatët dhe evropianët do të shtojnë udhëtimet turistike në Shqipëri për të studiuar fytyra individësh në këtë vend, me kureshtjen “Po si vallë këta njerëz përballuan këtë gjigand të mëkatit në krye të shtetit!”. Vlera e largimit të Metës nuk do të jetë vetëm vlerë turistike, por mbi të gjitha do të jetë provë para popujve evropianë se ‘shqiptarët janë qytetarë të dorës së parë’ që reagojnë dhe ulin nga froni edhe mëkatarin më të madh, siç është Meta. Deri tani ndjeheshim si të turpëruar, evropianët na shikonin me çudi:  ‘Zot, sa shumë durojnë këta shqiptarët’.

Dorëzimi i  Metës do të balancohet me 15 kushtet, a më shumë ndoshta.

Sa herë, deri më sot, burokratët e BE na janë përgjigjur herë me 5, herë me 9, herë me 15 kushte të shtuara në rrugën drejt BE. Ne kemi 30 vjet; para këtyre 30 vjetëve kemi 300 e më shumë, që kërkojmë ‘Evropë’. Por BE na vinte përpara ‘kushtet’. Pas kushteve të BE gëzohej si fëmijë Meta: ‘Lopëve do t’ua jap e jo juve, BE u ka vënë kushte!’, thoshte dhe merrte malet për të vizituar floririn e ‘humbur’!’ As nuk pritej që BE të tregonte se: “Vallë me Metën doni BE?!’. Në vend të kësaj fraze të sinqertë, BE kishte vënë ‘kushtin’ që Shqipëria të hapë epokën e ndëshkueshmërisë. Ja ku e hapim, japim Metën dhe kjo u arrit. Jemi hapa përpara Kroacisë, Rumanisë, Maqedonisë… Tani ne kemi një metë, rrugën e hapur për në BE.

Do të humbim një ‘vend të parë’ në kontinent:

Organizatat e zbatimit të ligjit rreth institucioneve evropiane kishin ngritur një si workshop mbi korrupsionin në një nga kryeqytetet evropiane. Radha i ‘floor’ i erdhi delegatit nga Shqipëria. Në wall-in pas ‘floor’ u shfaq një video e madhe ku zëvendëskryeministri i Shqipërisë shihej tek numëronte 700 mijë euro kur ia dorëzonte ministri i tij, të vjela nga paratë publike si vjedhje. Zëvendës- kryeministri Meta jep porosi të ftohta që ‘të mblidhen më shumë, zoti ministër!’. Njëri nga salla ku mbahej workshpo-i ngrihet e thotë: ‘Tani do të na flasë pala shqiptare se si një shtet mbytet nga krimi’. Që atëherë kontinenti  vuri një metë  se ku arrin e keqja e një kombi kur mban në krye njerëz si Meta. Ne vazhdonim ta dëgjonim Metën si do të na shponte barqet me sfurqe, si do të na priste duart ‘që vjedhin’, si do të ngrinte stuhitë e revolucionit dhe të na bënte si milingona. Por tani duket se mbaroi ai Metë (ajo metë). Gjykata Speciale që hapi dosjen e Gërdecit, ku qeveria Meta- Berisha kryen vrasje masive në emër të grabitjes dhe korrupsionit, më duket se ka hapur portën. Përmes kësaj porte Drejtësia do të shkojë drejt krimeve monstruoze që janë kryer në vendin tonë këta 30 vjet. Mund të vijë puna që Hollivudi të bëjë një film të dytë mbi triumfin mbi ‘peshkaqenin’. Që këtu do të zhbirilohen 21 janari, embargo e naftës, trafiku i armëve, i qenieve njerëzore dhe drogës, skemat piramidale ‘Pozzi’, lufta e vitit 1997 e 98…

Të paktën ky vend me diell do të shikojë një ditë të qartë me Drejtësi dhe pa metë të keqe. Këtë shans na dha Meta në fund.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tahir tarfyci: 11/05/2021 05:43

    Mir e ke o frrok,por edhe sa na duhet te shkojm atje???????????????????????????? Keto shushunja kan 30 vjet qe tallen me ne dhe me Europen. Kur do vij ajo dit qe politikanet tane kriminala dhe hajduter te vjellin gjen e vjedhur??????????????? Shkoj shum gjat dhe sic duket do presim akoma sepse keta qener ikan kopsitur gjerat aq mir nga 30 vjet sa qe eshte mjaft e veshtir te bien nga fiku. Megjithate shpresojm.

    Përgjigju
  • O tej: 10/05/2021 17:17

    Po ke qelluar ne shenje o Frrok.

    Përgjigju
  • Korca: 10/05/2021 15:17

    Shume shkrim i bukur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Era e fortë në Lezhë, mbesin pa energji elektrike disa zona! Mjeteve të vogla të peshkimit iu kërkohet të mos dalin në breg

Era e fortë në Lezhë, mbesin pa energji elektrike disa zona! Mjeteve të vogla të peshkimit iu kërkohet të mos dalin në breg