Frrok Çupi: Këta që nuk po i gjejnë një dhëmb Saliut

Frrok Çupi: Këta që nuk po i gjejnë një dhëmb Saliut

Sali Berisha

Këta, prapë po kërkojnë nëpër nofullat e tij të hapura; prapë nuk duket se ka mbetur gjë nga dhëmbët e hershëm. Atëherë, në një kohë të zezë, ky të merrte në qafë. Po të ishte atëherë dhe ti të hyje në zyrat e Ushqimit të Ushtrisë që u quajt SHQUP dhe PD, ti nuk e di çfarë të priste… Të priste një pamje horror: Ai, me dhëmbët e tij mund të hante Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, PD-në, restorantin ku hanin oficerët e Ushtrisë komuniste, sallën e Teatrit, banjat dhe toiletet- njëherësh.

Ndërsa tani ka mbetur si një gërdallë; as armë, as dhëmbë. Armatimi fundit i Sali Berishës shpërtheu në Gërdec, ku hapi gojën me zjarr dhe vrau një fëmijë 7 vjeçar dhe 26 burra e gra të tjera. Dje hyri në skutat e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë që quhet SHQUP, dhe pa disa armë të lëna ty që në periudhën e Mao Ce Dunit dhe u tmerrua: iu duk sikur ishin armë të NATO-s dhe ia mbathi me të katra.

Por mbetën të tjerët. Të tjerët rreth tij po shpresojnë se në gojën e Saliut ka mbetur ndonjë dhëmb, dhe prandaj po i shkojnë pas me shpresë. Arben Ristani, një shërbëtor i pa formë i Saliut (më parë i Ilir Enver Hoxhës) ngriti botën më këmbë dhe tha se në fund të shpellës po shikonte ‘një dhëmb që qenka ende i gjallë’. Ai dje deklaroi se një dhëmb i Sali Berishës mund të hante gjashtë fuqitë e mëdha të botës, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Italia. Ambasadorët e të gjitha fuqive vizituan dje selinë e PD pas invazionit të Berishës&Co. Zoti Ristani, pinjolli i një familjeje që fotografonte çdokënd që paguante 25 lekë, dje fotografoi dhëmbin e vetëm që ka mbetu në gojën e Saliut. Pas kësaj njoftoi gjithë botën e pa shpresë se ‘po shikoj një dhëmb, dhëmbin që do të hajë botën!’.

Një jetë të tërë servilët rreth Berishës shqiptar, kanë thërritur nëpër botë se ky do të hajë Amerikën dhe Evropën. Këta, si islamistë të dhunshëm dhe kamikazë të ‘Shtetit Islamik’ të Berishës kanë mbushur me shpresë dhe me slogane juridike ata me njerëz të inkriminuar Stadiumin Qemal Stafa. ‘Hasana e Baraba!’, thoshte Fan Noli për këtë kategori. Sali Berisha është shpallur tani një nga terroristët ndërkombëtar, por këta duan t’i shikojnë një dhëmb në fund të grykës. Këta i shkojnë pas me shpresë se Saliu do të përdorë armët e tij kundër popullit, dhe këta të fitojnë pushtet.

Koha kur Berisha kishte dhëmbë nuk përmendet, sepse po u përmend tani, do të ngjallte frikë te fëmijët. Fëmijët dhe adoleshentët kanë lindur pas viti 1996 kur u gjakos sheshi Skënderbe nga gjaku i opozitarëve. Fëmijët dhe adoleshentët kanë lindur pas viti 1997 kur ky ngriti popullin e Veriut për të rrjepur popullin e Jugut; Fëmijët dhe adoleshentët kanë lindur pas vitit 1998, kur Sali me plot dhëmbë në gojë, kreu grushtin e shtetit. Ja, njësoj si dje në selinë e PD. Por ndryshimi është se, ndërsa sot nuk ka dhëmb në gojë, atëherë kishte dhëmbë në formën e tankeve dhe të njerëzve budallenj…

Ja pra pse i shkojnë pas dhe Saliu nuk është i vetëm.

Po të ishte i vetëm, Sali Berisha nuk mund të hynte në selinë e Partisë Demokratike për të terrorizuar politikën dhe për të lëshuar mesazhe në drejtim të qytetërimit perëndimor se ‘unë nuk pyes për ju, do ta mbys demokracinë’. Por nëse servilët e tij nuk do të ishin të korruptuar dhe të inkriminuar, as që do të kishin takat të futeshin ne shpellat organike të Berishës dhe të shikonin ‘shpresë’!. ‘Heeej, atje ka mbetur edhe një dhemb!’, thërrasin teksa largohen nga ‘beteja’.

Mirëpo nuk ka mbetur asgjë, fatkeqësisht për ta.

Po të kishte mbetur qoftë edhe një dhëmb në gojën e Sali Berishës, këta që ka përballë as që do të guxonin të ishin përballë. Madje, as Luli që i qëndroi gjithnjë nën sqetull, nuk do të guxonte të ndodhej përballë në SHQUP. Kjo është një histori e trishtë: Dhunuesi i jetës së qytetarëve shqiptarë në Demokraci, do të ndodhej i vetëm para murit të superfuqive. Superfuqitë po e çmontojnë.

Na ka mbuluar me një turp historia politike e dy shekujve të fundit: Udhëheqësit e tmerrshëm të kombit na i hoqën qafe të huajt, vetë ne nuk arritëm dot.

‘E huaj’ quhet edhe vdekja që mori Enver Hoxhën.

Ndërsa të tjerët nuk e arritën Enverin. Haxhi Qamilin e vranë ushtarët serbë në Qukës të Librazhdit; që në atë moment fuqitë e Perëndimit lavdëruan fatin që Shqipërinë e pushtuan ushtritë serbe dhe çliruan shqiptarët nga një dhunues si Haxhi Qamili.

Pastaj i hoqën qafe Ahmet Zogun, që tani e konsiderojnë një ‘demokrat’. Ai, sigurisht, nuk krahasohet as me Enverin, as me Saliun. Por e la vendin me tradhti duke i dhënë mësime pasardhësve se ‘kundërshtari vritet edhe në shpellë’.

Sali Berishën nuk do ta hiqnin qafe as tërmetet e mortshme nëse nuk do të ishte fuqia e Shteteve të Bashkuara dhe e Perëndimit, ai do të hante me gojën e hekurt gjithë jetën e vendit. Por ja që ndodhi eliminimi i gojës së hekurt.

Ndërsa të devotshmit e tij po shpresojnë se ‘kanë parë një dhëmb në gojën e thellë’. Por kur të kuptojnë se aty nuk ka asgjë, atëherë të devotshmit do të hanë ‘liderin’.

Nja tre a katër budallenj rreth tij vijnë rrotull, shikojnë në një gropë të errët dhe japin alarmin ‘Eureca’, sikur kanë parë një dhëmb në gojën e Berishës. Por edhe ky është veç iluzion. Bye, Sali!

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës