Frrok Çupi: Lajmi se dikush po do të vrasë prokurorë dhe gjyqtarë

Frrok Çupi: Lajmi se dikush po do të vrasë prokurorë dhe gjyqtarë

SPAK

Lajmi është shpërndarë sot, në mënyrën më serioze, nga përfaqësuesja e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, zonja Yuri Kim. Ajo tha se ‘ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet për të joshur ose frikësuar gjyqtarët dhe prokurorët, për të shtrembëruar drejtësinë, për të këmbëngulur në mosndëshkimin e të fuqishmëve…’.

Me sa merret vesh është kërcënuar vetë prokurori i SPAK, Arben Kraja; është kërcënuar edhe prokurorja që ka në dorë dosjen hetimore të klubit sportiv ‘Partizani’. Me siguri ka edhe të tjerë në radhë: Gërdeci, 21 Janari, Cez- Dia, Trebicka, Santo… Drejtësia nuk është fushë me lule, aq më tepër mes krimeve të mëdha të ‘pa kallura’.

Efektet e kërcënimeve ‘me jetë’ i pamë dhe i ndjemë qytetarisht:

E para,

se politikanë të ‘rëndë’ që kanë vepra në prokurori, u mbështollën me ‘pambuk’ dhe u lanë në hije që të mos ‘pëlcasin’. U thyen agjendat e lajmëruara. Të gjithë hapën sytë: ‘Uau!, ça po ndodh?’. As zoti Sali Berisha nuk u thërrit në dyert e SPAK, siç kishte deklaruar vetë Prokurori se do të ndodhte javën e kaluar dhe një javë më parë. As bashkëpunëtorët e Berishës në dosjen ‘Partizani’, nuk u njoftuan, siç ishte deklaruar zyrtarisht. Madje as dhëndri nuk u shqetësua…

Kjo ishte e para.

E dyta,

afera për ‘pastrim parash’, akuzë mbi Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, planifikuar për javën e kaluar, u la në gjumë.

Prokurori nuk doli para qytetarëve që të tregonte ‘pse nuk u zgjuan të shpallurit nga Prokuroria’. Nuk po shikohet në asnjë ekran një fytyrë aty prapa hekurave.

Doli sot zonja Yuri Kim, ambasadore e Shteteve të Bashkuara, dhe tregoi të vërtetën: ‘Joshje dhe frikësim për gjyqtarët dhe prokurorët!’, kjo po ndodh.

Kjo është hera e parë në historinë e Drejtësisë shqiptare kur ‘prokurori dhe gjykatësi’ dëshmon se kërcënohet nga politikanët. As nga kriminelët nuk janë rrezikuar deri më sot. As nga varfëria, mungesa e luksit dhe strehimi nuk rrezikohen kurrë.

Tani që prokurorë dhe gjykatës kërcënohen, tani po- mund të kemi fillimin e Drejtësisë. Deri më sot, gjyqtarë dhe prokurorë ishin në të njëjtën flluskë me politikanët më të egër në krim e korrupsion. A kërcënoi Berisha, në karrierën e tij,  ndonjërin prej këtyre? Sepse as ndonjëri prej tyre nuk ia prishi qefin familjes më të korruptuar të globit. Gjashtë vjet pas nisjes së Reformës në Drejtësi, gjykata dhe prokuroria është e mbushur me ‘krushq’ të Berisha- Metës. Nuk ka një korridor në gjykatën e Tiranës ose të Sarandës ku nuk flitet nëndialekti tropojan.

Tani marrim lajmin se ‘prokurorë e gjykatës janë të kërcënuar!’  Domethënë nisi një shpresë për Drejtësi. Ata që nuk kishin kurrë frikë, ata po kërcënojnë Drejtësinë. U shkelën thembrat e ‘Akilëve’ kriminalë.

A jemi ne që duhet të ‘lotojmë’ me keqardhje për kërcënimet kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Pyetja duket pak e pamëshirshme, sepse edhe gjyqtarë e prokurorë janë ‘qenie njerëzore të veshur me një veladon’. Por janë edhe ‘qenie njerëzore që ua kanë nxirë jetën qenieve të tjera’. Askush nga viktimat (me mijëra) nuk i ka kërcënuar gjyqtarë e prokurorë, edhe pse të dhunuar prej tyre.

Ndërsa me politikanët e korruptuar i kishin ‘mprehur qetë së bashku’ dhe lëronin jetën e popullit. Çudia më e madhe ka ndodhur me Drejtësinë e vendit tonë, për tre dekada: Asnjë konflikt mes gjyqtarit dhe politikanit; asnjë fare. Ndryshe ndodh në botën e qytetëruar: Gjyqtarë e prokurorë kërcënohen pa pushim. Gjyqtarët federalë të SHBA ishin objektiv i më shumë se 4,500 kërcënimeve dhe komunikimeve të tjera të papërshtatshme vitin e kaluar, u tha  gazetarëve kreu i Shërbimit të Marshallëve të SHBA, Ronald Davis. Ka arsye pse kërcënohen: Sepse ka jetë në Drejtësi.

Gjykatës e prokurorë të drejtë, kudo, edhe këtu, i mbron shteti dhe e drejta e popullit.

Me lajmin e djeshëm këtu nisi epoka kur politikanë të zhytur në krim e korrupsion po kërcënojnë gjyqtarë e prokurorë… Domethënë ata u prekën, nuk ishin prekur kurrë.

Nuk është lajm i keq; është më i miri mes lajmeve të kobshme që ka prodhuar lidhja e drejtësisë me politikanët kriminalë.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!