Kjo është hera e parë që thuhen së bashku fjalët ‘Europa e Ballkanit’. Kjo është Shqipëria. Nocioni u tha në Tiranë, kur Tirana, në përshkrimet e gazetarëve, ishte thërritur ‘dy ditë qendër e Europës’.
Liderët më të lartë të Unionit u ulën në Tiranë në Samitin BE- Ballkan Perëndimor. Presidenti i Francës, Macron, që nga Pallati i Mbretërisë në kodrën mbi Tiranë, i vuri Shqipërisë këtë emër: ‘Europa e Ballkanit’.
Gjithë ngjarja politike e Samitit të Berlinit mbi Ballkanin Perëndimor, këtë portret kishte vizatuar për vendin.
A thua, më mirë të mos ishte thënë nocioni “Europa e Ballkanit?
Po të besosh se ‘më mirë të mos ishte thënë’, atëherë i bie që Ballkani të kthehej te ‘hudhra’. Do të thotë se ‘për gjënë e mirë mos fol’, ose të paktën mba një hudhër në xhep. Domethënë mos e merr mësysh Shqipërinë që po radhitet me shoqet europiane. Duket se disa fuqi shtetërore nuk e pritën mirë përcaktimin si ‘Europa e Ballkanit’.
Greqia tha dy fjalë me gazetarët, edhe këto fjalë dëshpërimi, shijoji Samitin dhe Artin, dhe iku. Edhe Serbia, me kryeministren që nuk i qeshi fytyra. Fatkeqësisht, edhe kryeministri i Kosovës, bëri sikur buzëqeshte në krah të një shqiptari tjetër, Dritan Abazoviç, por në fakt nxinte… Po të mos kishte mbërritur Shqipëria në pikën e lartë ‘Europa e Ballkanit’, të gjithë do të kishin ikur të lumtur siç erdhën.
A thua do të duhej të mos e thoshte presidenti Macron, dmth., Franca?
Nëse flasim për shekuj më parë, ose edhe disa dekada më parë, më mirë të mos ‘ishte ngatërruar Franca’ në këto punë ballkanike. Ndoshta edhe tani, sidomos shqiptarët e shpërndarë në katër shtete, do të drejtojnë gishtin e akuzës ndaj Francës si ‘aleate e sllavëve’. Sidomos në Kosovë, ku qeveria Kurti ka shpëlarë një pjesë të trurit militant. Në Prishtinë Kurti mund ta shpallë Macronin një ‘person non grata’.
Por a ishte Franca në krah të sllavëve ose të një ‘aleati para- shekullor’? Franca me ‘mbretin’ e saj u ul në Tiranë me gjithë kapitalin kulturor që lidh Tiranën me Parisin dhe Shqipërinë me Perëndimin. Këtë e përcolli përmes shkrimtarit të shquar shqiptar Ismail Kadare, që është po aq shqiptar sa parisien në Paris.
Atëherë, edhe alibia e ‘aleancave me sllavët’ ra. Mund të ngrihet një alibi tjetër, se Franca lidhi aleanca me shqiptarët e Shqipërisë, nga më të fortat në botë. Fuqitë Perëndimore e kanë aleancën me arritjet demokratike e qytetëruese të kombeve dhe qeverive të tyre. Kjo do të thotë se zoti Macron, presidenti i Francës, bëri mirë që ‘bombën’ qytetëruese e shkarkoi në Tiranë.
A mos vallë duheshin kursyer edhe pak Athina dhe Beogradi?
Në fakt, pikërisht këtë gjë bëri presidenti Macron. Ai nuk deshi tua zbehte shkëlqimin e triumfit grotesk as Athinës, as Beogradit dhe as Prishtinës politike. Zgjodhi të mbërrijë me vonesë në Tiranë. Me vonesë, domethënë, në të mbaruar të festës së Samitit të Procesit të Berlinit mbi Ballkanin.
Deri në atë moment kryeministri i Greqisë kishte lëshuar kërcënime kundër Shqipërisë për shkak të një vendimi gjyqësor ndaj një militanti të dyshuar me emrin Beleri. Deri në atë moment, Bernabiç e Serbisë kishte deklaruar se ‘nuk i ka punët mirë me kryeministrin e Shqipërisë që kërkon sanksione’. Deri në atë moment, edhe Albin Kurti i kishte shkarkuar ‘retë e zeza’ kundër Shqipërisë.
Të gjithë kishin ikur për në kryeqytetet ballkanike që u përkasin.
Në këtë moment mbërriti presidenti i Francës dhe e shpalli Shqipërinë ‘Europa e Ballkanit’. Me këtë rast ra primati i tre kryeqyteteve të tjerë. Ra primati i Athinës si kujdestare e Ballkanit që nga përmbysja e komunizmit deri në Konferencën e Selanikut e më këtej.
Ra primati i Beogradit në Ballkan që nga shekulli 19 deri pas Luftës së Dytë, se aty ‘nisin ose shuhen’ luftërat ballkanike. Ra edhe primati i Prishtinës së Vetëvendosjes që projekton luftëra dhe sherre në rajon, sidomos me Shqipërinë.
Atëherë, të gjitha këto kryeqytete ndodhen në zemërim, por Tirana bëhet ‘kryeqyteti Europian i Ballkanit’.