Frrok Çupi: Si Bajram apo si Jezus në Kosovë!?

Frrok Çupi: Si Bajram apo si Jezus në Kosovë!?

Bajram Begaj në Prishtinë dhe delegacioni që e shoqëronte

Nuk mund të bjerë burri në shteg më të ngushtë se sa ra dje e pardje Bajram Begaj në Kosovë: Kur i duhej që të shfaqej si ‘Bajram’, dmth i hazretit Muhamet, në atë sekondë i kërkohej me qenë ‘Jezus’…, e mandej e kundërta. Vizita e presidentit shqiptar Bajram Begaj, që ishte vizita e tij e parë në post, përkoi me valën e marrëzisë politike për të mbuluar kokat e vajzave në shkollat e Kosovës.

Zoti Begaj e vuri këmbën e parë në Prishtinë  bash ditën pasi Irani plagosi me thikë shkrimtarin Salman Rushdie- ikonën e ‘djallit’ që Perëndimi e mbronte prej katër dekada. Disa media në Shqipëri, në titra të gjata shkruan se Salman Rushdie është ‘shkrimtar shqiptar’. Edhe Bajrami, në Labëri thërritet ‘Barjam’…

Shumë e ngatërruar! Në mes të kësaj vorbulle, presidentit Begaj iu desh  të notonte në absurdin kosovar. A do të mund ta zgjidhte shtegun mes Muhamedit e Jezusit? Presidenti e shmangu besimin fetar dhe iu referua NATO-s dhe BE-së. Por politikanët djallëzorë e dembelë kosovarë prapë mundën që, mes dy fuqive të Perëndimit dhe zotit Begaj,  të fusin frymën e Egjiptit në vitin 1801 kur u vendos aty si sundimtar shqiptari Muhamed Ali.

-A je me ne, apo me Serbinë?

Afërsisht kështu iu drejtuan zotit Begaj, siç iu drejtuan Muhamed Aliut në Egjipt: ‘Je me Portën apo me mamlukët?!”.

Ngatërresën e tre elementëve: Tiranë, BE, NATO, politikanët djallëzorë e kryen kur i kërkuan shqiptarit të Tiranës  dy gjëra absurde për kohët moderne. I kërkuan ‘thuaji Perëndimit (Jezus) të vijë të rrahë pak këtë Serbinë, se nuk flemë të qetë!’. Kjo ishte e para. Dhe e dyta ishte: ‘Merre ushtrinë tënde (dmth të NATO-s) e hajde të na mbrosh (Muhamedi)’…

Pse e krahasova me ‘mamlukët’ e fillim- shekullit 18? Sepse kaq shumë harruan liderët kosovarë se NATO i çliroi, me luftë të madhe madje, nga represioni i Millosheviçit; e tash ia kërkojnë prapë ‘të sulmohet fqinji që të sundojmë rehat në varfërinë tonë’. Sa herë bie shiu në lakra, i trokasin fqinjit: ‘Eeej, na devijo vadën’.

Në kohën kur presidenti po bluante dilemën si të zgjidhte ‘ta rrihte Serbinë prapë me ushtrinë e NATO-s’, për fat u fikën dritat në Kosovë dhe e zgjidhi qeveria e Tiranës. Se përndryshe do ta kishin quajtur ‘tradhtar’ dhe ‘pro- serb’, siç edhe e etiketuan disa.

Kurrë nuk ka qenë rruga e shtruar me murriza, si kësaj here, për Bajramin në Kosovë. Jo pse e kishin shtruar enkas për presidentin e Shqipërisë, por se ashtu janë bërë kaçurrel punët.

Shiko çfarë ndodh, si mes Bajramit e Zeusit:

1.

Vetë qeveria e Kosovës është betuar si ‘qeveri e Republikës’ së Kosovës, por kurrë vetë nuk e ka njohur Republikën e Kosovës…, as flamurin, as rezolutën 1244, as Rambujenë, as Marti Ahtisaarin. Sa herë janë shfaqur dilema: ‘Ta njohim Amerikën, apo vetëm BE-në?’. Rruga e turbullt i ka prurë deri në ditën e sotme që Republikën e përfytyrojnë si kurorë për një ‘komb mysliman’.

2.

Presidentin Bajram Begaj e prinë për të varri i Ibrahim Rugovës, i pari president dhe themelues i Republikës. Por ndërsa Kosova gjëmon nga debati mbi shamitë e përkrahura prej qeverisë, presidentin ikonë Kosova e ka katolik; emri kristian i Rugovës është Pjetër. Edhe disa autorë kosovarë po çirren me gishta në vesh se Kosova nuk është republikë myslimane. ‘Pa shikoni sa myslimanë keni?, shkruan Liri Loshi; as 10 për qind. ‘A e njihni kombin tuaj?’, i drejtohet qeverisë. As myslimanët nuk janë myslimanë… Në festa po shkojnë sigurisht, por nuk bien shahadet, veç kur tuten, kur u kërcet reja para këmbëve’.

3.

Edhe një autor tjetër që thotë se ‘shamia na ka ruajtur Kosovën prej pushtimit serb’:

Ky e ka emrin Abdylaqim Mehmeti. Kur ia do puna të harrojë myslimanizmin, e lëshon emrin Abdylaqim dhe e quan veten ‘Kim Mehmeti’; një herë Jezus, një herë Bajram. Edhe presidentët shqiptarë e kanë bërë të njëjtën gjë: Kishim një president me dy mbiemra: Metaj dhe Meta. Kishim një tjetër, para këtij, me dy ditëlindje: 15 korrik dhe 15 tetor. Në këtë rast emri dhe ditëlindjet u fshehën për shkak të krimit. Megjithëse mos harrojmë se edhe prapa abuzimit me Jezusin e Muhametin, fshihet krimi në gjithë historinë.

4.

Presidentit Begaj iu kërkua që ‘këtu në Kosovë’ mos mendo se je ‘vet-i-dytë’. Mësimi i Aristotelit se ‘kundërshtomë vëlla, që ta di se jam vet-i-dytë’, këtu u fsheh pas perçes. Po të kishte një mendim ndryshe nga politika e lodhur e Prishtinës, Bajram Begaj do të quhej menjëherë ‘në shërbim të Vuçiç’. Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, kur u pyet ‘çfarë folët për Ballkanin e Hapur’, ajo tha thiktë: ’Nuk ra radha për çështje që nuk jemi dakord’. Osmani kinse kishte në kokë kasetën me fjalët e Bajramit, dhe e fiku makinën.

Mendoni sikur të binte fjala për Jezusin, as që kishte për të pasur radhë deri në vitin tjetër Zero…

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tosi: 17/08/2022 13:53

    Edhe nje tjeter e kemi, me Edi dhe Edvin. Madje edhe me shtate gra. Apo nuk ta permban vija e sjelljes nga Beogradi...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja