Frroku rrëzon Doshin sy më sy: 
Nuk kam ditur gjë për atentatin

Frroku rrëzon Doshin sy më sy: <br />Nuk kam ditur gjë për atentatin
TIRANE - Deputeti i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku i ka rrëzuar sy më sy Doshit, pretendimin se ka qenë ai personi që e ka lajmëruar për një atentat të mundshëm ndaj tij gjashtë muaj më parë. Pas dy orëve dëshmi në zyrën e prokurorëve, në një ballafaqim me Tom Doshin, kolegu dhe miku i tij, është shprehur për A1 Report se i ka qëndruar dëshmisë që dha të premten kur tha se nuk ka pasur asnjë dijeni për atentatin.
 
Gazetari i A1 Report Arsen Rusta pyeti deputetin Frroku

Cili ishte qëndrimi juaj?
Si në datën 6 para prokurorëve

Doshi dhe Frroku kanë nxehur gjakrat teksa janë ballafaqur të dy në prani të prokurorëve. Për shkak të gjendjes së acaruar, prokurorëve u është dashur të ndërpresin dy herë seancën e ballafaqimit, për të anashkaluar çdo situatë tjetër të pakëndshme mes dy deputetëve. Vetë Tom Doshi, njeriu që ka sjellë të gjithë këtë histori vrasje në dyert e prokurorisë, i ka kërkuar ish-shokut të tij të ngushtë që të mos gënjejë por të tregojë të vërtetën. Sipas burimeve të prokurorisë, Tom Doshi gjatë seancës së ballafaqimit i ka kërkuar Frrokut që ta shihte në sy dhe mos e mbante kokën ulur, por të tregonte atë që i kishte thënë vetë ai, që kërkonte ta vinte në dijeni të një komploti që po i bëhej Doshit për ta vrarë.

Me këtë dëshmi, Frroku rrëzon për së dyti alibinë e Doshit, i cili deklaroi publikisht në media se ishte kolegu i tij i kristian demokrates që e kishte sinjalizuar për planin e vrasjes së tij gjashtë muaj më parë dhe që e kishte prezantuar me Durim Bamin, personi që Doshi pretendon se ishte paguar nga Meta për eliminimin fizik të tij. Kjo përbën një kthesë rrënjësore në hetimet e nisura pas deklaratave publike të deputetit të përjashtuar nga PS se kreu i Kuvendit Ilir Meta kishte paguar 600 mijë euro për eliminimin fizik të tij dhe të deputetit demokrat të Lezhës Mhill Fufi. 

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ishte një ditë e ngjeshur me marrjen e dëshmive, ku më historikja ishte ajo e ish-kryeministrit Sali Berisha. Për herë të parë gjatë karrierës së tij politike, deputeti demokrat u përball me organin e akuzës, ku edhe pse deklaroi përreth 50 minuta para prokurorëve, zoti Berisha nuk bëri publike asnjë fjalë nga çfarë dëshmoi përpara prokurorëve. Berisha u ftua për të dëshmuar  nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me deklaratat që bëri nga Kuvendi se e dinte për atentatin e mundshëm ndaj Doshit tre muaj më parë.

Berisha për herë të I në prokurori: Vij me kënaqësi..asnjë fjalë për dëshminë

I pari që u pyet në këtë çështje të enjten e kaluar ishte deputeti Doshi, ndërsa edhe krerët më të lartë të politikës iu përgjigjën pozitivisht ftesës së Prokurorisë, ku të premten dëshmuan kryeministri Edi Rama, kryeparlamentari Ilir Meta, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe deputeti i Partisë Kristian Demokrate Mark Frroku.

Ora 19:23 Agim Rama një orë në Prokurori për t'iu përgjigjur për akuzat
Agim Rama ka dhënë dëshminë e tij për rreth një orë në Prokurori. Ai ka shkuar në prokurori në orën 18:00 dhe ka qëndruar aty deri në 19"00. Agim Rama kunati i Sali Berishës është paraqitur në Prokurori për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me implikimin që ka në atentatin ndaj Doshit. Agim Rama është akuzuar nga Spartak Braho si person që ka porositur vrasjen e deputetit Doshi dhe Fufi.

Ora 19:15 Prokuroria thërret për të dëshmuar Dritan Priftin
Prokuroria ka thërritur për të dëshmuar Dritan Priftin pasi ai cilësohet se ka dijeni për atentatin ndaj deputetit Tom Doshi. Njoftimi për thirrjen i ka shkuar Priftit pasditen e sotme ndërkohë që ai vetë ka njoftuar se do të shkojë të japë dëshminë e tij në orën 9 të mëngjesit.

Ora 17:35 Kryeprokurori Llalla takim me Ramën në Kryeministri 
Burime për A1 Report kanë konfirmuar se Kryeprokurori i Përgjithshëm është thirrur nga kryeministri Edi Rama për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe çështjen Doshi. Sipas burimeve gjithë takimi ka zgjatur vetëm pak minuta. Pas takimit Llalla është larguar nga kryeministria.

Ora 15:10 Tom Doshi le prokurorinë 1 orë e 10 minuta pas Frrokut
Tom Doshi ka lënë prokurorinë në orën 15:10 pra rreth 1 orë e 10 minuta pasi kishte dalë deputeti Mark Frroku. Pas daljes së Frrokut Doshi ka folur vetëm për vetëm me hetuesit. Me një orë e 10 min diferencë nga dalja e deputetit Frroku, ambientet e Prokurorisë i ka lënë dhe Doshi i cili është shprehur se nuk ka asnjë koment për çështjet në hetim.
Ballafaqimi I dëshmive të dy deputetëve erdhi pas kërkesës së prokurorëve pasi në dëshmitë e tyre Doshi dhe Frroku pak ditë më parë ishin kontradiktorë.
A1report ka mësuar se seanca e sotme e ballafaqimit ka qenë e tensionuar midis deputetëve ku për disa momente prokurorët kanë kërkuar dhe pushim.
Këtë të hënë deputetët Tom Doshi e Mark Frroku mbërritën të veçuar nga njëri tjetri duke zgjedhur të mos takohen as në hyrjet e prokurorisë, 

doshi
Foto të tjera

Ora 13.50 Frroku dy orë ballafaqim me Doshin, për A1 Report: I qëndroj dëshmisë së parë
Pas dy orëve dëshmi në zyrën e prokurorëve, në një ballafaqim sy më sy me Tom Doshi, deputeti i Partisë Kristian Demokrate, njëherësh mik i tij, është shprehur për A1 Report se i ka qëndruar dëshmisë që dha të premten kur tha se nuk ka pasur asnjë dijeni për atentatin që deputeti i përjashtuar nga PS pretendon se ka pasur ndaj tij.
 
Me këtë dëshmi, Frroku rrëzon për së dyti alibinë e Doshit, i cili deklaroi publikisht në media se ishte kolegu i tij i kristian demokrates që e kishte sinjalizuar për planin e vrasjes së tij gjashtë muaj më parë dhe që e kishte prezantuar me Durim Bamin, personi që Doshi pretendon se ishte paguar nga Meta për eliminimin fizik të tij.
 



Ora12.50 Përfundon dëshmia e Fufit, i qëndron deklaratës së parë
Pas 50 minutash ka përfunduar dëshminë para prokurorëve deputeti demokrat Mhill Fufi. A1 Report mëson se Fufi i ka qëndruar deklaratës së parë që dha për mediat në lidhje me pretendimet publike të Doshit. Fufi mësohet të jetë shprehur në organin e akuzës se nuk ka pasur dijeni për një plan të mundshëm për eliminimin fizik të tij dhe as që të jetë marrë në mbrojtje nga policia. 

“Përpara prokurorit dhamë përgjigje për çfarë ka ndodhur, nëpërmjet medias e kam dhënë njëherë një deklaratë dhe i kam qëndruar asaj deklarate. Ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj”, tha në një prononcim të shkurtër për mediat Fufi. 



Mhill Fufi: Nuk kam pasur asnjë informacion për atentatin


Ora 12.00 Fufi vjen të dëshmojë në Prokurori një orë me vonesë
Ndërsa ishte parashikuar për në orën 11.00, deputeti demokrat i Lezhës Mhill Fufi është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në orën 12.00. Deputeti i përjashtuar nga PS Tom Doshi pretendon se Mhill Fufi ka qenë objektiv i atentatit të porositur nga Meta. Në reagimin e parë zyrtar mbi këtë çështje, Fufi tha se nuk kishte pasur asnjë informacion për planin e pretenduar nga Doshi.

Ora 11.50 Mbërrin edhe Doshi në Prokurori
I shoqëruar nga dy makina dhe me oficerë policie, në orën 10.50 mbërriti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste Tom Doshi. Prej mëse një jave Doshi është marrë në mbrojtje nga policia dhe mbahet nën ruajtjen 24 orë të efektivëve të GOS. Ish-deputeti socialist i Shkodrës zgjodhi të futet në ambientet e organit të akuzës nga dera e pasme e këtij institucioni për të shmangur mediat e shumta që ndodheshin në hyrjen tjetër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
 



Ora 11.44 Mbërrin Frroku
Deputeti i partisë Kristian Demokrate Mark Frroku mbërriti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të bërë ballafaqimin me Tom Doshin i cili pretendon se ka qenë Marku i cili e ka sinjalizuar i pari për planin e mundshëm të atentatit ndaj tij dhe se e ka njohur me vrasësin që pretendohet se do të bënte atentatin, Durim Bami.




Frroku: S'dija për atentatin

Ora 10.00 Sali Berisha lë prokurorinë, mbaron dëshminë për Doshin
Për herë të parë gjatë karrierës së tij politike prej më shumë se dy dekadash, ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit në organin e akuzës ku dha dëshminë e tij në lidhje me pretendimet e bëra publike nga Tom Doshi se kryeparlamentari Meta ka paguar për ekzekutimin e tij gjashtë muaj më parë. Përreth 50 minuta përballë kreut të Krimeve të Rënda Adnan Xholi dhe prokurorit Blerim Tominaj, deputeti demokrat u përgjigj për deklaratën që dha nga Kuvendi kur tha se e dinte tre muaj më parë për atentatin e mundshëm. 

Megjithatë Berisha nuk bëri publike asnjë fjalë për çfarë kish deklaruar në organin e akuzës, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si deputeti Mark Frroku në dëshminë e të premtes, se nuk do të dekonspirojë hetimin. “Thelbi i dëshmisë nuk dekonspirohet në mënyrë absolute nga unë. Merrni çfarë kam deklaruar para se të vij në prokurori. Tani që erdha këtu nuk ju deklaroj asnjë gjë”, tha Berisha. 

Po ashtu, Berisha la pa përgjigje edhe faktin se përse nuk e kishte denoncuar atentatin e mundshëm tre muaj më parë, kur ai mësoi për të. Pa përgjigje mbeti edhe pyetja e gazetarëve se kush është personi që e ka sinjalizuar për planin e pretenduar për eliminimin fizik të Doshit. 

Ish-kryeministri Berisha shprehu rezerva për hetimin, duke thënë se puna e prokurorëve do të jetë e vështirë në kushtet kur sipas tij, ka presionin e kryeministrit, kryeparlamentarit dhe ministrit të Brendshëm. “Nuk paragjykoj përpjekjet, por nga ana tjetër edhe gurë po të ishin prokurorët, me një presion të tmerrshëm, me një manipulim të paimagjinueshëm duke pasur në bllok, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, ministrin e Brendshëm, atyre u vështirësohet puna në shkallë ekstreme”, u shpreh Berisha. 

Ish-kreu i ekzekutivit shqiptar tha se protesta e opozitës më 12 mars do të jetë pikërisht për të kërkuar dorëheqjen e kreut të Kuvendit Ilir Meta. “Ndaj dhe sovrani vjen këtu me 12 mars në protestën më të fuqishme të shqiptarëve për të mbështetur dhe hapur rrugën drejtësisë. Ilir Meta ka një alternativë, të japë dorëheqjen, të mos ulet para prokurorëve si zoti kryetar, por si një njeri i akuzuar”, - tha ish-lideri i Partisë Demokratike.



Deklarata e plote e Sali Berishes menjehere pas perfundimit te deshmise ne Prokurorine e Krimeve te Renda
“Prokuroria e Krimeve të Rënda më çoi dy ditë më parë thirrjen për tu paraqitur si person që ka dijeni për ngjarjen në hetimin e akuzës më të rëndë të 23 viteve të fundit skenarit të vrasjes së dy deputetëve për qëllime të mirëfillta politike pavarësisht nga pretekstet në mënyrë që të shpëtohet Rama nga kundërshtari politik që u krijua brenda partisë së tij dhe meta t’i japë një goditje opozitës për qëllime personale. E prita ftesën me kënaqësi në kuptimin që të mund të kontribuoj sadopak në rrëfimet e mia për këtë çështje, natyrisht ato çka thash aty përbëjnë sekret deri në momentin që prokuroria t’i nxjerrë nga klasifikimi, por nuk është aspak sekret dhe është tronditëse fakti që këtë skenar ogurzi kreu i qeverisë, kreu i parlamentit, ministri i Brendshëm, e mbajti për 6 muaj njëlloj si në shpellën e mafies, e mbajti jashtë ligjit, si një çështje midis tyre dhe nuk e dorëzoi para ligjit dhe për ligjin. Jo vetëm nuk e dorëzoi por në 6 muaj kupola e përfshirë në këtë krim ndërmori veprime që të rrënojë dhe të bllokojë me çdo kusht hetimin.

U kryen 2 atentate ndaj doresit që do të realizonte vrasjet dhe ndaj paguesit të parave dhe sekserit të Metës në mënyrë që gojët e tyre të mbylleshin në mënyrë përfundimtare. Gjatë kësaj periudhë jo vetëm tentuan të eliminojnë 2 dëshmitarët kryesorë, por hetimin ja besuan kryetarit të PS për Tiranën mikut të ngushtë të Emiljano Shullazit, Saimir Tahirit. Tani e merrni ju me mend kur hetimi bëhet nga kryetari i PS të Tiranës dhe firmoset nga kryetari i PS për Shqipërinë, pra në këto rrethana dhe krahas kësaj u përpunua skenari tjetër, sipas të cilës fajin e ka opozita. Në këtë skenar të turpshëm Meta, kryesisht ai por edhe Edi Rama nuk lanë akuzë pa nxjerrë për opozitën. Kryehetuesi i partisë Saimir Tahiri pas 6 muajsh pasi e priti në zyrë në kundërshtim me çdo lloj rregulli etik të zyrave të ministrave, kodit e kushtetutës, Tahiri zhvilloi disa seanca në zyrën e tij me Durim Bamin, të tjerat mund t’i ketë zhvilluar gjetiu unë nuk di, por në fund Tahiri përfundoi avokat i pamposhtur i Bamit. Kjo është e faktuar që përfundoi i dashuruar me Bamin, aq shumë e bindi Bami saqë i thotë unë nuk pranoj të funksionoj si dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë, se jam dëshmitar i mbrojtur i Tahirit, se ndihet më i fuqishëm me Tahirin. Kemi të bëjmë me një bllokim për qëllime politike të hetimit për 6 muaj, përpjekje për manipulim të gjithanshëm ,presion mbi institucionin e akuzës sepse paraqitja para drejtësisë 6 muaj më vonë kur kryeministri, kryetari i kuvendit dhe ministri i Brendshëm janë në bllok, nuk ka në botë prokuror as në vendet më të zhvilluara që mund të hetojë një gjë të tillë.

Nuk mundet që një kryeministër të informohet që ka pasur një tentativë vrasje për deputetin e tij të mos kërkojë ndihmën dhe të adresojë në prokurori çështjen për ta zbardhur. Donte ta zbardhte me Tahirin e partisë, dhe në fund Tahiri tha se Bami im është i pafajshëm, kurse Rama vet tha se është një aktor”.


Keni besim te prokuroria?
Unë e thash, nuk paragjykoj përpjekjet, por nga ana tjetër edhe guri po të ishin prokurorët, me një presion të tmerrshëm, me një manipulim të paimagjinueshëm duke pasur në bllok, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, ministrin e Brendshëm, atyre u vështirësohet puna në shkallë ekstreme, ndaj dhe sovrani vjen këtu me 12 mars në protestën më të fuqishme të shqiptarëve për të mbështetur dhe hapur rrugën drejtësisë. Ilir Meta ka një alternativë, të japë dorëheqjen, të mos ulet para prokurorëve si zoti kryetar, por si një njeri i akuzuar.

Thelbi i dëshmisë?
Thelbi i dëshmisë nuk dekonspirohet në mënyrë absolute nga unë. Merrni çfarë kam deklaruar para se të vij në prokurori. Tani që erdha këtu nuk ju deklaroj asnjë gjë.
Nuk kam asnjë lidhje me personat e implikuar në këtë skenar, ishte në dorë të kryeministrit, unë jam ish-kryeministri.


Cili është personi që ju ka vënë në dijeni?
(Berisha nuk përgjigjet)

Përse nuk e denoncuat ngjarjen kur e mësuat?
(Berisha nuk përgjigjet)

Për herë të parë përballë prokurorëve, ndjesia?
Kam ardhur me kënaqësi ta them hapur. Kjo është akuza më e rëndë e 24 viteve të fundit. Dhe e konsideroj zbardhjen e saj si një kusht themelor për paqen sociale të këtij vendi. Konsideroj bllokimin e hetimit atentatin më të rëndë që i është bërë të vërtetës në këtë vend.

Si e vlerësoni deklaratët e Frrokut?
(Berisha nuk përgjigjet)


Ora 09.15 Berisha përballë prokurorit që i kërkoi dëshminë për “21 Janarin”
Kjo është hera e parë që ish-kryeministri në 25 vjet në polikë përballet me organin e akuzës. Një element i veçantë në këtë çështje është fakti se dëshmia e ish-kryeministrit do të jepet para prokurorit Blerim Tominaj, i cili i ka kërkuar edhe më herët Berishës të japë dëshmi për 21 Janarin. Zoti Berisha, i cili drejtonte qeverinë 21 janarin e vitit 2011 kur gjatë protestës së opozitës para kryeministrisë mbetën të vrarë katër demonstrues, refuzoi të dëshmonte. Blerim Tominaj është prokurori që kërkoi burg për zinxhirin komandues të Gardës së Republikës nën akzuë për vrasjen e protestuesve, por që me pak kohë në paraburgim arritën të dalin në liri.

Ora 09.09 Mbërrin ish-kryeministri Berisha në prokurori, përshëndet me dy gishta
Në orën 09.09 minuta të kësaj të hëne, në përgjigje të ftesës së organit të akuzës, deputeti demokrat mbërriti në ambientet e Prokurorisë ku e priste këshilltarja e tij për mediat, Erla Mëhilli. Me të zbritur nga makina shoqëruese, zoti Berisha është kthyer nga gazetarët duke përshëndetur me dy gishta, simbolin e demokracisë që përfaqëson Partinë Demokratike. 


  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën

Për të shpëtuar nga SPAK, Këlliçi distancohet nga gruaja: Nuk bashkëjetoj me Anën