'Fshati i BE' zbret në Tiranë, Veliaj: Me shumë shpresë, negociatat do të hapen këtë vit (VIDEO)

Tirana po punon që të përzgjidhet si Kryeqyteti Europian i të Rinjve në vitin 2022. Në çeljen e “Fshatit të BE”, si pjesë e javës Europiane, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, u shpreh dje besimplotë se këtë verë vendi ynë do të hapë negociatat me Bashkimin Evropian. Ai theksoi se 2022 është një mundësi shumë e mirë për Tiranën të tregojë vlerat e saj më të mira si kryeqyteti i të rinjve.

“Fokusi te rinia është fabula më e bukur për Tiranën. Me shumë shpresë, negociatat do të hapen këtë vit, por ama ne duam që në 2022 të kemi një shans që, si kryeqyteti europian i rinisë, të tregojmë më të mirën e vendit tonë. Do të punojmë të gjithë bashkë që Tirana të fitojë “Kryeqytetin evropian të rinisë” në 2022”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje të rinjve që teksa vendi shkon drejt zgjedhjeve lokale, të bëhen një zë aktiv për të parashtruar kërkesat e tyre ndaj kandidatëve dhe për të kërkuar më pas llogari për plotësimin e tyre. “Mezi pres që teksa futemi në fushatën lokale në të 61 bashkitë, të ketë një zë aktiv të rinisë, për t’i bërë që tani kërkesat që çdo qytet apo çdo bashki duhet të përmbushë në mandatin e ardhshëm. Do të doja që çdo organizatë rinore në bashkinë e tyre, t’i bëjë që tani listat e kërkesave dhe të kërkojë llogari jo vetëm gjatë fushatës, por menjëherë ditën e parë të punës te kryebashkiaku i vet për plotësimin e atyre kërkesave”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se Bashkimi Evropian është më së shumti një projekt i njerëzve që punojnë çdo ditë dhe përmbushin detyra konkrete, duke shërbyer edhe si shembull frymëzimi. Shumë prej diplomatëve të huaj në vendin tonë kanë zgjedhur që të japin edhe një kontribut të drejtpërdrejtë duke iu bashkuar nismave të ndërmarra në këto katër vite nga Bashkia e Tiranës. Teksa i falenderoi për bashkëpunimin, Veliaj theksoi se vetëm falë punës mund të ecet përpara.

“Me shumë prej ambasadorëve kemi mbjellë pemë, duke ndërtuar kënde lodrash, ose një kopsht, një çerdhe a një pistë biçikletash, një festival filmi ose një koncert. Jam i sigurt që edhe ata shohin gjëra që nuk u pëlqejnë, por në vend që të jenë vetëm kritikë, thonë çfarë mund të bëj që të jap një dorë? Unë e di ekzaktësisht çfarë nuk funksionon në Tiranë, sa puseta janë vjedhur, sa pllaka janë hequr, sa gropa janë hapur, por pyetja është: zgjidhim më shumë punë duke bërë diçka apo duke qarë?”, nënvizoi Veliaj, teksa vlerësoi se Bashkimi Evropian vijon të jetë institucioni më i besuar në Shqipëri.

“Kur dikush vjen në Tiranë ose për vizitë në bashki dhe thotë: çfarë mendoni për krizën që po kalon Bashkimi Europian? Përgjigjja jonë është: cila krizë? Bashkimi Europian është institucioni më i besuar në Shqipëri. Për këto arsye unë besoj se gjërat në të cilat besojmë janë gjëra që duhet t’i kurojmë përditë”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e tij, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca theksoi se përfshirja e të rinjve në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE është vendimtare.  “Fshati i BE-së” është pjesë e aktiviteteve të “Javës së Europës” dhe organizohet nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri në bashkëpunim me ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Europian në Tiranë dhe Bashkia Tiranë. Të rinjtë do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth temave që prekin të rinjtë në Shqipëri, studimin në vendet e BE-së, po ku nuk do të mungojë as aktivitetet e shumta të fokusuara tek aktivizimi i rinisë, bizneset sociale, vullnetarzimi, arsimimi dhe shkëmbimet ndërkulturore të të rinjve.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë