TIRANE- Pas akuzave nga ILDKPKI ka reaguar gjyqtari Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij Elona Çaushi. Sipas Gjonit, akuzat janë një fushatë denigruese me qëllime politike. Duke u ndalur edhe tek debatet e sotme në Kuvend për projektligjin për deklarimin e pasurive, Gjoni tha se “kjo nuk është një rastësi”.
 
“Akuzat janë fushatë denigruese me qëllime politike, dhe janë të montuara me keqdashje në dhoma të errëta. Deri në deklaratën e ILDKP nuk ka asnjë kallëzim penal në Prokurori. Fushata koinçidon jo rastësisht me diskutimin në Kuvend. Është bashkim mekanik i dy deklaratave të hartuara nga unë dhe bashkëshortja”, tha Gjoni.

"Nëpërmjet goditjes sime, e cila është inicuar nga një fushatë paraprake e një pjese të shtypit e shkruar dhe atë audiovizive, për një periudhë kohore dy-javore, kërkohet të uzurpohet Këshilli i Lartë i Drejtesisë dhe të atakohet vetë Presidenti i Republikës për të nënshtruar denigruar dhe intimiduar njerëz që kanë shprehur me kurajo dhe me eficencë profesionale dhe me forcë argumentuese realizimin e reformave reale në fushën e drejtësisë por jo ato që nisen nga spontaniteti dhe me partipri politike me frymë të qartë politike dhe uzurpuese të sistemit të KLD-së dhe sistemit të Drejtësisë", shkruan Gjoni në deklaratën e tij të shpërndarë për median.