Superliga shqiptare e futbollit do rikthehet në fushë gjatë fundjavës që vjen me pesë ndeshjet e raundit të 24-t. FSHF bën me dije se orari i ndeshjes mes Vllaznisë dhe AF Elbasanit ka ndryshuar, duke u spostuar për të dielën në orën 19:30 dhe jo në orën 16:30 siç ishte planifikuar më parë.

Festa e shkodranëve për 107 vjetorin e klubit dhe kërkesa e drejtuesve të Vllaznisë është miratuar nga FSHF-ja.

"Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ndeshja e javës së 24-të të Superligës, Vllaznia - AF Elbasani, e parashikuar të luhet të dielën, më 15 shkurt, në orën 16:30, do të luhet në të njëjtën ditë, por në orën 19:30. Ndryshimi i orarit është miratuar nga Komisioni i Ligave dhe Garave, pas kërkesës së Vllaznisë për festimet e 107-vjetorit të krijimit të klubit kuqeblu. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi”, Shkodër", bën me dije FSHF-ja.

Ky ndryshim bën që veç ndeshjes në 'Loro Boriçi', edhe derbi mes Partizanit dhe Tiranës të luhen në një orar.