Një jurist i Kadastrës është dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Bëhet fjalë për Andi Barjamin, i kallëzuar nga administratorja e kompanisë “Triumph Company”, pasi dyshohet se ka fshirë në mënyrë të paligjshme një shënim kufizues në kartelën e një prone në zonën e Selitës, në Tiranë.

Shënimi mbronte interesat e kompanisë, e cila kishte lidhur një kontratë sipërmarrjeje me pronarët e tokës për zhvillimin e një projekti ndërtimi me sipërfaqe 3 mijë e 250 metra katrorë. Pas kërkesës së pronarëve për fshirjen e shënimit, çështja iu caktua përmes shortit elektronik Barjamit, i cili ushtronte detyrën në Kadastrën e Vlorës.

Sipas Prokurorisë, heqja e shënimit u mundësoi pronarëve të lidhin një kontratë të re me kompaninë “AI Development”, pa u provuar më parë përfundimi ligjor i marrëveshjes me “Triumph Company”. Prokuroria vlerëson se me këtë veprim është cenuar interesi i kompanisë së parë, duke lejuar që e njëjta pasuri të vihej në dispozicion të një shoqërie tjetër.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë