TIRANË- Ftesën për bashkëpunim të kryeministrit Edi Rama, kryedemkrati Lulzim Basha e sheh si një hile dhe mashtrim me qëllim asgjësimin e PD-së. Nga takimi me demokratët e Tiranës, Basha tha se nuk do njohë rezultatin e 25 prillit, edhe pse kjo deklaratë e tij rezulton kontradiktore, pasi ai ka pranuar që të hyjë në parlamentin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, Basha tha se nga 25 prill, PD-ja ka dalë më e fortë.

"Mashtrim, hile që tashme ky kundërshtar djallëzo i ka kthyer në përditshmëri, ftesë me qëllim që të asgjësohemi si e vetmja forcë që luftojmë krimin, nëse shkojmë në atë drejtim nuk ka më asnjë shpresë për shqiptarët. 25 prilli është masakër zgjedhore dhe unë kam deklaruar se nuk e njoh dhe nuk e pranoj maskarën zgjedhore të 25 prillit. Nuk e njoh rezultatet e tjetërsuara të 25 prillit dhe se dyti që përgjigja e prerë për ftesën e bashkëpunimit është një "jo". Rama nuk ka pritur gjë prej meje. Këtu vjen instrumenti i dytë që Rama po zhvillon. E di fare mirë që nga kjo betejë PD nuk ka dalë më e vogël, por më e madhe", tha Basha.

Ai ka këmbëngulur që 25 prilli është masakër zgjedhore dhe se do të vijojë betejën e tij për t'i dhënë fund "këtij regjimi".

" Me 25 prill në Shqipëri nuk është kryer thjesht një masakër zgjedhore por ka rënë demokracia.  Ne do vazhdojmë të luftojmë më gjithë forcën tonë, deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi", tha Basha.

Në takim, Basha ka këmbëngulur që Rama kërkon që të përçajë demokratët, duke thënë se "nuk i sheh si kundërshtarë politik, por si armiq".

"E pra miqtë e mi, siç ka avantazhet e veta kjo garë ka edhe një disavantazh për të cilin duhet të jemi të vetëdijshëm. Sepse i vetëdijshëm është edhe kundërshtari. Disavantazhi është që të krijojë apo të mbjellë një farë të re përçarje mes nesh në mënyrë që në vend që të bëjmë detyrën tonë e cila mezi po pret para shqiptarëve, të merremi me njëri-tjetrin. Në mënyrë që në vend që të  fokusojmë të gjitha energjitë tona për të përmbushur misionin tonë që nuk është më mision politik por është mision patriotik, të krijojmë kakofoni, të mbjellim dyshim dhe  mosbesim të radhët tona. Dhe ky është rreziku që të dorëzohemi para atyre që 25 prillin nuk e konsiderojnë masakër zgjedhore, por një fitore të Edi Ramës. Motivi i Edi Ramës është i qartë. Ai e di po kaq mirë siç e dimë ne në fakt e di dhe më mirë se është ai projektuesi i kësaj masakre se në çfarë gjendje është vendi, se në çfarë gjendje psikologjike janë qytetarët, se në çfarë gjendje është ekonomia. Ai e di se çfarë ka bërë më 25 prill siç e di vrasësi vrasjen edhe Edi Rama e di që ka vrarë instrumentin e demokracisë dhe ka ndalur përkohësisht vullnetin e shumicës për ndryshim. Ramës i cili njësoj si në 45-ën, nuk na konsideron kundërshtar politik, siç është normale në pluralizëm, por armiq", tha Basha.