Qeveria miratoi sot marrëveshjen për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, ndërsa Kuvendi pritet të ratifikojë nesër marrëveshjen, ndërsa në këtë fazë për Shqipërinë nuk do të ketë detyrime financiare. Të vetmet kosoto, sic parashikon Karta e Bordit, do të jenë kontribute vullnetare për organizatën të cilat do të përcaktohen në një fazë të mëvonshme.

Fillimisht, Këshilli i Ministrave miratoi paraprakisht në mesditë shprehjen e vullnetit për tu përfshirë në Bordin e Paqes, një akt që i lejonte t’I drejtohej Presidentit Bajram Begaj për të kërkuar autorizimin e tij si kryetar i Shtetit për të vijuar me hapat e tjerë. Autorizimi i Presidentit lëshohet përgjithësisht për t’I dhënë qeverisë mundësinë që të hyjë në negociata me një palë tjetër. Dhe në këtë rast, Karta e Bordit të Paqes, është vetëm korniza mbi të cilën kjo organizatë do të veprojë, ndërkohë që shumë aspekte, të cilat mund të kërkojnë dhe negocim, pritet të përcaktohen në një fazë të mëvonshme.

Vetëm në mbrëmje, qeveria miratoi projektligjin i cili pritet të marrë dritën jeshile nga parlamenti, që është thirrur posaçërisht për ta ratifikuar me procedurë të përshpejtuar. Pritet të jetë vetë kryeministri Rama që do të bëjë prezantimin në sallë.

Bordi i Paqes u prezantua fillimisht, si një organizatë dedikuar zgjidhjes së konfliktit në Rripin e Gazës, por karta e bordit nuk e përmend specifikisht konfliktin e gjatë atje. Misioni kryesor i Bordit është nxitja e stabilitetit dhe rivendosja e qeverisjes së ligjshme në rajone ku paqja ka qenë historikisht e paarritshme.

“Bordi i Paqes do të ndërmarrë funksione të tilla për ndërtimin e paqes në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sipas asaj që mund të miratohet në përputhje me këtë Kartë, përfshirë zhvillimin dhe përhapjen e praktikave më të mira të zbatueshme nga të gjitha kombet dhe komunitetet që kërkojnë paqe."

Situata në Gaza pritet të jetë sfida e parë e këtij Bordi, i cili kryesisht në Europë po shihet dhe si një anashkalim I Kombeve të Bashkuara.

Një element kyç i kësaj Bordit të paqes është roli i Presidentit Donald Trump, i cili do jetë kryetar me kompetenca të gjera, duke përfshirë autoritetin ekskluziv për të krijuar apo shpërbërë njësi vartëse, si dhe të drejtën e vetos mbi vendimet e marra nga shtetet anëtare. Ai mbetet autoriteti përfundimtar për interpretimin dhe zbatimin e rregullave të Kartës.

Shqipëria, si shtet anëtar, do të përfaqësohet në këtë organizatë nga kryeministri Edi Rama, siç përcaktohet që në titullin e projektligjit, ndërsa  mandati, siç parashikon karta do të zgjasë fillimisht tre vjet me mundësi rinovimi nga Kryetari Trump.

Mandat të kufizuar nuk do të kenë vetëm ato shtete që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë brenda vitit të pare, e që falë pagesës do të kenë statusin e anëtarit të përhershëm.

Miratimi të enjten nga Parlamenti shqiptar, nuk sjellë efekte financiare të menjëhershme. Të vetmet detyrime financiare që i lindin Shqipërisë si anëtare e këtij bordi do të derdhen në formën e kontributit vullnetar ashtu si për çdo vend tjetër anëtar apo organizata, kosto këto që nuk janë ende të parashikuara në këtë moment.

Kontributi vullnetar që do të derdhë Shqipëria do t’i shtohet buxhetit të Ministrisë së jashtme për vitin 2026-të

Të enjten, në Davos të Zvicrës ku ka nisur forumi ekonomik, pritet të zhvillohet ceremonia për Bordin e paqes për Gazën. Presidenti amerikan Trump dëshiron që bordi të ratifikohet zyrtarisht nga liderët botërorë gjatë një ceremonie të posaçme në kuadër të Forumit Ekonomik.

Sipas Agjencisë italiane ANSA deri paraditen e së mërkurës në total për Bordin e paqes janë dërguar 52 ftesa pa marrë parasysh Kosovën. Pjesmarrjen në bord e kanë pranuar 8 shtete, Shqipëria, Argjentina, Hungaria, Kazakistani, Uzbekistani, Maroku, Vietnami dhe Emiratet e Bashkuara arabe.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

(Kliko këtu për të lexuar relacionin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:45
Deputetët e PD do të marrin pjesë në seancë për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes: Edhe pse u shkel rregullorja, mbështesim Trump

1767877757_seliaepd.jpg

Deputetët e Partisë Demokratike pritet të votojnë pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes së presidentit Donald Trump.

Në një mesazh dërguar deputetëve demokratë thuhet se pavararësisht shkeljes së të gjitha rregullave procedurale kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit nga ana e mazhorancës, grupi parlamentar do të marrin pjesë në seancën parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes.

Në mesazhin telefonik thuhet se ky qëndrim vjen si mbëshetje ndaj përpjekjeve/angazhimit të presidentit të SHBA-ve për paqen dhe sigurinë globale.

Mesazhi derguar deputetëve të PD:

Të nderuar kolegë,

Nesër në orën 09:00 do të zhvillojmë mbledhje të Grupit Parlamentar në seli, lidhur me seancën e sapo njoftuar plenare. 

Pavarësisht shkeljes së të gjitha rregullave procedurale kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendin, si një provokim të ulët ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptar, nga njëriu që nërçin e tij me SHBA dëshiron tia imponojë Shqipërisë apo të mashtrojë shqiptarët sikur kjo nuk ekziston, ne DO TË MARRIM PJESË nesër në seancë, si mbëshetje ndaj përpjekjeve/angazhimit të Presidentit të SHBA për paqen dhe sigurinë globale.

Lutem të sigurohet pjesëmarrja! Faleminderit

Ora 22:27
Ja si do të funksionojë Bordi i Paqes për qeverisjen e Gazës! Nesër pritet të ratifikohet në Kuvendin e Shqipërisë

1768938113_trumpi.jfif

Bordi i Paqes prezantohet si një organizatë ndërkombëtare, me misionin për të ushtruar funksione të ndërtimit të paqes, stabilitetit dhe rindërtimit në territore të prekura nga konflikti, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe dispozitat e Kartës së tij themeluese.

Anëtarësimi në Bord nga shtetet anëtare, realizohet nëpërmjet të ftesës nga kryetari dhe njoftimit formal të pëlqimit për të qenë të lidhur. Shtetet mund të përfaqësohen në Bord nga Kreu i shtetit ose Kreu i qeverisë.

Karta e Bordit të Paqes garanton ruajtjen e sovranitetit të shteteve anëtare, duke parashikuar se asnjë dispozitë e saj nuk i jep Bordit juridiksion brenda territorit të një shteti anëtar dhe as nuk e detyron një shtet anëtar të marrë pjesë në një mision specifik ndërtimi paqeje pa pëlqimin e shprehur të shtetit.

Çdo shtet anëtar ka një mandat trevjeçar nga data e hyrjes në fuqi të Kartës, subjekt i rinovimit nga Kryetari i Bordit të Paqes. Ky afat trevjeçar nuk zbatohet për shtetet anëtare, të cilat kontribuojnë më shumë se një miliard dollarë amerikanë (1 000 000 000 USD) në fonde monetare (“cash”) brenda vitit të parë nga hyrja në fuqi e Kartës.

Anëtarësimi përfundon në rastin më të hershëm me:

(i) përfundimin e një mandati trevjeçar dhe rinovimit nga Kryetari;

(ii) tërheqjen

(iii) një vendim nga Kryetari,

 (iv) shpërbërjen e Bordit të Paqes në

Megjithatë, një shtet i tillë mund të ftohet përsëri të bëhet shtet anëtar.

Bordi drejtohet nga një kryetar, i cili ushtron funksione vendimmarrëse përmes Bordit të Shteteve Anëtare dhe Bordit Ekzekutiv.

Vendimet merren me shumicë votash, por kërkojnë konfirmimin e Kryetarit, i cili gëzon gjithashtu të drejtën e vetos dhe autoritetin përfundimtar interpretues.

Bordi do të financohet nëpërmjet kontributeve vjetore vullnetare të vendeve anëtare. Gjithashtu, do të krijohen llogari për përmbushjen e këtij misioni.

Ora 17:02
Nesër pritet ratifikimi për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, zbardhet vendimi i Peleshit për mbledhjen e seancës plenare

1769011718_kuvend.JPG

Ditën e nesërme do të zhvillohet seancë plenare në Kuvend, në orën 10:00, për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

Sipas urdhrit të kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, siguruar nga gazetarja Esiona Konomi, seanca do të mblidhet me kërkesën e 1/5 së deputetëve të Grupit Parlamentar të PS.

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 22.1.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

Njoftime.

Projektligji “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, paraqitur nga Kryeministri, Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Ora 16:55
Shqipëria në Bordin e Paqes, pritet ratifikimi në Kuvend! Grupi i PD: Nuk kemi marrë njoftim, duhet të lajmërohemi dy ditë përpara

1768986177_seliaepd.jpg

Grupi Parlamentar i PD ka deklaruar se nuk është njoftuar nga kryetari i Kuvendit, për mbledhje të seancës plenare ditën e nesërme, për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

Përmes një njoftimi, grupi i PD thotë se me vendim të njëanshëm të mazhorancës, nuk është përcaktuar të ketë seancë plenare këtë javë dhe se duhen lajmëruar lajmëruar dy ditë përpara.

Njoftimi i Grupit Parlamentar të PD

Të nderuar kolegë,

Në përgjigje të interesit të disa prej mediave, për pjesëmarrjen ose jo në një seancë plenare të supozuar pë t'u zhvilluar nesër, ju bëjmë me dije se deri në orën 16.40, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave. Me vendim të njëanshëm të mazhorancës në seancën plenare të datës 19.01.2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, është përcaktuar që këtë javë nuk ka seancë plenare. Seanca plenare e rradhës është planifikuar për tu zhvilluar në datën 27 Janar.

Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se sipas pikës 3, të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancë plenare.

Transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit të Shqipërisë, që për secilën çështje, për secilën vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, në respekt edhe të përgjegjshmërisë që duhet të tregojë secili deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues.

SI.E./A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eliana: 21/01/2026 20:50

    Po po me vrap se kjo eshte gjeja me e rendesishme per Shqiperine..vdekshi ishalla te gjithe ju mizerje politikane

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 10 Shkurt, 10:30

    Haga kërkon dënimin me 180 vite burg për ish-krerët UÇK, si e vlerësoni?