Fundi i një neni absurd – Gjermania liberalizon ligjin për abortin

Fundi i një neni absurd – Gjermania liberalizon ligjin për abortin

Foto ilustruese

"Tek shërbimet tona hyjnë edhe aborte me medikamente në një mjedis të mbrojtur,  një fjali kjo, që nuk do të përbëjë më krim penal në Gjermani, falë një vendimi që mori të premten Bundestagu gjerman: Që ta heqë nenin 219a nga kodi penal.

Ministri Federal i Drejtësisë, Marco Buschmann, nga FDP e quajti heqjen të vonuar. "Çdo dënim mbi bazën e nenit 219a të ligjit penal është "një dënim i tepërt", tha  Buschmann. Ai shpjegoi se kur një grua merret me çështjen e vështirë të një aborti të mundshëm, ajo "zakonisht" së pari kërkon informacion në internet. Dhe "çdo troll dhe çdo teoricien konspirativ mund të përhapë informacione mbi këtë temë – ndërsa mjekëve me diploma universitare, nuk u lejohet. Është absurde, është e vjetruar, është e padrejtë dhe prandaj po i japim fund kësaj situate”.

Një vendim historik

Neni 219a i kodit penal ekziston që nga koha e nazizmit. Ai dënon këdo që "ofron, afishon, reklamon publikisht mjete, vegla ose procedura ose publikon shpjegime me përmbajtje të tillë për ndërprerjen e shtatzënisë”. Për rrjedhojë, shumë gra, që edhe për arsye shëndetësore donin të informoheshin në internet nga mjekët për ndërprerjen e shtatzënisë, nuk gjenin informacione.

Tri vjet më parë, ligji i abortit pësoi një reformim. Ai u lejonte mjekëve që të jenin informacione në faqet e tyre që bëjnë aborte, por pa dhënë detaje për mënyrën e abortit. Heqja e këtij neni ishte një premtim i shprehur që në marrëveshjen e partive të koalicionit. Në Bundestag për të votuan jo vetëm deputetët e partive qeverisëse, socialdemokratët, ekologjistët dhe liberalët, por edhe të majtët. Konservatorët, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial (CDU/CSU) dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD) ishin kundër.

Rehabilitim për mjekët e dënuar

Prof. Dr. Günter Krings nga grupi parlamentar i CDU/CSU e quan të gabuar heqjen e nenit nga Kodi Penal. Ai argumenton me një vendim të marrë më parë nga Gjykata Kushtetuese, sipas të cilit "mbrojtja e jetës së palindur duhet të ruhet në vetëdijen publike”. Krings tha se "fëmija i palindur posedon dinjitet njerëzor që nga fillimi. Reklama është në kundërshtim me këtë detyrim. Kush lejon reklamë, toleron që abortet të interpretohen dhe perceptohen si shërbime mjekësore normale.”

Vendimi, të cilit i referohet Krings ishte marrë si pasojë e një apeli të paraqitur nga mjekja Kristina Hänel, e cila ishte dënuar më parë meqë në faqen e saj të internetit kishte përshkruar mënyrat e abortimit. Hänel është vetëm njëra nga qindra mjekë të dënuar për shkak të nenit 219a. Ligji i miratuar tani nga parlamenti gjerman i rehabiliton të gjithë të dënuarit që nga viti 1990.  Një fitore kjo për Hänel, e cila kishte iniciuar një peticion për ndryshimin e ligjit, pasi nuk pati sukses në Gjykatën Kushtetuese. Pas vendimit ajo shkroi në Twitter: Një ndjenjë e madhërishme! Neni 219a tashmë është bërë histori. Më në fund ne mund të ushtrojmë të gjitha obligimet tona profesionale për të sqaruar. Më në fund gratë e prekura mund të gjejnë në internet informacione serioze.

Ende larg legalizimit të abortit

Edhe pas këtij vendimi, abortet në Gjermani janë të ndaluara zyrtarisht dhe konsiderohen si vepër penale. Ato mund të dënohen me deri në tre vjet burg. Përjashtime bëjnë rastet kur shtatzënia përbën rrezik shëndetësor për gruan ose kur ajo ka ndodhur si pasojë e një përdhunimi. Një rast tjetër kur lejohet ndërprerja e shtatzënisë është, kur ajo bëhet para javës së 12-të, por me kusht që gruaja të ketë bërë më parë një këshillimi detyrues.

Për gratë që kanë mbetur shtatzënë pa dëshirën e tyre dhe duan të bëjnë abort, rruga mbetet e vështirë. Këshillime të tilla ofrojnë një numër i madh organizatash, por derisa të marrësh një orar këshillues, mund të kalojnë javë të tëra. Për shumë  gra mund të jetë vonë. Organizatat për të drejtat e grave duan tani ta bëjnë të mundur ndërprerjen e shtatzënisë, pa pasur nevojë për këshillim.

Emilia Fester, deputete e partisë Të Gjelbrit, dhe deputetja më e re (24 vjeçe) në Bundestag, paralajmëroi në Twitter, se lufta e saj për vetëvendosjen e grave për shtatzëninë vazhdon:

"Sot kemi shkruar histori feministe. E hoqëm paragrafin 219a të kodit penal. Gratë që bien shtatzëna padashur kanë të drejtë të marrin informacione të kualifikuara. Një hap që duhej marrë shumë kohë më parë dhe tani është realitet. Sot do të festojmë dhe që nesër do të rrëzojmë edhe nenin 218!"

Neni 218 është neni që e konsideron abortin të paligjshëm. Gjatë fjalës së saj në Bundestag, ministrja federale e familjes, Lisa Paus, (Bündnis 90/Die Grünen) bëri thirrje për një debat për legalizimin e abortit. Qeveria do të ngrejë një komision për këtë qëllim. Veç të tjerash, qeveria synon ta bëjë abortin lëndë në studimin e mjekësisë./DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë