Vija bregdetare përgjatë gjithë gjatësisë së saj ka pushues. Më të shumtit si zakonisht janë ata nga Kosova, një pjesë e të cilëve kanë nisur zyrtarisht pushimet verore, ndërsa të tjerët kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në bregdet.
“Zakonisht pushimet verore i kaloj në Shëngjin. Më pëlqen uji, rëra e pastër, njerëzit.”
“Plazhi duket shumë i bukur, mikpritja gjithashtu.”
Për operatorët turistikë prania e kaq shumë turistëve në këtë periudhë dhe rezervimet e bëra tregojnë për një sezon të suksesshëm.
“Bizneset janë organizuar, bashkia i ka kryer detyrat me kohë”, thotë operatori Besnik Sula.
Përkundër kushteve në rritje,pushuesit ankohen për mungesen e vrojtuesve dhe sinjalizuesve për rrezikun kur deti është i trazuar.
“Sa i përket sigurisë, duhet të merret pak pushteti lokal dhe ai qendror. Jeta e njeriut ka vlerë, kushton shumë.”
Edhe bregdeti i Velipojës këtë fundjavë priti fluks të lartë pushuesish, duke konfirmuar interesin në rritje për një nga destinacionet më të frekuentuara të veriut.
Pushuesit dhe vizitorët vlerësojnë ndryshimin pozitiv që kanë ndodhur këtë vit, duke veçuar pastërtinë, kushtet e përmirësuara, organizimin dhe hapësirat publike përgjatë vijës bregdetare.
“Për familjarët është shumë mirë, për fëmijët, ambiente, për makinën.”
“Na pëlqen shumë, ndryshimi është i paparë.”
Me plazhet e gjera dhe atmosferën familjare, Velipoja e konsideruar si perla e Adriatikut vijon të tërheqë çdo fundjavë një numër në rritje të vizitorëve vendas dhe të huaj.
Komente







