Himara ka çelur zyrtarisht sezonin turistik me një seri aktivitetesh. Këtë të shtunë janë organizuar një sërë aktivitetesh, të cilat do të kulmojnë në mbrëmje me një koncert festiv, ku do të performojnë Ronela Hajati dhe Elita 5.
Festimet do të vijojnë edhe ditën e diel me një tjetër koncert, ku do të ngjitet në skenë këngëtari grek Konstandinos Argjiros.
Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ka prezantuar aktivitetet e kësaj të shtune, duke u shprehur tepër i kënaqur me pjesëmarrjen e lartë që është shënuar që një ditë më parë. Ai thekson se këto aktivitete kanë për qëllim promovimin e Himarës jo vetëm si një destinacion turistik, por edhe si një qendër e pasur në kulinari, traditë, kulturë dhe artizanat.
Sipas Tavos, kjo nuk është e vetmja ofertë që ofron Himara. Synimi është krijimi i një pakete të plotë turistike, ku çdo vizitor që zgjedh Himarën të përjetojë eksperienca dhe të krijojë kujtime të paharrueshme.
“Dje ka qenë dita e parë, plot aktivitete edhe pse koha nuk ishte në favor. Sot filluam me një sërë aktivitetesh, një paradë veshjesh të fëmijëve të vegjël, në darkë do të kemi performancën e Ronela Hajati dhe Elita 5. Nesër do të jetë kulmi. Ne synojmë të promovojmë kulturën, kulinarinë dhe historinë”, tha Tavo.
Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, në zonën e Potamit në Himarë u zhvillua një koncert me këngë dhe valle popullore, duke shënuar kështu hapjen e aktiviteteve për sezonin turistik.
Komente









