“Fuqizimi i grave në politikë”, OSBE promovon librin për barazinë gjinore

TIRANË - Promovimi i librit "Fuqizimi i grave në politikë" mblodhi ditën e sotme në një panel të përbashkët figura të njohura politike, të cilat paraqitën jetën e tyre në kauzën e të drejtave dhe përfaqësimit të grave në çdo sektor.
Në takimin e organizuar në formën e një forumi nga prezenca e OSBE-së, ambasadori Florian Raunig i dha rëndësi përfaqësimit të gruas në politikë, por jo vetëm, edhe në fusha të tjera.
Ndërkohë për sfidat dhe pengesat e tyre në politikë, folën Etleva Tare, përfaqësuese e komunitetit egjiptian në Shqipëri, Nirvana Lekaj, anëtare e Këshillit Bashkiak në Shkodër, Majlinda Bufi, deputete e Partisë Socialiste në Roskovec të Fierit etj.
"Ndryshimet në kodin zgjedhor përcaktojnë një kuotë gjinore prej 50% në listën e çdo partie për këshilltarë vendorë, pra një në çdo dy emra duhet t'i përkasë secilës gjini. Nëse lista nuk arrin të përmbushë këtë kërkesë, ajo refuzohet. Kjo nismë e Aleancës së Grave deputete është e lavdërueshme. Shpresojmë që mbështetja e gjerë ndërpartiake e dëshmuar në Kuvend, të jetë tregues se klasa politike shqiptare e ka marrë seriozisht çështjen e barazisë gjinore në politikë", tha Raunig.
Nga ana e tij, Gjergj Bojaxhi, i cili ka shkruar parathënien e librit, u shpreh se" kultura familjare mbjell edhe rëndësinë që duhet t'i japim përfaqësimit të gruas në jetën social-kulturore, në sipërmarrje dhe në politikë".
Ndërsa për deputeten e Partisë Demokratike, Grida Duma përfaqësimi i grave duhet të nisë së pari nga pavarësia ekonomike që ajo duhet të krijojë. "Gratë kanë nevojë të përfaqësohen, por në radhë të parë duan pavarësi ekonomike dhe kuotat e përfaqësimit nuk janë zgjidhja, por të dimë sesi të manaxhojnë kulturalisht përfaqësimin e gruas", tha ajo.
Nga ana e tij, Arben Malaj, ish deputet i PS-së, tha se tanimë ka filluar ndërgjegjësimi dhe gjithçka që ka lidhje me gruan dhe përfaqësimin e saj, së pari duhet të nisë nga sipërmarrja në biznese.
Ndërkohë që Gazmend Oketa, Sekretari i Përgjithshëm i  FRD-së u shpreh se "duhet të kujdesemi që gratë të mos behën 'pis' nga politika por të përcjellin politikën e tyre në çdo ditë dhe në çdo aspekt".
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri promovoi sot librin "Fuqizimi i grave në politikë", një përmbledhje intervistash ku gra të angazhuara në politikë flasin për fillesat e tyre, arritjet dhe sfidat. Veprimtaria shërbeu edhe si një forum ku u diskutua për sfidat dhe pengesat që hasin gratë në politikë.
Ky botim përmban intervista me Lindita Nikollën, Grida Dumën, Mimoza Arapin, Etleva Taren, Majlinda Bufin, Sose Çallpanin, Dava Rustën, Nirvana Lekajn dhe Evjeni Kotën, të intervistuara nga gazetarët Rezarta Delisula, Gjergj Erebara dhe Irena Shabani.
Parathënia e librit është shkruar nga Gjergj Bojaxhi, Arben Malaj dhe Gazmend Oketa, të cilët janë angazhuar në vijimësi në projektin e OSBE-së "Promovimi i barazisë gjinore në jetën politike dhe publike", në kuadër të të cilit botohet ky libër./ATSH/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Ukrainë, sulm i ri rus me dron në Kiev