SHKODËR - Drejtuesit e furgonëve me targa të bardha në Shkodër, Korçë dhe Berat e Fier të cilët nuk kanë licenë për të ushtruar aktivitetin e transportit të qytetarëve, janë ndaluar sot nga policia që të transportojnë pasagjerë.

Nga ana e tyre ata kanë kërcënuar me grevë urie nëse nuk do t'u lejohet që të qarkullojnë.
 
Kjo masë është marrë vetëm një ditë pasi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi se do të ndalohej transporti i pasagjerëve me anë të mjeteve 8+1 nga furgonët e palicencuar, ndërsa e drejta për të transportuar pasagjerë do t'u njihet vetëm furgonëve taksi, me targa të verdha, të licencuar për transportin e qytetarëve. Këtë fakt e ka sqaruar edhe Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në një njoftim për shtyp.
 
Ndërkaq gjatë ditës së sotme, Policia e Shtetit ka nisur një aksion për ndalimin e tyre dhe deri në mesditë janë bllokuar nga uniformat blu më shumë se 150 furgonë 8+1 të palicencuar, që udhëtonin nëpër akse të ndryshme të Shqipërisë.

Të gjithë furgonët e bllokuar janë me targa të bardha dhe jo ata të licencuarit.

ORA 17:45 MINISTRIA E TRANSPORTIT: AKSIONI LUFTON INFORMALITETIN
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës sqaron bllokimin e furgonëve të pasagjerëve në vend. Në një njoftim për shtyp, ministria e Transportit sqaron se aksioni i policisë është vetëm kundër furgonëve të palicencuar, me targa të bardha, të cilët ushtrojnë aktivitetin në mënyrë të paligjshme. Ndërsa furgonat taksi 8+1, me targa të verdha, bëhet me dije se do të ushtrojnë aktivitetin në zbatim të ligjit.
 
Sipas Ministrisë së Transportit “nisma synon të thellojë luftën kundër evazionit dhe të realizojnë formalizimin e sektori, duke i dhënë fund konkurrencës së pandershme në transportin ndërurban”.

Në njoftimin e Ministrisë së Transportit theksohet se:
1. Nisma e qeverisë synon zbatimin rigoroz të kuadrit ligjor ekzistues në fushën e transportit për të gjitha kategoritë e automjeteve, përfshirë edhe automjetet taksi (8+1), apo siç quhen në gjuhën popullore ‘furgonëve’.

2. Kjo nismë sjell rritjen e ndjeshme të standardeve të sigurisë së qytetareve që përdorin transportin ndërurban, siguri e dëmtuar rëndë nga përdorimi i mjeteve të paliçensuara dhe nga drejtues mjetesh të paçertifikuar.

3. Nisma e qeverisë synon dhënien fund të konkurencës së pandershme në transportin ndërurban, dhe dëmtimin e padrejtë të dhjetra operatoreve të liçensuar për transportin ndërqytetas.

4. Nisma e qeverisë synon modernizimin e transportit ndërurban përmes krijimit të kushteve të parashikuara nga ligji për udhëtimin e sigurtë e komod, me automjete të përshtatshme, në linja me orare të përcaktuara, dhe me cmime të lira për qytetarët.

5. Nisma e qeverisë synon luftën kundër evazionit dhe formalizimin e sektorit.

6. Pjesë e kësaj nisme do të jetë edhe përmiresimi i infrastrukturës së stacioneve të autobuseve pranë secilës bashki, me standarte që ka rajoni dhe Bashkimi Evropian, përsa u përket shitjes së biletave, informacionit për oraret e linjave si dhe shërbimeve të higjenës, të domosdoshme në çdo stacion autobusi bashkiak.

Ministria e Transportit thekson se me zbatimin e aksionit do t’i jepet fund konkurrencës së pandershme dhe do të mbrohen qytetarët nga abuzuesit. Ndërsa thuhet se do të zbatohet ligji dhe standardet teknike sa i takon krijimit të sigurisë në transportin rrugor.
 
“Në thelbin e vet nisma e qeverisë para së gjithave mbron qytetaret, jetën dhe xhepin e tyre nga abuzuesit, mbron përdoruesit e ligjshëm e të licencuar të mjeteve, investimet e kujtdo që punon në këtë sektor me dokumentacion të rregullt, si edhe lirinë e të drejtën e zhvillimit të sektorit përmes konkurrencës së ndershme e të garantuar për çdo investim në këtë fushë që jep siguri, sjell inovacion, garanton progres.
 
Epoka e anarkisë, pasigurisë, e punës në të zezë apo veprimtarisë jashtë ligjeve dhe standardeve teknike në këtë sektor jetik për sigurinë e qytetareve si edhe për zhvillimin e vendit, do të mbyllet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transportit.

ORA 12:10 AKSIONI I POLICISË, BLLOKOHEN 150 FURGONË
Pas tragjedisë së Kukësit ku humbën jetën 6 persona teksa udhëtonin në bordin e furgonit të drejtuar nga një 21-vjeçar pa eksperiencë dhe pa leje të përshtatshme drejtimi për pasagjerë, dhe vendimit të qeverisë për bllokimin e transportit publik me furgonë, Policia e Shtetit njofton se ka bllokuar mbi 150 furgonë 8+1.
 
Zyra e shtypit në policinë e shtetit e kontaktuar nga A1Report deklaron se operacioni për bllokimin e mjeteve furgon ka nisur prej orëve të para të mëngjesit në të gjithë Shqipërinë dhe mjetet e bllokuara janë furgonët me targa të bardha jo taksi, pasi sipas policisë mjetet me targë taksi të verdha do të qarkullojnë deri në një moment të dytë.
 
Por dhe pse ky urdhër është në fuqi nga sot, në hyrje të kryeqytetit tek rreth rrotullimi i doganës dhe Zogut të Zi sot paradite ka pasur ende furgonë në qarkullim. Pikërisht furgonët me targa të bardha që futen në kryeqytet me pasagjerë, nuk ndaleshin nga policia rrugore.
 
Një ditë më parë në prezantimin e paketës për sigurinë rrugore Ministria e Brendshm njoftoi se “do të marrim masa imediate për të sanksionuar rregullat e transportit publik ndërqytetas, duke eliminuar njëherë e mirë transportin me furgon.

ORA 11:55 FURGONËT E TAKSITË, PROTESTA DHE NË FIER E BERAT
Protesta e shoferëve të furgonëve 8+1 dhe taksive është shtrirë edhe në rrethe të tjera të vendit. Kështu në Fier, sindikata e taksive 4+1 në bashkëpunim me Sindikatën Shqiptare të Taksive kanë protestuar në rrugën kryesore sot lidhur për luftën kundër informalitetit.
 
Sipas kreut të kësaj sindikate, Gëzim Bardhi duhet të ndërhyhet nga policia për ngritjen e një njësie të vetme policore për kontrollin e mjeteve pa licencë për të mbrojtur shërbimin taksive që kanë license.
 
Në Berat drejtuesit e furgonave 8+1 janë mbledhur në qendër të Beratit në sheshin përballë agjencisë. Drejtuesit e 90 shoferëve të furgonëve janë mbledhur në këtë vend dhe kanë deklaruar se, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre ata do të bllokojnë aksin nacional.

ORA 09:30 PROTESTA NE SHKODER DHE NE KORÇE
Shoferët e mjeteve 8+1 në Shkodër kanë bërë të ditur se, që në mëngjes Policia Rrugore i ka ndaluar që të qarkullojnë në drejtim të Lezhës, Laçit dhe Tiranës apo nga Tirana në drejtim të qyteteve të ndryshme.

Ata kanë nisur protestë në orët e para të mëngjesit në hyrje të qytetit të Shkodrës në lagjen 'Xhabie', ndërsa kanë deklaruar se, nuk lejohet të qarkullojnë edhe pse janë me licenca të rregullta të dhëna nga bashkitë respektive.

Ata kërcënojnë me grevë urie nëse qeveria nuk do të marrë parasysh faktin për lëvizjen e tyre dhe transportin e pasagjerëve.

Ata kanë deklaruar se, me këtë punë mbajnë familjet dhe nëse u bllokohen licencat atëherë protesta do të përshkallëzohet dhe më tej.
 
KORÇË, SHOFERËT: DO BLLOKOJMË RRUGËN NACIONALE
Shoferët e furgonëve në Korçë janë në ditën e 7 të protestës së tyre, ndërsa kanë deklaruar se, vendimi i Këshillit të Ministrave për ata është i papranueshëm.

“Ne punojmë për bukën e gojës, me këtë vendim ata po na shkatërrojmë”, kanë deklaruar shoferët e furgonave të linjës nga Korça në Tiranë dhe anasjelltas.
 
“Nëse nuk lejohemi të punojmë do bllokojmë rrugën nacionale dhe ikim vetëm të vdekur. Le të na shtypin me fadromë”, ka qenë kërcënimi i shoferëve të furgonave të Korçës. Ndërkaq ata kanë deklaruar se, ministri Saimir Tahiri duhet të ndëshkojë përgjegjesit e aksidenteve dhe jo njerëzit e ndershëm dhe punëtorë.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)