ELBASAN- Një furgon me rreth 30 pasagjerë ka shpëtuar mrekullisht pa përfunduar në ujërat e Lumit Shkumbin në Kthesën e Murrashit në Librazhd, e kthyer si 'kthesa e vdekjes'. Siç duket nga pamjet e siguruara nga Report Tv, furgoni ka dalë nga rruga, ndërsa është shumë pranë greminës, por një masiv i vogël dheu anës rrugës ka shmangur tragjedinë. Furgoni me targa 'AA 403 XK', me drejtues shtetasin M.L, 29-vjeç, si pasojë e lagështirës në rrugë, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë pjesërisht nga rruga. Për fat të mirë nuk ka të lënduar në njerëz, ndërsa pasagjerët kanë zbritur nga furgoni.
'Me datë 07.02.2022, rreth orës 12:00, në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, në vendin "Ura e Murrashit', shtetasi M. L., 29 vjeç banues në Korçë , duke drejtuar mjetin autobuz tip "Benz", si pasojë e lagështirës në rrugë, ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me bordurën metalike. Nuk ka dëme në njerëz vetem dëme të lehta materiale.'- njofton policia.
Gazetari i Report Tv Ronaldo Gjoshi i cili raporton nga vendngjarja thotë se në rrugë është vendosur sinjalistikë, por ende nuk janë vendosur barriera mbrojtëse. Aksidenti ka ndodhur shumë pranë vendit ku ndodhi aksidenti tragjik me 3 viktima më datën 1 shkurt, ku makina doli nga rruga dhe përfundoi në lumin Shkumbin. Aksi Elbasan-Librazhd është problematik për rënien e gurëve në rrugë, sidomos në ditët kur ka reshje shiu, duke u kthyer në burim aksidenti për drejtuesit e mjeteve, dhe rasti i tillë ishte edhe dita që u mori jetën 3 personave.


-
Po të ishte shkak lagështia në rrugë aty do ishte bërë një mal me mjete. Pse vetëm për këtë ishte lagështi? Për të tjerat ishte thatë???
Përgjigju -
Sta ka fajin kthesa por shpejtesia
Përgjigju









Komente
Komento